Kurti dorëzon në Pragë aplikimin e Kosovës për anëtarësimin në BE: Ditë historike! Vuçiç: Veç kërkesës nga NATO për 1 mijë trupa, do kërkojmë tërheqjen e njohjes nga shumë shtete

KOSOVË- Ditën e sotme, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti udhëtoi drejt Pragës me një aplikim të firmosur nga presidentja e kryetari i parlamentit për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Kjo datë përkon me paralajmërimin e Vuçiç se do t'i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër duke u shprehur se përpos kërkesës ndaj NATO-s për dërgimin e 1 mijë trupave do kërkojnë tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shtete të tjera.

 Serbia pritet të mbajë një seancën e qeverisë mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00, në të cilën do të miratohet kërkesa e Beogradit për të kërkuar kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ndryshe dje krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

Ndërkohë ndërkombëtarët kanë theksuar se nuk arrihej asgjë ushtarakisht, por duhej që Serbia dhe Kosova të uleshin në tryezën e dialogut. Ambasadori amerikan në Beograd tha se Serboia kishte të drejtë të bënte kërkesë për futjen e trupave serbe në Kosovë por shtoi se duhej një zgjidhje politike. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:18
Von Cramon: Integrimi i Kosovës në BE varet edhe nga dialogu me Serbinë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është hap i rëndësishëm, por shtoi se integrimi në bllok varet edhe nga dialogu me Serbinë.

“Është thelbësore që gjithë Ballkani Perëndimor të futet në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ajo në Twitter.

Ora 19:52
Deputeti i PDK: Në veri të Kosovës bandat kriminale kanë një depo armësh, NATO të ndërhyjë për ta shkatërruar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se ka informacione mbi një depo armatimesh në veri të Kosovës e cila lidhet me një bandë kriminale që e ka aktivitetin kryesor në Zubin Potok.

Sipas deklaratës së tij për mediat e Kosovës, depoja e armëve ndodhet pranë një pompe të benzinës. Ai ka bërë thirrje që NATO ose policia e Kosovës të ndërhyjë për ta shkatërruar.

“Le të shkojnë në veri, në Zubin Potok, në një pompë të benzinës që quhet “Tab”, dhe ngjitur me të këto banda e kanë depon e armëve, le të shkojnë t’ua marrin. Ato banda tani janë vendosur. Kam informacione se ato aty veprojnë. Nëse jo policia e Kosovës, atëhëhere NATO duhet të shkojë e ta shkatërrojë atë bandë” – tha ai.

Ora 17:20
Kryeministri kroat uron Kosovën për aplikimin për anëtarësim në BE: Keni mbështetjen e Kroacisë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, është ndër liderët e parë të vendeve të BE-së, i cili ka uruar Kosovën për dorëzimin e kërkesës formale për anëtarësim në BE.

Nga Brukseli, ku sot po mbahet samiti i liderëve të shteteve anëtare të bllokut, ka përshëndetur këtë hap që ka bërë Kosova, dhe ka premtuar ndihmë nga përvoja që ka pasur Kroacia në rrugën drejt anëtarësimit.

“Përshëndesim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i urojmë shumë sukses në udhëtimin evropian. Do të vazhdojmë t’i japim mbështetje dhe do t’ia ofrojmë përvojën tonë kroate. Urime kryeministrit, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani”, ka shkruar ai në Twitter.

Ora 15:54
Ambasadori amerikan në Beograd: Serbia ka të drejtë ligjore të kërkojë futjen e ushtrisë në Kosovë

1666200522_hill.JPG

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, e ka konsideruar si të ligjshme kërkesën e Serbisë ndaj KFOR-it për Rezolutën 1244 që ushtria serbë të kthehet në Kosovë. Por ai theksoi se ishte e nevojshme një zgjidhje politike dhe jo ushtarake.

