Arben Muça:Dhjetor 1990,ditët që
shenjuan fundit e regjimit komunist

Arben Muça:Dhjetor 1990,ditët që<br />shenjuan fundit e regjimit komunist<br>
Nga Arben MUÇA Ish Student i Akademise se Arteve

 

Ditët që shkruan historinë

 

Viti 1990 kishte filluar paksa më ndryshe nga vitet e tjera të mëparshme. Kishin ndodhur nëj varg ngjarjesh si 2 Korriku me mësymjen e Ambasadave (eksodi), dita kur bijtë e strehuar në ambasadat e huaja u lejuan të largoheshin nga Shqipëria, dëtët pasuese që u zotëruan nga një gjendje tensioni me shumë arrestime dhe burgosje të rinjsh që vinin në Tiranë, takimi i “famshëm” i intelektualëve në Gusht të po atij viti, etj. Këto ngjarje që kishin ndodhur brenda një periudhe të shkurtër dymujore, kishin tensionuar shumë gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të të gjithë shqiptarëve.

Vjeshta e atij viti të 1990-s në Qytetin Studenti dukej më e pazakontë nga vitet e tjera, e lagësht me shumë reshje shiu, si dhe për vetë faktin që godinat e reja që ishin përfunduar atë vit, ndonëse kishin lehtësuar kushtet e fjetjes për studentët e Arteve, Inxhinierive dhe atyre të Gjeologji Minierave, fatkeqësisht kushtet e rrugëve të pashtruara që të çonin nëpër këto godina ishin vërtetë mizerabël dhe pothuajse të pakalueshme me këmbë. Shpesh rrobat e lagura u thaheshin në trup, pasi edhe sistemi i ngrohjes së kaloriferëve me kaldaja nuk punonte fare, biles edhe uji i ngrohtë dhe dushet më shumë nuk punonin ose ishin me orar shumë të kufizuar kur viheshin në punë, pasi kaldaja ishte prishur apo edhe kur riparohej mungonte qymyri.

Në këto kushte kur filloi i ftohti në Nëntor, ishim të detyruar të ngroheshim dhe thaheshim, apo edhe te laheshim duke ngrohur ujin me furnella me vajguri (edhe vajguri nuk gjendej lehtë) dhe detyrimisht përdornim furnellat me korent.

Furnellat i përdonim edhe për të gatuar gjithashtu, pasi edhe nëpër mensa ushqimi ishte pakësuar si racion dhe dieta ishte varfëruar në kulm, ku mëngjes dhe darkë kishim çaj me djathë, apo makarona, dhe dreka zakonisht spinaq, fasule ose patate gjellë, dhe mishi ishte zakonisht vetëm fundjavave, ku me probabilitet pasi një pjesë e madhe e studentëve iknin nëpër shtëpitë e tyre për fundjava, shtetit i duheshin me pak racione mishi për të furnizuar mensat tona.

Pakënaqësia e studentëve kishte nisur të shprehej haptazi nëpër fakultete dhe kudo, dhe për këtë arsye shumë punonjës masovik silleshin e vërtiteshin rrotull në Qytetin Studenti duke bërë mbledhje dhe takime me studentë gjoja për të dëgjuar ankesat tona dhe për të zgjidhur problemet tona, por që në fakt nuk bënin asgjë tjetër por veçse mundoheshin të mbanin nën fre tensionin e pakënaqësitë, dhe shumë sigurimsa të veshur civilë vërtiteshin në rrugët e Qytetit Studenti, gjoja sikur vinin të takonin të afërmit e tyre studentë, e që në fakt vinin të bënin presion psikologjik mbi studentët e pakënaqur në mënyrë që të parandalonin ndonjë revoltë masive studentore.

