Replika për dënimin me 1 vit burg të Salianjit!/ Rama: Drejtësia më në fund jashtë duarve të politikës! Bardhi: Frikacak, keqpërdore gjykatën! Kryeministri: Mezi prite ta heqësh qafe shokun shpifës

Tirane-  Gjykata e Apelit dënoi sot me 1 vit burg Ervin Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila e kishte shpallur fajtor për 'kallëzim të rremë' për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Njësoj si në maj 2018, kur audiopërgjimi u publikua nga Salianji, 6 vite më pas, (26 shtator 2024) politika u përfshi sërish në debate të forta dhe replika. Kryeministri Edi Rama e quajti ditën e sotme 'Një ditë e mirë për të vërtetën'  

Në kundërpërgjigje ndaj PD-së që e cilëson vendimin “keqpërdorim të gjykatave për të frikësuar e dënuar pa ligj e prova opozitën'  Rama shkruajti se pas 34 viteve 'sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallëzimit të Rremë" 

Në audio përgjimin e publikuar më 2018, pretendohej se po zhvillohej një bisedë mes vëllait të zotit Xhafaj dhe një ish të dënuari në Itali për trafik droge, për ta ndihmuar këtë të fundit që të sigurojë një ngarkesë me marijuanë. Atëherë (Pra në 2018) opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.

Gjashtë vite më pas,  Rama thotë se ajo histori 'ishte inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re" 

"E Vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e  pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallëzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën' shkruan Rama në rrjetin social X më 26 shtator 2024

Nga ana tjetër Partia Demokratike e quan sulm të paprecedentë që po i bëhet PD-së dhe grupit parlamentar. Një replikë kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e quajti kryeministri 'të pafytyrë e frikacak'

I pafytyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën" tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi në një deklaratë për median.

Pak minuta më pas erdhi dhe replika tjetër në distancë e kryeministrit Rama. Përmes një postimi të dytë në rrjetin social X, Rama tha se Bardhi, të cilin e quajti 'B- i vogël' mezi kishte pritur 'ta hiqte qafe shokun e vogël shpifës'. Madje i kujtoi dhe kallëzimin që ky i fundit ka bërë në SPAK ndaj vëllait të tij

"Je shpifës i të njëjtit lloj si i sapodënuari për veprën penale të Kallëzimit të Rremë.... Gjysmë burrë e gjysmë derrkuc mbi prehrin e shefit të radhës.. Noc Rrokun ke për të zbuluar"

Erdhi dhe kundërpërgjigjja e kryetarit të grupit PD, Gazment Bardhi. 

Kurdo që ta ngjyejë bojën ose të fusë kokën në llumin e vet të pështirë Edi Rama nuk duhet të harrojë një mësim të vyer të historisë së njerëzimit: Diktatorët nuk zgjasin përgjithmonë!"

Në reagimin e tij  Rama garantoi se ky vendim nuk ndikon në qasjen e partisë së tij dhe qeverisë për të paditur në gjyq për shpifje gazetarët por theksoi se nuk do të tërhiqen nga proceset gjyqësore kundër "shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës"

Shënim: Më poshtë janë replikat e plota të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit Parlamentar Gazment Bardhi sipas rendit kronologjik  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:00
Replika nr 2/ Bardhi i përgjigjet Ramës: Një qetësues për Kryeministrin e bandave

1727356469_gazmentbardhi.jpg

Foto: Gazment Bardhi

Vijojnë replikat në distancë mes kryeministrit Rama dhe Gazment Bardhit për dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit

Bardhi i përgjigjet Edi Ramës: Një qetësues për Kryeministrin e bandave! 

E kuptoj që një nga pasionet e fundit të Edi Ramës është burgosja e deputetëve të opozitës. Është tundimi i çdo politikani, pushteti i të cilit nuk vjen nga vota, por nga krimi dhe korrupsioni. 

E kuptoj pse nuk përmbahet edhe kur e ngjyen penën në llumin e tij personal dhe politik. Edi Ramën e shqetëson e vërteta! Ai s’mbulon dot diellin me shoshë me fjalorin e tij të pështirë. 

