Edhe 16 qytetarë, ish-pronarë, trashëgimtarë të tyre apo përfaqësues me prokurë, do të përfitojnë gati 3 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, në kuadër të kompensimit financiar, të parashikuar me ligj. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përfunduar njëkohësisht edhe procesin e shqyrtimit të disa aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçanta, të paraqitura nga subjektet e interesuara ish-pronarë, të cilët diponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur subjekteve të shpronësuar të drejtën e kompensimit të pronës. Kërkesa e veçantë ka të bëjë me faktin se kërkuesit pranojnë një pagesë të reduktuar nga ajo që u takon, me kusht që ta marrin fondin sa më shpejt.
Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi i 16 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, për të cilat ATP ka miratuar pranimin e tyre, pasi, nga shqyrtimi, ka rezultuar se janë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në ligjin për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave.
Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të këtyre 16 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 372.622.316,96 lekë, nga të cilat 114.348.683,55 lekë do të lëvrohen menjëherë.
Nga përfundimi i trajtimit të këtyre kërkesave të veçanta për kompensim financiar, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një vlerë prej 683.384.163,44 lekë.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.
(Listën e plotë e gjeni në Shqiptarja.com/Print)