Si pasojë e mbingarkesës së rrjetit elektrik në Q. Studenti nga përdorimi (të detyruar nga kushtet mizerabël) i furnelave elektrike nga mesi i Nëntorit (me sa më kujtohet) plasi transformatori i ri që ndodhej tek godina 21, gjë që e vështirësoi akoma më shumë mbijetesën në Godina. Nëpër mensa tashmë ushqimi shërbehej gjysëm i zier pasi mungonte energjia që vinte 1 ose 2 orë në ditë, dhe fasulet apo mishi nuk haheshin pothuajse fare nga mos zierja e mjaftueshme, ndaj patatja dhe spinaqi u bënë (për lehtësim gatimi) të përditshme nëpër mensa, biles edhe ato të paziera sa duhej.

Ngjarjet në Shkodër me hapjen e besimit të lirë fetar që kulmuan me hapjen e Kishës Katolike (11 Nëntor) dhe Xhamisë së Plumbit (16 Nëntor) pas gati çerek shekulli të ndaluara nga diktatura shtetërore, u mirëpritën me shumë entuziazëm nga të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht nga ne studentët, si fundi dhe fillimi i përmbysjes finale të “mitit të pathyeshmërisë” së diktaturës komuniste. Tashmë fund i komunizmit dukej i pashmangshëm, kudo nëpër godina dhe fakultete zhgarraviteshin portretet e varura nëpër mure të ish-udhëheqësve të qeverisë, dhe viheshin në tallje haptazi parullat apo slloganet e tyre qesharake si ajo e imitimit të ish diktatorit E. hoxha “Patatja është jo vetëm bukë por edhe gjellë” apo “Edhe bar do hamë…” dhe thirrjet e studenteve BEeee Beeee dhe shumë shprehje sarkastike të tjera si këto, të cilat inçizoheshin privatisht nga studentët nëpër kaseta magnetofonësh dhe përhapeshin kudo…

8 Dhjetor 1990 Ngjarja që shënoi në histori
Ishim drejtuar për të marrë pjesë në mbrëmjen mbi përvjetorin e vrasjes së legjendës Xhon Lenon, që do të bëhej në kujtim të tij në Akademinë e Arteve. Në mëngjes të asaj dite ishte hapur lajmi për këtë mbrëmje përkujtimore. Pasi dalim nga mensa 7&3 që ishte në katin e parë të mensave mu në sheshin e Qytetit Studenti sot sheshi Demokracia, bashke me Bardh Selimin shquaj një djal shumë aktiv siç ishte Vaid Çoku. Së bashku me miqte e mij dhe studentët e tjerë vazhduam rrugën për poshtë.

Dëgjuam disa thirrje: “Duam të Drejtat Tona” “Duam Kushtet Tona” “Bashkohuni Me Ne”, ”Eja Mblidhuni Këtu-Këtu” e tjera si këto, të cilat vinin pikërisht nga rruga që të çonteposhte tek ish ambasada Italiane sot ajo Amerikane. Kureshtja na bëri që të shpejtonim hapin dhe në pak sekonda u gjendëm përpara rrugës ku një kordon policësh dhe sigurimsash e kishin bllokuar për të mos lejuar një turmë studentësh që të dalë në rrugë. Ata po shanin dhe kërcënonin studentët me lloj lloj fjalori.

“Kaq ishte”, i thamë njëri-tjetrit, ajo që pritej ndodhi, tashmë revolta jonë kishte filluar. Ndër ata studentë që protestonin njohëm një pjesë të mirë të tyre pasi ishin nga veriu si; Azem Hajdarin, Shejnasi Rama, Arben Lika, Ardian Shpori e shumë fytyra të njohura me të cilët përshëndeteshim çdo ditë në Q. Studenti, por që nuk jau dija emrin të gjithëve, të cilët sapo na panë të afroheshim aty, na bënë thirrje që të bashkoheshim me ta, dhe ashtu bëmë të gjithë pa hezitim. Pas nesh kishte edhe shumë të tjerë që erdhën dhe u bashkuan thirrjeve tona, dhe numri i protestuesve sa vinte e rritej teksa shtyheshim me kordonin e policëve dhe sigurimsave, i cili u ça dhe turma jonë e madhe tashmë doli në rrugën e Elbasanit dhe vazhdoi të marshonte duke thirrur gjithnjë e më fuqishëm “Duam Drejtësi” “Duam Kushte” “Duam T’drejtat Tona” “Poshtë Diktatura” dhe duke kënduar këngët patriotike si “Eja Mblidhuni Këtu-Këtu”. Teksa marshonim që të dilnim në qendër të Tiranës, një kordon tjetër më i ngjeshur policësh dhe forcash speciale të ish-repartit 326, na kishte bllokuar rrugën tek kthesa e Liceut Artistik, gjë që e bëri të pamundur marshimin tonë drejt qendrës së Tiranës.

