Ndërsa pranoi se opozita ka bërë disa gabime, Agron Duka kreu i partisë Agrare tha se pas humbjes së opozitës, Basha duhet t’i hapë rrugë demokratëve për zgjedhje të lira në parti. Ai tha se zgjedhjet në PD duhen ribërë në mënyrë që të vazhdohet para.

‘Opozita duhet të shikojë gabimet, ose ardhmja është e errët, mos të humbasë kohë kot deri në shtator. Basha duhet patjetër të ribëjë zgjedhjet të lira në PD, jo siç u bënë më para, zgjedhje reale, të bashkohen demokratët, që nga i vjetri deri më i riu. Të zgjedhin lidershipin e ri të PD që mund të jetë dhe Basha prapë, nëse e rifiton besimin , se kështu me artifica thjesht i shton jetën mazhorancës.’- tha Duka në Top Talk.

Më tej ai deklaroi se nuk mund t’i vihet faji humbjes së zgjedhjeve manipulimit të votave këtij prentendimi që po përdoret prej sa palë zgjedhjesh.

“Nëse shkohet me këtë mendim atëherë edhe në 2025 i kemi zgjedhjet e humbura. Ajo që ndikoi për mendimin tim janë mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, mos përfshirja në ndarjen territoriale me krijimin e 61 bashkive dhe mbi të gjitha djegia e mandateve të deputetëve”, tha Duka.

Ditën e sotme grupimi ‘Për PD-në’ i përbërë nga figura të rëndësishme për demokratët, mes tyre edhe themelues të kësaj force politike, kërkuan dorëheqjen e parevokueshme të Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike dhe fillimin e ringritje së kësaj është force politike.

Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha ishin të mendimit se PD-ja nuk frymëzoi dhe zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të humbeshin. Për pasojë, për këtë dështim bëjnë përgjegjës kryedemokratin Lulzim Basha e si rrjedhojë kërkojnë largimin e tij dhe hapjen e PD-së.