Faktet janë se: 
1. Edi Rama është Kryeministri i vetëm në botë që bëri Ministër të Brendshëm vëllanë e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE! 
2. Edi Rama është i vetmi Kryministër në botë që akuzohet nga zëvendësi i tij se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emërojë Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të SHISH. 
3. Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që ka vëllanë të dyshuar si trafikant droge. (Kallëzimi im në SPAK, në çdo formë që ti e quan, nuk e ndryshon dot faktin se Olsi Rama përdori makinën e trafikantëve të drogës në të njëjtën kohë që ata ngritën laboratorin e drogës në vitin e parë të qeverisjes së vëllait kryeministër - Procedimi 84, viti 2024).
4. Edi Rama është i vetmi Kryeministër në Europë që trafikantët e drogës, vrasësit dhe përdhunuesit i bëre deputetë dhe kryebashkiakë.

Kurdo që ta ngjyejë bojën ose të fusë kokën në llumin e vet të pështirë Edi Rama nuk duhet të harrojë një mësim të vyer të historisë së njerëzimit: 

Diktatorët nuk zgjasin përgjithmonë!

P.s: Ka Geroni vëlla; por ka edhe Olsi! Madje ka një vëlla jo vetëm frikacak e të paftyrë, por edhe tërësisht vulgar e me nervat jashtë kontrollit! Fatmir Xhafaj e kreu detyrën me shumë “dinjitet”, aq sa për karrigen e pushtetit e dorëzoi në burg të vëllain me duart e tij, vetëm që të mos ballafaqohej me Ervin Salianjin në gjykatë! Taksirat e ke, si vëlla i mirë që je, dhe si zyrtar po me aq “dinjitet”, bëj edhe ti të njëjtën gjë! Por kujtohu, Fatmir Xhafajt nuk i mjaftoi për të qëndruar në pushtet dhe as ty nuk do të mjaftojë!

Ora 18:26
Rama replikon me Bardhin për Salianjin: B-i vogël, mezi prite ta heqësh qafe shokun shpifës! Noc Rrokun ke për të zbuluar

1727368780_bardhiedirama.jpg

Foto: Gazment Bardhi dhe Edi Rama

Vijojnë replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Ky i fundit u shpall fajtor për 'kallëzim të rremë' për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, e njohur dhe si dosja 'Babale'. 

Bardhi e quajti kreun e qeverisë frikacak, ndërsa i tha se e gënjen mendja se do trimërohet duke keqpërdorur gjykatat për të frikësuar opozitën.

Kurse ti B e Vogël e prehërit të B-së Madhe, je një shpifës i neveritshëm i të njëjtit lloj si i sapodënuari për veprën penale të Kallzimit të Rremë. Por ndryshe nga ky i fundit, që i shërbeu trimërisht atij të cilit ti i shërben burracakërisht, duke pritur me kokën lart e me gojën hapur të të hedhë nga Penxherja e Katit të Tetë atë lëndën luftarake që pastaj ti e pështyn në mexhelis për llogari të tij, u the me të madhe shqiptarëve dhe atyre të RAI3-shit e jo vetëm atyre, se e kishe kallzuar në SPAK trafikantin e drogës që zbulove në familjen time, po në fakt, i gënjeve mu si një skuth që i vë në dispozicion bishtin e spërdredhur çdo shefi të radhës, sepse në fakt nuk bëre asnjë kallzim pikërisht për të mos përfunduar si ky tjetri, i dënuar penalisht për veprën më ekstreme të Shpifjes, Kallzim i Rremë - sepse megjithëse gjysëm burrë e gjysëm derrkuc mbi prehrin e shefit të radhës, si jurist që je ti e dije se Kallzimi yt i Rremë do të të kryqëzonte nga gozhda e ligjit si autor i një vepre penale kundër drejtësisë dhe do t’i jepje lamtumirën politikës si një kriminel me vendim gjykate!

Por unë do ta pres me durim përfundimin e hetimeve të SPAK-ut mbi trafikantin e zbuluar prej teje në familjen time dhe edhe pse nuk do të të çoj dot në gjykatë për Kallzimin e Rremë, që s’ta mbajti b-ja e vogël e shtypit ta bësh se e di po aq mirë sa edhe unë që ke zbuluar Noc Rrokun, do ta ndaj me shqiptarët me fakte në dorë se çfarë ushtari i pacipë i Mbretërisë së Shpifarakëve je zotrote!

