Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka theksuar se skuadra madrilene nuk duhet të ndihet inferiore ndaj Manchester Cityt, edhe pse do të mungojë ylli francez Kylian Mbappe në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ave në Champions League.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes që do të zhvillohet sot në orën 21:00 në 'Bernabeu', Arbeloa u shpreh se identiteti dhe historia e klubit madrilen e bëjnë skuadrën të mos ndihet kurrë më e dobët se kundërshtarët.

“Ne jemi Real Madridi dhe nuk mendoj se ndihemi ndonjëherë inferiorë ndaj askujt, pavarësisht rrethanave apo kundërshtarit që kemi përballë”, deklaroi ai.

Real Madridi do të përballet me një kundërshtar të njohur, të drejtuar nga trajneri Pep Guardiola, për të cilin Arbeloa tha se shpesh sjell surpriza taktike në ndeshje të tilla.

Përveç Mbappe, i cili po rikuperohet nga një dëmtim në gju, madrilenët kanë edhe disa mungesa të rëndësishme si Jude Bellingham, Rodrygo, Eder Militao, David Alaba dhe Dani Ceballos.

Në mungesë të tyre, sulmi i Real Madridit pritet të udhëhiqet nga Vinicius Junior, për të cilin Arbeloa theksoi se do të ketë një rol vendimtar.

“Na duhet më e mira nga ai nëse duam ta eliminojmë Cityn”, tha trajneri.

Sa i përket gjendjes së Mbappes, Arbeloa u shpreh optimist, duke theksuar se lojtari po përmirësohet çdo ditë dhe tashmë ka nisur të vrapojë në qendrën stërvitore të klubit. Aktivizimi i tij në ndeshjen e kthimit më 17 mars në 'Etihad' mbetet ende i pasigurt, pasi klubi po tregohet i kujdesshëm me rikuperimin e sulmuesit francez.


Lajmi kryesor:

Champions League/ 'Melodia' e kampionëve vijon sot me Real Madrid - Man. City dhe PSG - Chelsea! Arsenali luan në Leverkusen, Sportingu në acarin e Bodos