Arben Kallamata: Rama i '92 do
e komentonte ashpër Ramën e 2012

Arben Kallamata: Rama i '92 do <br />e komentonte ashpër Ramën e 2012
Në çkushte u zhvillua kjo intervistë e prillit 1992 mes Arben Kallamatës dhe Edi Ramës? Deri në ç’pikë u përfshi Rama në ndryshimet e -90-ës, ç’nënkuptonte ai me përcaktimin “politikë antipolitike”.... Shumë detaje ngacmuese dhe një portretizim i veçantë i Ramës artist e intelektual i atyre viteve së bahsku me një pyetje aktuale për Ramën e 2012, zbulohen si më poshtë në këtë intervistë me gazetarin Arben Kallamata

A ju duket pak profetike kjo interviste? Si në pyetjet tuaja por edhe në përgjigjet e Edi Ramës piktor trajtohen çështje, që po ndodhin sot, pas 20 vitesh? Apo mos ndoshta koha është ndalur në vend për shqiptarët?
Më tepër do të anoja nga a dyta - domethënë që gjërat, në thelb, kanë ecur shumë ngadalë. Politikanët kanë mbetur thuajse po aq të etur dhe të pangopur sa edhe 20 vjet të shkuara, ndonëse metodat e tyre janë stërholluar dhe zbukuruar. Sidoqoftë, nuk mund të jesh fare skeptik dhe të mos e pranosh se gjërat kanë ndryshuar. Forca politike dhe politikanë të sotëm as guxojnë t’i shkojnë në mend, aq më pak të dalin hapur në mbrojtje të gjërave për të cilët ata ulërinin dhe përbetoheshin para njëzet vjetëve. Pavarësisht nga interesat dhe praktikat e përfitimit sa më të madh dhe më të shpejtë, unë them se politikanët e sotëm kanë mësuar dhe vazhdojnë të mësojnë çdo ditë nga lidhjet e vazhdueshme me Europën dhe Perëndimin në përgjithësi.

Ju e pyesni për politikë një artist, e mandej kur e vendosni të mos flisni më për politikë, piktori vijon të flasë për politikë deri në fund të bisedës.... A e mendonit atëherë se ai njeri do të ishte një ditë lider i të majtës në Shqipëri?
Atëherë kur është kryer intervista vërtet nuk e mendoja. Dhe kjo për disa arsye. Në 1990-tën (ndoshta edhe qysh në gjysmën e dytë të 1989-tës) Edi Rama, bashkë me Ardian Klosin dhe të tjerë, u bënë shumë të njohur me “refleksionet” që organizonin në Institutin e Lartë të Arteve. Disa prisnin që ata të ishin aktivë edhe në organizimet politike që pasuan lëvizjen e Dhjetorit 1990-të, por kjo s’ndodhi. Unë, personalisht, nuk e kam dashur politikën dhe jam përpjekur t’i qëndroj sa më larg, prandaj edhe këtë mosangazhim të Ramës në atë kohë e kam parë me simpati. Unë isha i bindur se ai do të mbetej, siç e përcakton edhe vetë në intervistë “politikë antipolitike”, me një fjalë një kritik i përhershëm dhe i papajtueshëm me politikën. Me sa duket një rol i tillë është tepër i vështirë në Shqipëri dhe rrethana të caktuara të detyrojnë ta braktisësh lirinë dhe komoditetin etiko-moral që të jep ai, për t’iu përveshur gjërave vetë. Kthimi nga një individ i pavarur e me mendime të lira, në politikan të heq lirinë, të detyron t’i nënshtrohesh një disipline të caktuar, të kufizon veprimet. Në 1992 ishte e vështirë ta përfytyroje Edi Ramën në këtë rol. Por ajo që ishte edhe më e pamundur për t’u përfytyruar në atë kohë ishte që Rama të kthehej në udhëheqës të Partisë Socialiste. Kush i ka përjetuar nga pranë zhvillimet politike të viteve 1990-1992 në Shqipëri e di mirë që, në atë kohë Partia e Punës së Shqipërisë sapo kishte ndërruar emrin dhe shndërruar në Parti Socialiste. Ndërrimi i emrit u krye në një kongres të Partisë së Punës. Strukturat organizative, anëtarët e partisë dhe përkrahësit e saj mbetën po të njëjtët. Nuk pati asnjë ndryshim. Madje edhe celulat organizatave bazë të partisë vazhduan të vepronin për një kohë të gjatë - dhe ndoshta vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë, Edi Rama, për këdo që e ka ndjekur në vitet 1989 - 1992 ishte një nga zërat më të artikuluar për demaskimin e komunizmit dhe të Partisë së Punës, për ata që rinia e fillimit të viteve 1990të i quante “kasketat”. Për këto arsye unë në atë kohë nuk kisha asnjë mënyrë se si ta mendoja që do të vinte një ditë dhe Edi Rama do të bëhej kryetar i Partisë Socialiste dhe do të mbështetej edhe te votat e kasketave.

