Në kulmin e debateve për HEC-et në Valbonë, Ministria e Energjitikës ka anuluar kontratën koncesionare për ndërtimin e 6 hidrocentraleve në Lumin Shalë të Thethit të biznesmenit kosovar Ekrem Lluka.

Përmes një letre dërguar kompanisë koncesionare Shala Energy Shpk, Ministria e Energjitikës ka bërë me dije se prishja e njëanshme e kontratës ka ardhur për shkak të mosrespektimit të kushteve të saj. Ministria ka theksuar gjithashtu se Shoqëria koncesionare është njoftuar disa herë për të plotësuar dokumentacionin e munguar në projektin e zbatimit, gjë që nuk ka ndodhur.
 
Koncesioni 35 vjeçar për ndërtimin e 6 Hidrocentraleve në Lumin Shala është miratuar në vitin 2009 nga Qeveria Berisha. Po në këtë vit është themeluar edhe kompania Shala Energy Shpk, në bashkëpronësi të Ekrem Llukës dhe të shtetasit slloven Anton Papezh.

Por në vitin 2014 kemi një ndryshim të ortakëve të shoqërisë. Në skenë hyn kompania nga Dubai FALAK PROPERATIES, e cila merr 71% të aksioneve me vlerë 12 milionë dollarë. Gjithësesi Lluka vazhdon të mbajë 25% të aksioneve përmes kompanisë së tij INTERNERGO ALBANIA, ndërkohë që 4% zotërohen nga kompania POËER ENERGY GROUP.
 
Në letrën dërguar kompanisë koncesionare Ministria e Energjitikës thekson se shkeljet konsistojnë në mungesën e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik, raportet hidroenergjetike dhe hidroteknike, si dhe ato të planit të biznesit.

Kompania gjithashtu nuk ka rinovuar Sigurimin e Kontratës koncesionare brenda afatit të caktuar. Projekti parashikonte ndërtimin e gjashtë Hec-eve të vegjël, që u kundërshtuan fort nga shoqëria civile, por veçanërisht nga banorët e zonës për shkak të impaktit negativ që do kishin në tërë zonën.
 
Lumi Shalë i Thethit është një prej perlave të natyrës Shqiptare, e cila ashtu si Valbona, Vjosa apo Bënça rrezikohen nga ndërtimi i Hidrocentraleve. Banorët, ashtu si dhe shoqëria civile, janë pozicionuar fort kundër shkatërrimit të natyrës, ekonomisë e turizmit në këto zona prej ndërtimit të hidrocentraleve.

(d.b/Shqiptarja.com)