Festa e përgatitur me shumë përkushtim nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nis që në orën 09.00 të mëngjesit nga dj të përzgjedhur të cilët do të luajnë muzikë për të gjitha grupmoshat e pranishme, kjo pasi skenat do të jenë disa dhe do të vendosen në pika të ndryshme të Parkut të Liqenit.
 
Më të apasionuarit pas sporteve do të mund të shohin performaca nga varkat me vela, dhe kanotazhi, por gjithashtu dhe një koreografi balonash nga profesionistët e aeronautikës.
 
Më të vegjlit do t’i japin hare kësaj dite me anë të një parade karnavalesh, ku nxënës të shkollave të ndryshme 9-vjeçare por edhe te shkollave të mesme të Tiranës, do të shprehin krijimtarinë dhe fantazinë me kostume dhe maska të zgjedhur nga vetë ata. Parada e karnavaleve do të nisë nga Diga dhe do të vazhdojë përgjatë saj.
 
Një vend të veçantë do të ketë dhe krijimtaria artistike dhe kësaj here nga ata që shumë shpejt do të mund të përfaqësojnë talentin shqiptar, edhe jashtë vendit. Këndi i piktorëve, orkestra e harqeve e shkollës “Servete Maçi” si dhe një panair i vogël me krijimet e tyre, do të jenë vetëm disa nga aktivitetet ku të rinjtë përfshihen.
 
Një kënd lojërash është menduar dhe për më të vegjlit të cilët do të kenë hapësirën e tyre për të qenë pjesëmarrës në këtë festë duke e shijuar atë, për këtë janë menduar dhe dekore të përshtatshme dhe shumëngjyrëshe për të krijuar një ambient sa më të gëzueshëm për ‘ta.
 
Vajzat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit kanë përgatitur gjithashtu veroret, shenja simbolike të ditës së verës, të cilat këtë herë do të kenë ngjyrat e simboleve të APR-së, dhe do i dhurojnë për të pranishmit.
 
Për herë të parë, pikërisht për të festuar së bashku, do të organizohet dhe Festivali i dansit të fëmijëve, si dhe do të ketë një koncert të përgatitur nga Shkolla e Mesme e Baletit.

Redaksia online
Shqiptarja.com