“Kjo është çështje që mbetet politike, dhe prandaj kërkon zgjidhje politike. Unë nuk shoh mundësi të një zgjidhjeje ushtarake,” – u shpreh Hill.

Mes të tjerash, ai përmendi edhe nevojën e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Dhe që njerëzit që jetojnë atje (në Kosovë) të mund të kenë pritshmëri të qarta se si do të jetë jeta e tyre në të ardhshmen, kjo mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe,” – shtoi ambasadori.

Ora 15:25
Osmani pret në takim ambasadorin amerikan, flasin për aplikimin e Kosovës në BE dhe situatën në veri

1671114431_osmani.GIF

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në veri të vendit dhe aplikimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 “Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit e në veçanti rreth dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani theksoi se ky përbën një hap të rëndësishëm për përmbushjen e vizionit të Kosovës për integrim në strukturat euroatlantike.” – është shkruar në facebook-un e saj.

Në fund, është bërë e ditur se kanë diskutuar edhe për zhvillimet në veri të vendit.

“Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet në veri të vendit. Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës për koordinim të rregullt e të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.” – ka thënë ajo.

Ora 14:36
Vuçiç: Me aplikimin në BE, Kosova shkeli Marrëveshjen e Uashingtonit! Veç kërkesës nga NATO për 1 mijë trupa, do kërkojmë tërheqjen e njohjes nga shumë shtete

1671111419_vucic.GIF

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkel Marrëveshjen e Brukselit.

“Ne do t’u përgjigjemi të gjitha këtyre sonte, pas mbledhjes së Qeverisë. Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete”, tha Vuçiq për gazetarët më 15 dhjetor, gjatë një vizite në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë.

Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës i referohet Vuçiqit, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë memorandumin.

Vuçiç tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE-së.

“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.

Ora 13:24
Kurti dorëzon aplikimin për anëtarësimin në BE në Pragë: Ditë historike për popullin e Kosovës

1671107136_rirjdhd.GIF

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dorëzuar aplikimin në Republikën Çeke - vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.

Ceremonia është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë çeke në Pragë, ndërsa aplikimin Kurti ia ka dorëzuar ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulash Bek.

Kryeministri Albin Kurti, në konferencën për media para dorëzimit të aplikimit, e quajti “ditë të jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë”.

“Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim”, deklaroi Kurti.

Ai, gjithashtu, tha se është i vetëdijshëm që rruga për në BE bazohet në merita vetanake të shtetit.

“Nuk kërkojmë derë anësore ose procedurë të shpejtë për hyrje në BE”, tha ai.

Ora 13:17
Varhelyi mirëpret marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën

1671106704_w57533735800x450.jpg

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, përmes një njoftimi në Twiter e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për liberalizmin e vizave për Kosovën, në mes të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

“E mirëpres marrëveshjen për marrëveshjen për liberalizimit të vizave për Kosovën. Puna jonë e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar solli rezultate të prekshme në terren. BE qëndron në krah të njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi.

Ora 12:05
Borrell flet për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë: Në samit do flitet edhe për veriun

1671102378_49448596605.jpg

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell tha se sot në samitin në Bruksel liderët e BE-së do të njoftohen për tensionet në Kosovë.

Sipas mediave serbe, Borrell tha se tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës kanë shqetësuar të gjithë liderët e BE dhe ndaj Lajçak udhëtoi drejt Prishtinës dhe Beogradit.

“Ju e dini që ditët e fundit kemi pasur shumë tensione në veri të Kosovës. Përfaqësuesin tonë special Miroslav Lajçak e dërgova në Prishtinë dhe Beograd. Njihuni me liderët për situatën dhe përpiquni të qetësoni situatën dhe t'i ktheheni dialogut. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Borrell para takimit të sotëm.

