Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se 85 të rinj janë pranuar këtë vit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet e varësisë, në kuadër të thirrjes së 11-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Gjatë praktikës, të rinjtë do të përfitojnë kompensim financiar, trajnim nga ASPA dhe mundësinë për të fituar eksperiencën e parë profesionale në fushën ku kanë përfunduar studimet.

“Është një lajm i mirë për të rinjtë që duan ta nisin rrugëtimin e tyre profesional pranë institucioneve publike. Përmes kësaj eksperience, ata kanë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të njohin nga afër punën në sektorin e bujqësisë”, u shpreh Ministri Salla.

Në tetë vitet e fundit, 441 të rinj kanë kryer praktikën 3-mujore pranë Ministrisë dhe institucioneve të varësisë, ndërsa 132 prej tyre janë punësuar me kontratë 1-vjeçare, bazuar në performancën e tyre dhe nevojat e institucioneve.

Pas përfundimit të kësaj kontrate, një pjesë e të rinjve, falë përvojës së fituar dhe angazhimit për të kontribuar në zhvillimin e sektorit bujqësor, kanë vijuar marrëdhëniet e punës në pozicione të rregullta në shërbimin civil.

“Shumë suksese për të gjithë të rinjtë që na janë bashkuar këtë vit”, përfundoi Ministri Salla.