Apelohet vendimi për shkrirjen
e grevës, dëshpërimi në çadra Wollfarth: Demokracia kërkon dialog

Apelohet vendimi për shkrirjen <br />e grevës, dëshpërimi në çadra Wollfarth: Demokracia kërkon dialog
TIRANE- Në ditën e 27-të të grevës së urisë ata kanë mbetur 7 nga 24 grevistë të cilët e nisën grevën që prej 22 shtatorit. Kanë 27 ditë që nuk ushqehen ndërsa ditët e fundit po jetojnë pothuajse në izolim të plotë nga policia.

Ndonëse në një gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të moshës, refuzimit të ushqimit dhe për shkak të mungesës së ilaçeve, nuk pranojnë të heqin dorë nga greva të cilën e kanë nisur për të plotësuar kërkesat ekonomike për ata dhe shtresën që përfaqësojnë. Ata kërkojnë dëmshpërblimin e  ish të përndjekur politikë të cilët kanë kryer dënimin në komunizëm dhe nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin që u takon sipas ligjit.
Të lodhur nga presioni psikologjik, i shtuar pas vendimit të djeshëm nga Gjykata e Tiranës e cila urdhëroi shpërbërjen e grevës, ndihen të zhgënjyer dhe të braktisur nga shoqëria civile por dhe nga qeveria. Ajo, që ata i kanë dhënë votën për 22 vite resht , refuzon të negociojë. “Të na japë atë që na takon, se ne nga këtu nuk do të dalim të gjallë. Të gjithë do të vdesim këtu. Më mirë vdekur se gjallë. S’kemi ku të shkojmë.”- janë fjalët ish të burgosurve politikë. Ndërkohë që koordinatori Skënder Tufa përveç thirrje për dialog ndaj qeverisë sot i kërkoi ndihmë dhe partive të opozitës. Skënder Tufa thotë se grevistët dhe ish të përndjekurit po përballen me një terror psikologjik dhe madje paralajmëron se mund të arrestohet dhe ai si kolegu i tij Asllan Patrioti. Ky i fundit u arrestua mbrëmjen e djeshme. Të përndjekurit thonë se arrestimi i tij është politik, ndërsa policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp deklaroi se Asllan Patrioti u arrestua për akuzën e mashtrimit.

Policia prej ditësh ka rrethuar çadrën dhe cilindo që largohet për tu mjekuar në spital nuk e lejon më të futet në grevë. Rasti i fundit është ai Fatmir Lamajt, i cili u shtrua dje me urgjencë në spital pasi pësoi goditje në zemër.  Ish të burgosurit politik deklarojnë se do të apelojnë vendimin e gjykatës së Tiranës dhe për këtë është ofruar Komiteti i Helsinkit i cili do të vërë në dispozicion të tyre një përfaqësues ligjor.

TUFA: DO APELOJME VENDIMIN E GJYKATES
Ora 20:33 Skënder Tufa kreu i shoqatës së ish të burgosurve politik, dhe njëherësh koordinator i grevës së urisë, e cila sot shënon ditën e 27 të saj, tha se ish të përndjekurit janë në trysni të plotë pasi nuk po i lejohet komunikimi me personat e jashtëm. Ai tha se do të apelojnë vendimin e gjykatës e cila e shpalli grevën e ish të përndjekurve të paligjshme. “Nëpërmjet grupit të Helsinkit shqiptar nesër do të dorëzojmë dokumentet për ta depozituar në Gjykatën e Apelit. Kërkojmë vazhdimin më të sigurt të grevës”, tha Tufa. Koordinatori i grevës shtoi se grevistët ndihën të kërcënuar prej faktit se mund të nxirren nga forcat e policisë me dhunë nga çadrat e vendosura te “Komuna e Parisit” në kryeqytet, për shkak të vendimit të gjykatës i cili thotë se brenda 15 ditëve greva duhet të shpërndahet.

S’I LEJOHET TE RIKTHEN NE CADRA, GREVISTET REFUZOJNE SPITALIN
Ora 19:25 Skënder Tufa u shpreh se mënyra me të cilën qeveria do t’i japë fund grevës është duke i çuar drejt vdekjes ish të përndjekurit politik, të cilët për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore dërgohen në spital e nuk lejohen më t’i rikthehen grevës. Tufa iu referua rastit të grevistit Fatmir Lamaj, i cili pasi mori dy ditë mjekim në Qendrën Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”, gjatë tentativës së sotme për t’iu rikthyer grevës, u ndalua nga forcat e policisë. Lamaj pësoi atak kardiak menjëherë pasi u njoftua për vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila e shpalli të paligjshme grevën e urisë së ish të përndjekurve politik. “Vazhdon një gjendje e rëndë shëndetësore, sidomos për Ramazan Spahiun, e Agim Kollçakun, të cilët kanë refuzuar mjekimin, sepse nëse shkojnë në spital ata nuk do të lejohen të kthehen më në çadër siç ndodhi me Fatmir Lamaj”, u shpreh koordinatori i grevës, Skënder Tufa.