Ai theksoi se është me rëndësi absolute që të ndalen trazirat, të thyhen barrikadat, të kthehet qetësia dhe diskutimi, siç theksoi ai, për propozimin që kemi vënë në tryezë për të gjetur një zgjidhje të përhershme dhe koherente. për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell njoftoi gjithashtu se liderët pritet të konfirmojnë statusin e kandidatit të Bosnjë-Hercegovinës.

"Kjo duhet të jetë një mundësi e mirë për liderët e BiH që të punojnë në reforma", tha Borrell dhe shtoi se ky është një hap shumë i rëndësishëm për BiH dhe gjithë rajonin.

Liderët e BE-së do të takohen sot në Bruksel, ku do të diskutojnë për luftën në Ukrainë, çështjet që lidhen me energjinë dhe ekonominë, sigurinë, mbrojtjen dhe marrëdhëniet me jashtë.

Ora 11:11
Asambleja Parlamentare e NATO-s e prerë: Të hiqen menjëherë barrikadat në veri të Kosovës

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka kërkuar heqjen e menjëhershme të barrikadave në Veri tgë Kosovës. Kryetarja e Asamblesë Garriaud-Maylam ka shprehur shqetësimin e saj për këto zhvillime që kanë ndodhur në Mitrovicën e Veriut, ku ka thënë se kërcënimet dhe sulmet nga individë të armatosur janë të papranueshme.

 “Jam thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Kërcënimet dhe aktet e përsëritura të frikësimit dhe dhunës nga individë të armatosur, përfshirë sulmin e kësaj fundjave ndaj një patrullimi zbulues të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë) janë të papranueshme. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. Barrikadat e ngritura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, është shprehur ajo.

Ora 11:10
Politikania serbe ndalohet në Merdare: Policia serbe nuk më lejon të kaloj kufirin

1671099066_politikania.GIF

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka thënë se policia serbe nuk e ka lejuar që të futet në Kosovë në pikën kufitare në Merdare.

Trajkoviq në Twitter ka thënë nuk lejuar që të futet në Kosovë pa shpejgim.

Ajo ka thënë se në Kosovë po vinte që të takohej me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe me zyrën greke.

 “Për të sqaruar, policia serbe nuk më lejon të kaloj kufirin. Sapo më ndaluan në vendkalimin Merdare. Jam i përjashtuar nga trafiku dhe pa shpjegim nuk më lejohet të hyj në Kosovë. Jam rrugës për t'u takuar me përfaqësuesit e zyrës greke në KS dhe ambasadën amerikane. Unë kërkoj lirinë e lëvizjes”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ora 10:40
Serbia kërkesë NATO-s për vendosjen e 1 mijë trupave, Osmani: Pretendime territoriale, do përballen me drejtësinë

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “ideja hegjemoniste” e Serbisë për vendosjen e trupave në Kosovë, ka marrë fund më 12 qershor 1999, ditën kur kanë hyrë në Kosovë trupat paqeruajtëse të NATO-s.

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, “vazhdon të jetë sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë”.

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucione për sundim të ligjit.

“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit dhe frikësimit të qytetarët”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që sipas saj do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Fjalimi vjetor i Osmanit vjen në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t'i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

Ora 10:34
Kritika e premtime: Çfarë kishte thënë presidentja Osmani në fjalimin e vitit të kaluar

1671096987_vjosaaa.GIF

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit. Fjalimi i saj fillon sot në ora 09:30. Osmani ka thënë se është e gatshme që t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës. Por të rikujtojmë pikat kryesore të fjalimit të saj vitin e kaluar.

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor të saj gjatë viti të kaluar kishte folur për disa tema. Pandemia, dialogu, politika e jashtme, sundimi i ligjit, dhuna ndaj grave, komunitetet e të tjera, ishin disa nga pikat kyçe të fjalimit të saj të vitit 2021. Ajo kishte kritikuar qeveritë e kaluara ndërsa kishte pasur edhe disa premtime.

