Dy javë pas arrestimit të Raghed Hajazit, nga policia e Tiranës, gjykata e Apelit, vendosi të shqyrtojë kërkesën e të akuzuarit, për ndryshimin e masës së sigurisë. Përfaqësuesit ligjorë të tregtarit sirian, i kërkuan turpës gjykuese të apelit që masa e sigurisë të ndryshohej për faktin se prokuroria nuk kishte provuar se zjarri ishte vënë në mënyrë të qëllimshme.

Sipas avokatit Robert Karati, akti i ekspertimit i kryer nga punonjësit zjarrfikës provonte faktin se zjarri kishte rënë në disa vatra në mënyrë të menjëhershme, por jo se zjarri ishte i qëllimshëm. Po kështu avokati argumentoi se prokuroria nuk kishte sjellë prova dhe fakte të tjera sa i takon dokumentimit të faktit se zjarri ishte vënë në mënyrë të qëllimshme apo nga kush. 

Avokatët pretenduan se vlera e përfitimit që mund të merrte kompania nga sigurimi ishte më e vogël se vlera e dëmit të shkaktuar.  Prokurorja Fationa Memçaj gjatë parashtrimit të saj, tha se Hajazi, ishte i dyshuar për zjarrvënien dhe kjo sipas saj provohej nga akti i ekspertimit të kryer si dhe nga fakti se siriani, kishte tentuar disa herë të merrte paratë që përfitoheshin nga kontrata e sigurimit. 

Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Flutra Skënderi, dhe gjyqtarë Artur Kalaja dhe Fiqirete Mullai, rrëzuan kërkesën e mbrotjes. Kundër këtij vendimi avokatët thanë se do të bëjnë recurs në gjykatën e lartë, për faktin se është i pabazuar.

Ndërkohë që shifra financiare do të transferohej në llogaritë e biznesmenit si motivacion për dëmin e shkaktuar në fabrikën e tapetave që ndodhet në autostradë, biznes ky që u dogj nga flakët e zjarrit të rënë në ambientet brendshme të këtij biznesi.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)