Ministria e Bujqësisë e ka përfunduar udhëzimi që i hap rrugën aplikimeve për skemën kombëtare të bujqësisë. Pas më shumë se një muaj në pritje, Report Tv mëson se aplikimet do të hapen me 20 maj të këtij viti.

Aplikimet do të kryhen online, por fermerët do të mund të marrin asistencë pranë zyrave të Agropikave në të gjithë vendin, dhe ta kryejnë aplikimin për të marrë financim edhe fizikisht.

Skema e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekë synon financimin edhe të fermave të vogla. Me skemën e re është përgjysmuar numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor për të përfituar. 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.

Për herë të parë financimi do ketë edhe për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, financimi dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere, nga 50 koshere që ka qenë detyrimi deri në vitin e kaluar.

Fokus të shtuar në skemën e re kombëtare do të ketë edhe mbrojtja biologjike në bujqësi, pra që në vend të pesticideve të përdoren insekte për të luftuar dëmtuesit e bimëve.

Për kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve, masa e përfitimit është 70% e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 40 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit. Në skemën e vjetshme kjo skemë ishte deri në 50% të faturave me vlerë 30 mijë lekë për dynym.

Risi është edhe financimi i të rinjve që do të investojnë në ferma bujqësore dhe blegtorale pasi do të mund të marrin deri 70% të vlerës së investimit, por jo më shumë se 1 milionë lekë.

Skema e re hoqi naftën pa taksa. Fermerët nuk do të përfitojnë më naftë me çmim të reduktuar, pasi Ministria e Bujqësisë vlerësoi se kjo skemë nuk ka funksionuar plotësisht, dhe ka pasur abuzime.

Ndërkohë fermerët duhet të marrin faturë nga grumbulluesit apo agroturizmat kur u shesin produktet, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi me 10% që do të nisë më 1 korrik.