Sa për Ministrin e Brendshëm që ti ma numëron për të larë gojën sot në mbrojtje të shokut shpifës që mezi prite ta heqësh qafe e që për lumturinë tënde mori nga drejtësia atë që kërkoi verbërisht (një konkurent më pak për vendin në majë të prehërit), Fatmir Xhafaj e kreu detyrën e tij si ministër i brendshëm me nder dhe e dorëzoi me një dinjitet që fara jote hibride nuk ka sesi t’ia dijë vlerën, e sot që flasim vazhdon tu shërbejë me nder në Kuvendin e Shqipërisë atyre që ia ridhanë besimin, me aq shumë vota sa zotrote nuk do t’i mbledhësh dot kurrë bashkë në rrugën tënde prej shërbëtori, të cilën ah po, u stërbetove publikisht se do ta lije duke i dhënë lamtumirën politikës, nëse B-ja me emrin Penxhere do kthehej një ditë në atë selinë ku ti mbaje me krenari tabakanë e kafes së B-së së shkretë me emrin Lul!

Po jo vetëm nuk ike kur B-ja e madhe erdhi në seli, po vajte ti pas tij kur ai u ngjit lart në penxhere, për të vazhduar të bësh atë që të bën shërbëtorin e preferuar të të gjitha B-ve, duke të gënjyer mendja se bishti i spërdredhur i derrkucit do të të bëjë ty krye B kur të mbyllet penxhereja, por duke harruar se ti pa prehër shefi ku të ulesh, je thjesht një gjysëm burrë e gjysëm derrkuc i destinuar të zvarritesh në vijën e llumit të gojës tënde, nën vështrimin pa respekt të të gjithë kalimtarëve.

*Kaq për sot dhe atyre që më thonë pse e ul veten e merrem me një nënnjeri si ky, u them se personi i tij nuk më intereson dot asnjë sekondë të vetme, po kategoria që ai e përfaqëson me zellin e një nënnjeriu si më gojëqenefi i të tërë shërbëtorëve të Penxheresë së Katit të Tetë, ma bën të pamundur të mos e tregoj publikisht hera-herës me gisht siç e meriton, jo për veten time po për çdo shqiptar që ka taksiratin të ndjejë erën e mosozotshme të jashtënxjerrjeve të asaj goje.

Ora 16:53
Dënimi i Salianjit, Bardhi i përgjigjet Ramës: Frikacak, të gënjen mendja se do frikësosh opozitën duke keqpërdorur gjykatat

1727356518_bardhi.jpg

Foto: Gazment Bardhi

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur Kryeministrit Rama lidhur me reagimin për dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit. Bardhi e quan kreun e qeverisë frikacak, ndërsa i thotë se e gënjen mendja se do trimërohet duke keqpërdorur gjykatat për të frikësuar opozitën.

“I pafytyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën. Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE! Ti je i vetmi Kryeministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge.  Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret”, shkruan Bardhi.

Ora 16:19
Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, reagon Rama: Drejtësia më në fund jashtë duarve të politikës! S'tërhiqemi nga gjyqet kundër shpifësve me flamuj partiakë

1727361733_NNJJ.jpg

Foto: Ervin Salianji dhe Edi Rama 

'Një ditë e mirë për të vërtetën'! Kështu e quajti kryeministri Edi Rama, ditën e sotme kur Gjykata e Apelit konfirmoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, që dënon me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Në kundërpërgjigje ndaj PD-së që e cilëson vendimin “keqpërdorim të gjykatave për të frikësuar e dënuar pa ligj e prova opozitën'  Rama tha se pas 34 viteve 'sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallëzimit të Rremë" 

Audio përgjimin i cili u bë publik nga Salianji në maj të vitit 2018 shkaktoi debate të forta politike, dhe opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.