KRESHNIK SPAHIU: BERISHA CNJEREZOR, TE LARGOHET E TE BURGOSET
Ora 16: 35 Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu në një deklaratë për mediat dhënë pranë çadrave te “Komuna e Parisit” duke iu referuar gjendjes së grevës në ditën e 27 të saj, tha se Kryeministri Berisha i ka kaluar kufijtë e çnjerëzores e për këtë arsye sipas tij ai duhet të largohet nga pushteti e të burgoset për krimet e tij. “Situata është shumë kritike, tashmë ka ardhur fundi i logjikës, i politikës, i dialogut, i komunikimit, janë kaluar kufijtë e anës çnjerëzore. Aleanca KuqeZi nuk e njeh Berishën për kryeministër, ai ka humbur vlerat njerëzore sepse sillet ë mënyrë çnjerëzore. Procesi i integrimit sa vjen dhe kushtëzohet, statusi dhe shoqëria duhet të kenë prioritet largimin e Berishës nga pushteti, daljen në pension dhe vënien para drejtësisë, ai duhet të dënohet me burgim për krimet që i shtohen dita ditës në veprimet çnjerëzore që ai kryen.”, u shpreh Spahiu. Spahiu nënvizoi faktin se ishte vetë diplomacia amerikane ajo që i kërkoi Berishës të dialogojë për të gjetur zgjidhje ose ndryshe të largohej. “Ata po e vënë në provë nëse është burrë shteti apo burracak. Testi është të japë dorëheqjen, përndryshe largimi i tij nga pushteti do të jetë fatal.”, u shpreh kreu i AK-së. Në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës për shpërndarjen e grevës, Spahiu tha se “ është vendim arbitrar, akt terrorist, nuk mundet shteti dhe qeveria të ndaloje një komunitet të mos pinë hanë e vdesin, është liri dhe e drejtë themelore e tyre, nuk mundet publiku të shoh këtë telenovelë tragjike historia e së cilës duhet të marrë fund.”

POLICIA PENGON GREVISTIN LAMAJ TE KTHEHET NE CADER

Ora 14: 45 Grevisti Fatmir Lamaj nuk lejojet të rifutet në grevë. Policia pengon grevistin i cili dje u dërgua në spital pas probleme me zemrën. Fatmir Lamaj pësoi një goditje në zemër pak minuta pasi Gjykata e Tiranës mori dje vendimin për shpërndarjen e grevës. Sot në mesditë Lamaj kishte lënë spitalin dhe ishte larguar pa ambulancë pasi mjekët i kishin thënë se nuk kishte për të. Për Lamajn qeveria po përdor jo metodën e dhunës, por të pritjes, pasi grevistët e moshuar nuk do të mund të qëndrojnë më dhe do të shkojnë në spital. Më pas policia nuk do të lejojë më të kthehen.
“Një personel i spitalit më tha ambulancë për ty nuk ka. Hodha firmën vete me dëshirë. Po kërkojnë që këtë grevë ta cojnë drejt fundit. Jehona e kësaj greve nuk do të shuhet kurrë, do të mbetet muzika funebre që do të shënojë fundin e pushtetit berishian. I lutem shokëve që për çdo ndërhyje të policisë për të zbatuar vendimin e gjykatës, të mos përplasen me policinë, por është vetë kryeministri me gjykatën. Gjykatat kanë kohë që kanë varrosur vetë pavarësinë. Shokët të më kuptojnë se nuk është se nuk dua unë tju bashkohem por është shteti. Edhe nëse policia nuk ndërhyn me forcë ata njerëz nuk mund të rezistojnë përgjithmonë. Do të shkojnë në spital dhe policia nuk do t’i lejojë më të futen. Ata njerëz janë në limitet e fundit.
Ne e fituam betejën. Përjetësisht humbi ai që po përdor këto forma. Greva nuk mbyllet por do ta shuajë pushteti”- tha Fatmir Lamaj

AGIM KOLLCAKU: BERISHE HAJDE TE NEGOCIOJME, OSE DO VDESIM

Ora 14: 40 Grevisti Agim Kollcaku tha : Ne jemi demokratë. Hajde të negociojmë. Jemi për bukën e gojës. Të na japë atë që na takon, se ne nga këtu nuk do të dalim të gjallë. Të gjithë do të vdesim këtu. Më mirë vdekur se gjallë. S’kemi ku të shkojmë. Ju lutem. Kemi dy pleq që janë duke vdekur por na ka dhënë zoti fuqi. Do sakrifikojmë çdo gjë për të drejtën tonë.”

