KORÇË - Plot 97 apartamente, të ndërtuara për familjet e pastreha në qytetin e Korçës, ka dy vjet që mbahen peng. Për ato, kanë aplikuar rreth 1800 familje, ndërkohë që janë hartuar edhe lista konkrete, të cilat kanë ndryshuar disa herë.

Sipas Nënkryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo, shkak i kësaj vonese është ndryshimi i kritereve për përcaktimin e familjeve përfituese, ndërkohë që përjashtohet ndikimi i politikës në këtë process.

Në kriteret e përcaktuara u ul dyshemeja e të ardhurave, për familjet në nevojë, e cila ka për bazë mesataren reale të të ardhurave të familjeve korcare. “Ka pasur disa vërejtje nga ana e njësisë së koordinimit të projektit, pranë Ministrisë së Punëve Publike, lidhur me kriteret e vlerësimit.

Është kërkuar nga ana e tyre, që këto kritere të jenë të unifikuara në të tetë bashkitë që janë pjesë e projektit dhe për këtë shkak, ne kemi bërë disa ndryshime, kryesisht në kriterin e të ardhurave minimale, dhe kemi përshtatuar atë me manualin e projektit”, tha Sotiraq Filo.

Sipas kritereve më të fundit, në lista do të përfshihen familjet që aktualisht jetojnë në godina me rrezik shembje, që strehohen me qira, apo në shtëpitë e ish-pronarëve. Mes përfituesve janë edhe familjet e invalidëve.

Ndërtimi i banesave sociale, filloi para katër vjetësh dhe në mënyrë të vazhdueshme u premtua se do të ndaheshin brenda vitit të parë, por kjo nuk ndodhi.

Vetëm kontrata me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike ka një vit që nuk po mbyllet, ndërsa strehimi për nevojtarët në Korçë, mbetet ende një shqetësim i madh.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)