A mbani mend prapaskena nga ai takim, pra detaje që s’janë përfshirë në këtë intervistë të botuar? D.m.th. ku jeni takuar, si ishte veshur Rama piktor, si sillej, sa i sigurt ishte në përgjigje, sa meditativ...
Gjatë kohës që punoja në gazetën “Drita” kam pasur rastin të bashkëpunoj disa herë me Edi Ramën. Ishte modern dhe biseda me të të sillte kënaqësi intelektuale. Jemi takuar në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve. Të them të vërtetën, nuk i mbaj mend detajet e kësaj interviste, por më ka mbetur në kujtesë fakti që Edi Ramën ishte vështirë ta kapje. Me një fjalë, i kërkoje diçka për të cilën ai binte dakort, pastaj duhet t’i jepje këmbëve e të bridhje për ta gjetur përsëri që t’ia merrje. Është e pamundur të them se si vishej, pasi unë nuk ua ve shumë veshin veshjeve (aq më pak te burrat). Por mund të them që Rama ishte elegant dhe nuk mund të thuash se dukej si “piktor”, në kuptimin shabllon të fjalës. Domethënë, nuk mbante berete të zezë të shkarë pak anash, dhe as bluzë me vija paralele. Unë e kujtoj si një njeri me humor paksa të ndryshueshëm - herë ishte tepër i këndshëm, komunikues dhe i qeshur; herë tjetër ishte pak i ashpër, ndoshta arrogant. Gjithmonë i bindur që kishte të drejtë për ato që thoshte.

Nëse do ta intervistonit sot Edi Ramën, për çfarë çeëhtje do të interesoheshit?
Nëse do ta intervistoja sot Ramën unë do të isha kurreshtar të dija sa i kënaqur është ai me vetveten. Me një fjalë, a mendon ai se e ka kryer apo po e kryen rolin që mund dhe duhej të luante në zhvillimin e shoqërisë së sotme shqiptare. Kur Rama befasoi shumë njerëz me vendimin për t’iu futur politikes dhe, veçanërisht me kahun që zgjodhi për ta bërë këtë, unë mendova se po synonte emancipimin e një force politike që mbante me vete shumë bagazhe të dyshimta (për të qënë sa më i butë). Në këtë vështrim dalja e tij në politikë për mua ishte një zhvillim pozitiv, pasi u pa si një njeri që po merrte përsipër të pastronte diçka vërtet të vështirë për t’u pastruar. Natyrisht, që një politikan të vërë në jetë agjendën e vet, atij do t’i duhet të bëjë shumë kompromise, lëshime dhe marrëveshje të pakëndëshme, jo vetëm me ata që ka përreth, por edhe me vetveten. Pikërisht këtu qëndron edhe pyetja: sa i kanë hyrë në hak dhe sa e kanë mjegulluar lëshimet dhe kompromiset vizionin e tij fillestar. E thënë ndryshe, unë thjesht jam kurreshtar të di se si do ta komentonte Edi Rama i vitit 1992 Edi Ramën e vitit 2012. Duke pasur parasysh atë Edi Ramë që njoh unë, kam frikë se komenti do të ishte tepër ashpër.

(ap/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SKY ECC/ SPAK njoftim zyrtar për 21 masat e sigurisë mes tyre dhe për Suel Çelën

Zbërthimi i SKY ECC/ SPAK njoftim zyrtar për 21 masat e sigurisë mes tyre dhe për Suel Çelën