Rama thotë se historia ishte inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re" 

Ndër të tjera Rama garantoi se ky vendim nuk ndikon në qasjen e partisë së tij dhe qeverisë për të paditur në gjyq për shpifje gazetarët por se nuk do të tërhiqen nga proceset gjyqësore kundër "shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës"

Replika e pare:

Fjala e plotë e kryeministrit Rama postuar në rrjetin social X

“Pas 34 vjetësh sovranitet të pakufizuar si një shtet brenda shtetit, Mbretëria e vetëshpallur e Shpifarakëve ka cënuar mijëra e mijëra jetë njerëzish e familjesh dhe ndotur përditë e përditë mjedisin publik të Shqipërisë, duke llahtarisur të madh e të vogël me jashtënxjerrjet e gojëve të shthurrura të mexhelisit tonë politik e mediatik, përmes abuzimit ekstrem me Lirinë e Fjalës dhe triumfit të Lirisë së Shpifjes si një kancer i përbindshëm shoqëror, i cili e ka epiqendrën e vet në organin jetik të kuvendarëve të Shqipërisë, ku ata që i kanë bërë ligjet kundër shpifjes (dhe e kanë ligjëruar kallzimin e rremë si vepër penale kundër drejtësisë) janë edhe shkelësit më të egër e sypatrembur të tyre.

Në këtë vend ku për 34 vjet nuk ka mbetur i gjallë e i vdekur pa u ndotur nga llumi i lumit të atyre jashtënxjerrjeve të përditshme, e ku gjyqet e panumërta për shpifje ndaj politikanëve zgjasin me vite të tëra e pastaj kthehen në pesë me hiç kur shpifësit dënohen me ca gjoba simbolike, duke luajtur rolin e viktimave të një regjimi imagjinar dhe duke shpifur edhe më keq sapo marrin dënimin qesharak, sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallëzimit të Rremë, lidhur me një histori që përpara disa vjetësh tronditi mbarë opinionin publik përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re; e cila ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës që e kontrolluan drejtësinë qysh prej shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, ku kurrë asnjëherë një individ me pushtet politik nuk u dënua nga një drejtësi e pavarur, deri kur Drejtësia e Re filloi të godasë majtas e djathtas, duke ecur drejt në rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë!

E Vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e  pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallëzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën.

Ne socialistët në qeveri, kemi hequr dorë prej vitesh nga çdo gjyq për shpifje kundër gazetarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë për shumë arsye, por nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medias, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës.

Padiskutim që kjo është një luftë krejt e pabarabartë, ku në këtë rast shumica qeverisëse është një pakicë e papërfillshme përballë maleve e lumenjve të Shpifjes, por ne nuk do ta pranojmë kurrën e kurrës Mbretërinë paralele të Shpifarakëve si një pasojë fatale të bashkëjetesës në një shtet demokratik".

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 26/09/2024 21:12

    S'ka gjyqtar të dënoj Saliun.

    Përgjigju
  • Shporruni: 26/09/2024 19:36

    Shporruni maskarenjt e PD .Boll te keqija i bete ketij populli SHPORRUNI!!

    Përgjigju
  • Linda: 26/09/2024 19:24

    Mbas Salianjit rradhen e ka dosja e Elbasanit e kriminelit Bardhi qe sot beri te "fortin" duke dhunuar ambjentet e gjykates me ulerimat e tij!

    Përgjigju
  • Arben: 26/09/2024 18:03

    Denim i mire per opoziten! Ishalla drejtesia e re e shkaterron krejt PD-ne! Te kenaqet populli!

    Përgjigju
  • Nensi: 26/09/2024 17:33

    Vendim i drejte pas kaq shume kohe zvarritje. Edhe me shume do ishte akoma me mire

    Përgjigju
  • beni: 26/09/2024 17:33

    ahahahahah hahaahh ahhahaha o rame, na kenaqe me perrallat e tua, oi trugomari, drejtesia eshte fiks jashte politikes, ne duart e tua

    Përgjigju
  • Nensi: 26/09/2024 17:32

    Me ne fund e dhane denimin pas kaq shume kohe zvarritje. I merituar por edhe me shume do ishte akoma me mire

    Përgjigju
  • Ermir: 26/09/2024 16:35

    Boll më me shpifës, të marrë atë që i takon

    Përgjigju
    • BEN: 26/09/2024 17:09

      TASHTI KENDO KENGEN E BABALES

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian