Ka nisur dje zbatimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë që kompania Mektrin Motors të përdorë logot Jaguar dhe Rover, të importojë makina me këtë brand, madje edhe pjesë këmbimi, të ofrojë garanci apo shërbime për këto makina.  

Apeli la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke gjykuar se subjekti vepronte duke cenuar standartet ndërkombëtare, të drejtat e kompanive për mbrojtjen e ekskluzivitetit të produktit dhe markës.

Përdorimi i logove apo shitja e produkteve të markave të njohura botërisht, pa qenë të autorizuar, ka shoqëruar ekonominë shqiptare për disa dekada. Por adoptimi i ligjeve evropiane po sjell gradualisht edhe veprimin e Gjyqësorit në këtë drejtim.  
Sipas gjyqtarëve, u provua në gjykim se pala paditëse “Jaguar Land Rover Limited” është një shoqëri tregtare e të drejtës britanike, e cila ushtron aktivitetin e saj kryesisht në drejtim të projektimeve, prodhimit dhe shitjes së automjeteve “Jaguar” dhe “Land Rover”, si dhe është njëkohësisht pronare e markave tregtare të mirënjohura “JAGUAR” dhe “LAND ROVER”.

Ndërkohë, ka rezultuar e provuar në gjykim se i padituri shoqëria tregtare “Mektrin Motors” shpk ka përdorur pranë vendit te ushtrimit te aktivitetit tregtar të tij, shenja dalluese të reklamimit të markave “JAGUAR” dhe “LAND ROVER” pa autorizimin e pronarit të markës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arsyetuar se kjo krijon tek të tretët një ngatërresë në rradhet e konsumatoreve shqiptare, por edhe të huaj, të cilët krijojne përshtypjen e gabuar se shoqëria “Mektrin Motors” shpk është pajisur me autorizim apo është një shites i licensuar në treg nga paditesi.

Gjykata e Apelit Tiranë ka konkluduar se ekzistojne kushtet ligjore për të urdheruar ndalimin e kompanisë Mektrin të reklamojë në vendin ku ushtron aktivitetin e tij markat “Jaguar” dhe “Land Rover”, pronë të palës paditëse.