LAVDOSH BEQO: NUK DAL I GJALLE NGA GREVA
Ora 14: 31
Grevisti Lavdosh Beqo thotë se nuk do të dalë nga greva deri në vdekje pasi po mbron një kauzë të drejtë. Ai thotë se po jetojnë në një terror ku po i pengohen dhe ilaçet. 
”Unë besova fjalën e kryeministrit kur tha se nuk do të na nxjerrë nga greva. E besova jo se ishte kryeministër por si fjalë e malësorit. Na vjen me një copë letre (vendimi i gjykatës së Tiranës) . Këto janë metoda të vjetra. Të gjitha vendimet Enver Hoxha i jepte me gojë. Kështu po bën dhe ai. E jep vendimin me gojë dhe ikën. Nuk e kuptoj ka 2 shtete këtu. Në këtë grevë e në shumë raste të tjera, grupet politike po na shfrytëzojnë për shoë politik. Mua sot policia më ka ndaluar dhe ilaçin. Më çudit që në kryepolic nuk di ligjin. Ne kemi pasur një Pjetër Koka, një “rrapi” që se njihte ligjin, por kur e kujtonin, hop tërhiqeshin. Unë i thashë merre ilaçin çoje në laborator dhe vërtetoje se sësjhytë ilaç
Unë nuk jam aq budalla. Nuk dal nga këtu të shkoj në spita. Unë nuk jam për para këtu, jam për kauzën. Gjithë ky popull i jep 30 mijë lekë asistenvë. Nuk na nxjerrin me forcë, por me mashtrim. Ata i llogarisin, ditët, kanë bërë 27 ditë do të rrinë dhe 5 ditë dhe më pas do shkojnë në spital. Unë po ju them megjithëse jam 81 vjeç, nuk do dal nga geva. Do jem i fundit në këtë grevë, dhe ndoshta do të dal jo i gjallë. “

SPAHIU: TAKIM ME QEVERINE OSE NUK DALIM NGA GREVA
Ora 14: 00
Grevisti Ramazan Spahiu: “Nuk kërkojmë më shumë se zbatimin e ligjit. Pse mazhoranca nuk pranon takimin, apo e ndjen fajin për këtë klasë që ka lënë 22 vjet të rrënuar. Koha vërteoi se ligji që u bë është mashtrim e gënjeshtër. Duam një pension që na takon. Pse s’na japim dëmshpërblimin, cfarë kërkojnë të vdesim të gjithë. Në këtë grevë ka persona që skanë marrë asnjë këst, lëre çfarë thonë. Më vjen keq që shoqëria nuk na përkrahi, e politika justifikohet me fatura boshe. Ne duam takim me përfaqësuesit e qeverisë. Ne nuk dalim nga greva. Ne nuk humbim asgjë më. I kemi humbur të gjitha. Brenda 2013 të hapen “

Ora 14:00
Koordinatori i grevës Skënder Tufa thotë se grevistët dhe ish të përndjekurit po përballen me një terror psikologjik dhe madje paralajmëron se mund të arrestohet dhe ai si kolegu i tij Asllan Patrioti.
“Ne kërkojmë përkrahjen e opozitës, sepse gjëndja e këtyre njerëzve nuk pret. Duam zgjidhjen e menjëhershme. Duam, ndihmë nga partitë e opozitës të përkrahin. Policia si ajo e diktaturës po vepron kundër nesh që jemi jashtë grevës. Kemi persekutime psikologjike. Po jetojmë në një terror psikologjik. Nga momenti në moment mund të arrestohem dhe unë. Patrioti të lirohet, sepse arrestimi i tij është arrestim i pastër politik.”


PROTESTE PARA PARLAMENTIT

Ora 11:00
Ndërkohë që ish të përndjekurit politik të mbështetur nga përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan sot në orën 10: 00 protestën e radhës para Parlamenitit. Kryetari i Shoqatës së Minatorëve,Fiqiri Cibri bëri thirrje dhe një herë që të gjithë qytetarët t'i bashkangjiten protestave. Ndërkohë që Tufa kërkoi lirimin e Asllan Patriotit dhe ngulmoi se greva ishte e karakterit ekonomik dhe jo politik.

