4.2 milionë euro janë hedhur së fundimi nga shteti për pajisje mjekësore e aparatura në spitalet publike. Bëhet fjalë për katër skanera, 18 grafi,  4 ECHO dhe një angiograf.  Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan investimin e bërë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ nga ku u veçua se do të ulet koha e pritjes për kryerjen e një skaneri dhe cilësia e diagnostikimit.

“Me një fond 4.2 milionë euro jemi duke investuar vetëm për imazherinë e spitaleve tona. Ashtu sikurse ne kemi projektuar edhe në strategjinë tonë për të menaxhuar edhe pasojat e Covid19, kemi mundësuar që spitalit “Shefqet Ndroqi” t’i shtohet një skaner i ri, pra bëhen me dy skanera në këtë spital. Do të shtojmë një skaner në spitalin e Traumës, duke investuar në një teknologji kompet të re dual-energji për skanerat. Gjithashtu në spitalin e Korçës do të kemi rinovim dhe në spitalin Pediatrik në Tiranë. Ndërkohë që QSUT investojmë dhe një angiograf të ri. Dhe janë 18 grafi që do të shpërndahen në gjithë spitalet falë investimit në flotën e re të aparaturave. E para ne kemi mundësi tashmë që të kemi një llojshmëri të madhe të evidentimit për diagnoza të ndryshme. Ndjekja e pacientit bëhet më mirë. Që nga fakti që ky si skaner në 60 minuta mundet që të realizojë ekzaminime për 20 pacientë. Pra në tre minuta mund të bëhet një skaner. Nga ana tjetër duke pasur këtë teknologji të re, ne mundemi që të ulim listat e pritjes që tashmë për skanerat bëhen 24-48 orë në gjithë Shqipërinë”, tha Manastirliu.

Dy skanerët që punojnë paralelisht në spitalin Shefqet Ndroqi, ulin në maksimum kohën e pritjes së pacientëve. Ndërkohë që pajisja e re e imazherisë, falë “softëare” të fundit ofron mundësinë e evidentimit diagnozave të ndryshme të cilat më parë ishin të pamundura për tu evidentuar.

“Kemi mundësinë që të kemi një llojshmëri të madhe të evidentimit të diagnozave të ndryshme. Që nga fakti që ky si skaner, në 60 minuta mund të realizojmë ekzaminime të 20 pacientëve. Pra, me rotacionin që ai ka, kemi mundësi që në 3 minuta të bëjmë një skaner. Nga ana tjetër, me këtë teknologji të re, mundemi që listat e pritjes për skanerët t’i bëjmë 24 orë. Për QSUT për arsye të teknologjisë, me këtë pajisje të re, tashmë lista e pritjes bëhet 24-48 orë ndërkohë që më përpara ka qenë 4 muaj”, - theksoi ministrja Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama foli për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve që ka hyrë në fuqi nga 1 korriku. Ai tha se pagat janë rritur me 6%, rritje nga e cila përfitojnë rreth 19 mijë mjekë.

Mjekët e këtij spitali shprehen të kënaqur me investimet në aparatura të cilat tashmë u japin mundësi të kryejnë diagnostikime më të detajuara e në kohë më të shpejtë. Ndërkohë vijon modernizimi i infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat Ne kujdesit parësor, deri tek spitalet universitare, me synim rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor për qytetarët.