Vjosa Osmani me 17 dhjetor 2021 në fjalimi e saj vjetor të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kishte folur edhe për dialogun me Serbinë. Osmani pati thënë se nuk do të lejojë që dialogu për arritjen e marrëveshjes me Serbinë të bëhet dialog që diskutohet për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm dhe për rendin kushtetues të Kosovës. Sipas Osmani, Kosova do të vazhdojë të ketë rol konstruktiv në dialog teksa kishte thënë se Serbia duhet të heq dorë nga tendenca destabilizues dhe politika agresive ndaj fqinjëve.

“Dialogu nuk është dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që të shndërrohet në dialog për statusin, për territorin, për funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të vendit tonë. Idetë që kishin për synim ndarjet territoriale në vija etnike dhe aventurat e tjera të rrezikshme nuk do të përsëriten më në vendin tonë.”

“Dialogu mund të ketë sukses nëse përmbyllet duke pasur në qendër të vetmen zgjidhje e cila sjellë paqe në rajon, e ajo është njohja reciproke, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës sonë, si dhe të drejtat dhe interesat e qytetarëve tanë”

Pavarësisht se nuk u pa gjatë këtij viti ndonjë rezultat i madh në politikë të Jashtme, presidentja Osmani kishte thënë fjalë të mëdha në fjalimin e saj. Ajo kishte folur për vizitat e saj që kishte pasur në disa shtete dhe për pjesëmarrje në samite të ndryshme.

“Kosova mbetet projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshmi i politikës së jashtme amerikane”, kishtë thënë ajo, teksa javëve të fundit nuk është se u përfillën shumë kërkesat e Amerikës.

Më tej, ajo kishte kritikuar edhe Marrëveshjen e Washingtonit, konktretisht pikën për moratorium njëvjeçar.

"Duke aplikuar një politike të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitet in tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike, por edhe ishin fikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët e tanë”, pati thënë ajo./Nacionale

Ora 10:29
Kosova një hap drejt BE-së, Osmani: Sovraniteti i vendit tonë, i pacenueshëm! Aleancën e shenjtë me SHBA duhet ta ruajmë përjetësisht

1671097236_dddd.GIF

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalën e saj në Parlament. Ajo u shpreh se pavarësia e vendit është e pa mohueshme pasi është e mbrojtur me gjak.

Osmani bëri me dije se politika e jashtme e ndjekur nga Kosova është mëse e duhura për të plotësuar misionin e saj në arenën ndërkombëtare.

"Pavarësisht sfidave sovraniteti i vendit tonë do mbetet i shenjtë, e integriteti i pacenueshëm. pavarësia jonë është e ndërtuar me gjak e themelet janë të padepërtueshme. E në ato themele janë heronjtë tanë.

Dje nënshkruam aplikimin për BE, sot i dorëzohet presidencës Çeke që gjej rastin ta falenderoj për mbështetjen.

Duke synuar përfaqësim e prezencë të Kosovës në arenën ndërkombëtare vetëm gjatë këtij viti nga 44  krerë shtetesh, udhëheqës të Organizata ndërkombëtare, etj. (...)

Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë, ne ja dolëm sepse kauza jonë ishte dhe është e drejtë. Aleancën me SHBA duhet ta konsiderojmë të shenjtë a duhet ta ruajmë përjetësisht.

Kosova s'ka politikë të jashtme thonë ca zëra, Kosova ka më shumë se kurrë politikë të jashtme. Ua them unë çfarë s'ka Kosova: Lobim nga vendet e tjera, flirte me Beogradit me Moskën, krahasimin e vendit tonë me Krimenë. Po ndërtojmë një Kosovë lidere, të denjë për misionet paqeruajtëse. Një Kosovë që u shndërrua në faktor të rëndësishëm ndërkombëtar."- tha Vjosa Osmani.

G.MO/B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vizat: 16/12/2022 00:42

    Serbise duhet ti rikthehen vizat ! Nese nuk bëhet me perendimin dhe me ukrahinen ndaj sanksioneve ruse

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033