Apeli i miqve të shkrimtares dhe përkthyeses së njohur Mira Meksi për vaksinimin e saj nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Sot shkrimtarja ka marrë dozën e vaksinës anti-COVID dhe tani mund të vijojë trajtimin e mëtejshëm të sëmundjes së rëndë nga e cila vuan.
Lajmin e mirë e ka bërë me dije vetë Meksi me anë të një postimi në rrjete sociale, e cila falenderon të gjithë për solidaritetin dhe energjinë që ka marrë për të përballuar sëmundjen. Ndërkaq ka falenderuar edhe kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Miqte e mi, dashamires, jeni aq shume sa nuk jua permend dot emrin. Por zemra ime ju njeh te gjitheve. Me keni prekur shpirtin me solidaritetin tuaj, me keni dhene force dhe energji per ta perballuar semundjen. Ju jam perjetesisht mirenjohes. Ju uroj se pari shendet dhe force njerezore ne keto kohera te zeza! Ka drite ne fund te tunelit!Falenderoj nga zemra Kryeministrin Rama dhe Ministren Manastirliu qe me mundesuan vijimin e trajtimit te metejshem te semundjes! Zoti me ne te gjithë”, shkruan Meksi.
Ishin miq edhe kolegë të saj të cilët konfirmuan për “Shqiptarja.com” lajmin e trishtë se ajo vuan nga një sëmundje dhe i bënë apel institucioneve shtetërore për vaksinimin e saj, kjo pasi ajo duhej të vijonte mjekimet e specializuara (terapi dhe kura) jashtë vendit, por mjeku i ndaloi udhëtimin jashtë, pa bërë vaksinën kundër COVID-19.