KALOJNE NATEN NEN TERROR
Ora 07:00 
Një natë plot me tension, presion psikologjik, deklarata se do të hedhin short se kush do të vetëflijohet, nëse do të ketë ndonjë tentativë për t'i nxjerrë me dhunë, kërcënime nga persona të veshur civilë, (siç deklarojnë vetë ish të burgosurit politik) deri në arrestime. Është panorama e orëve të natës në çadrën ku 7 ish të përndjekur politik vazhdojnë gervën e urisë, që prej 27 ditësh, të vendosur në zonën periferike në lagjen “Komuna e Parisit”.

Paraditen e djeshme Gjykata e Tiranës kishte vendosur shpërndarjen e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë duke lënë afat deri në orën 24:00 të së mërkurës (17 tetor) shpërndarjen vetë të saj, në të të kundërt do të ndërhynte policia. Kjo shkaktoi indinjatë dhe reagimin tepër të madh të ish të përndjekurve politikë duke deklaruar se nuk do të dalin nga greva për asnjë lloj arsye dhe madje do të hidhnin short se kush do të vetëflijohet, nëse do të kishte ndonjë tentativë për t'i nxjerrë me dhunë.

“Nata e mbrëmshme ka qenë tepër e tensionuar. Pritëm të zbatohej vendimi i gjykatës, por s’u bë. Ne kemi pasur ndihmën e përkrahjen e mikut tonë, ambasadorin Arvizu të cilin dua ta falënderoj në emër të të përndjekurve dhe në emër të demokracisë, e cila mbrëmë pati kthesën kulminante. Nuk u zbatua vendimi i gjykatës. Ne ndjekim nëpërmjet medias Arvizu dhe KE, dhe kemi marrë një mesazh që thotë ruani qetësinë e kërkoni dialog. Siç udhëzon, nëpërmjet medias, Arvizu, (nuk e kemi kontaktuar drejtëpërdrejtë, por nëpërmjet medias) ne kërkojmë vetëm dialog. Veprimeve ekstreme të qeverisë do t’i përgjigjemi me ato veprime që patë ju për letrën me vrimë. Nëse do të prekej në atë grevë, letra me vrimë do të bëhej realitet. Do të vihej në veprim. Nuk është kërcënim por veprim”- tha Skënder Tufa në një prononcim për TV A1 Report sot në mëngjes rreth orës 09:00. Një orë më vonë, rreth orës 10:00 pritet të zhvillohet protesta e radhës para Parlamentit.

HESHTJA E PRESIDENTIT

Deri ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë negociatë nga ana e qeverisë përkundër ka nxjerrë një urdhër gjykate që greva është e jashtëligjshme. Asnjë nga institucionet shtetërore nuk folur duke u bërë memecë. As presidenti i Republikës, i cili pak ditë më parë zhvilloi një takim me ish të përndjekurit nuk ka dhënë asnjë reagim, që prej asaj deklarate me shkrim që u publikua nga zyra e shtypit menjëherë pas takimit, ku i bënte apel të mos vetëflijohen dhe të shmangin përdorimin politik. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, doli sërish dje në një konferencë për shtyp për të përsëritur akuzat ndaj Edi Ramës dhe Skënder Tufës.

Motoja tashmë e njohur e kryetarit të Partisë Socialiste z. Edi Rama: “Të bashkohemi me të gjitha fundërrinat kundra mazhorancës aktuale”, solli si
produkt të ri aleancën e Edi Ramës me Skënder Tufën, kriminelin e liruar pasi kreu dënimin me 7 vjet burg për trafiqe njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni dhe të cilit z.Rama i ka besuar menaxhimin e grevës së tij private. Ndërkohë që opozita vazhdon t’i bëj apel qeverisë për negociata.

DEKLARATA E DJESHME PER SHORTIN E VDEKJES
"
Do të vetëflijohen sipas shortit të vdekjes, por nuk do të dalin nga greva". “Do hedhim shortin me letër me vrimë, do vetëflijohemi sipas shortit”, tha ish i burgosuri politik Afrim Biturku duke shtuar se do të ndjekin shembullin e Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos duke djegur trupin me benzinë. Ai akuzon edhe Avokatin e Popullit, Igli Totozani, si "avokat të politikës dhe jo të popullit". 
(Në foto Afrim Biturku duke treguar letrën me vrimë të zezë ku do hidhej shorti për t'u vetëfljuar)

(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë