Shkrimtarja dhe përkthyesja Mira Meksi vuan nga një sëmundje e rëndë. Artistë, miq edhe kolegë të saj për “Shqiptarja.com” konfirmojnë lajmin e trishtë dhe bëjnë apel institucioneve shtetërore për vaksinimin e saj. Pasi, pas një ndërhyrje kirurgjikale Mira Meksi duhet që të vijojë mjekimet e specializuara (terapi dhe kura) jashtë vendit.

Ndërsa, mjeku i ndalon udhëtimin jashtë Shqipërisë, pa bërë vaksinën kundër COVID-19, pasi në këtë rast rreziku për shëndetin e saj është edhe më i madh.

Në vendin tonë vaksinimi ka nisur vetëm prej disa javësh, fillimisht për bluzat e bardha, dhe më pas për të moshuarit mbi 80 vjeç.

Kush është Mira Meksi?

Shkrimtarja Mira Meksi është autorja edhe përkthyesja e disa veprave letrare në shqip. Ka shkruar “E kuqja e demave”, “Mallkimi i priftëreshave”, “Frosina e Janinës” etj., edhe ka përkthyer autorë të njohur, si Dumas, Baudelaire, Lamartine, Rimbaud, Marquez etj. Është vlerësuar me disa çmime, si “Rexhat Surroi” dhe “Përkthyesja e vitit” ( 2016) etj. Gjatë vitit që lamë pas, ajo u vlerësua edhe si “Autorja e vitit” me romanin “Diktatori në kryq” (2019).