Ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha ka reaguar pasi Kosova nënshkroi dokumentin e aplikimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Përmes një postimi në “Twitter”, Basha shkruan se aplikimi i Kosovës për anëtarësimin në BE është një hap histori për qytetarët e saj dhe mbarë rajonin.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian është një hap historik për qytetarët e saj dhe mbarë rajonin. Europa do të jetë e plotë, më e sigurtë dhe e begatë, me Kosovën dhe gjithë vendet e BP pjesë të saj. Koha për të parë drejt së ardhmes. Suksese Kosovë”, shkruan Basha.
Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dorëzoi në Pragë zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar 15 dhjetori si një ditë historike për popullin e Kosovës dhe demokracinë në Evropë.
Kjo datë përkoi me paralajmërimin e Vuçiç se do t'i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër duke u shprehur se përpos kërkesës ndaj NATO-s për dërgimin e 1 mijë trupave do kërkojnë tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shtete të tjera.