Ngelëm të bllokuar aty, por për ne nuk kishte më kthim prapa, ndonëse disa pjesëmarrës u tërhoqën nga frika apo edhe për arsye të tjera, por radhët e tyre shpejt u zëvëndësuan nga studentë të tjerë që u bashkuan me ne. Pas ndërhyrjes së policise u larguam me vrap nga na tjeter e Ambasades Italiane sot Ambasada e SHBA, duke gjetur rrugën për të shkuar dhe për të qenë i pranishem tek takimi i Arteve. Aty jam takuar me Cezarina Terfilin dhe Rozeta Shabanin ku njërës i kishin qelluar me shkop gome. Keshtu që u ktheva për në Qytet Studenti për tu takuar me pas me Vaidin, Bardhin, Gonin e shum miq të tjerë të pranishëm ate natë. Vendosëm që nesër në ora 10:00 siç e kemi lënë, të lajmëronim të gjithë kë të mundeshim seicili shokët, pedagogët dhe të njohurit nëpër fakultetet e veta, që të kishte sa më shumë pjesëmarrje në demonstratën proteste që do fillonte në Q. Studenti dhe do vazhdonim të marshonim drejt sheshit Skënderbej drejt qendrës së Tiranës e të bashkoheshim me masat popullore, sepse kishte ardhur koha që ky sistem i dështuar komunist të merrte fund një herë e përgjithmonë siç po ndodhte në të gjithë ish vendet lindore.

9 Dhjetor 1990 Dita kur shpërtheu levizja studentore
Gjithë nata deri në mëngjes kaloi ashtu zhurmshëm nga padurimi për t’u tubuar para mensave. Dhe pasi hëngra diçka për mëngjes në dhomë dhe më vonë, bashkë me Vaid Cokun shkuam tek Akademia e Arteve që të lajmëronim dhe ftonim në protestën e orës 10:00 sa më shumë nga pedagogët, shokët dhe të njohurit tanë jo konviktorë, duke u treguar njëkohësisht edhe ndodhitë e një nate më parë. Nga ora 9:45 teksa po ktheheshim nga Akademia e Arteve për në Q. Studenti bashkë me shumë shokë që do merrnin pjesë në tubimin e orës 10:00 para mensave, vumë re që përreth rrugës së stadiumit Q. Stafa ishin mbushur me dhjetëra IFA makina ushtarake të mbushura plot nga policë dhe ushtarë me armë, shkopinj mburoja dhe skafandra, që qëndronin në pozicion gatishmërie brenda atyre makinave ushtarake IFA. Nuk na ndaloi askush për në Q. Studenti, dhe kur arritëm tek sheshi para mensave ishin me mijëra djem dhe vajza studentë të grumbulluar aty duke thirrur ”Duam Drejtësi”, “Poshtë Xhelatët”, “Duam shokët tanë”, “Duam T’drejtat Tona”, “Poshtë diktatura”, dhe me këngët patriotike “Për Mëmëdhenë” vargjet emocionuese të së cilës këndoheshin me aq zjarr nga të gjithë pjesëmarrësit.

U drejtuam poshtë Q. Studenti duke lëvizur në rrugën e kinoklubit për tek Fakulteti Ekonomik dhe Filiologjik, ku na u bashkuan edhe studentët që ishin brenda në ato auditore, vazhduam përgjatë rrugës që bëmë 1 natë më parë, për të dalë tek ndërtesat e universitetit dhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit, por rruga që të çonte aty ishte bllokuar nga forcat e shumta speciale dhe policë, ku dukeshin vargu i gjatë i IFA-ve të mbushura më ushtarë e policë. Vazhduam poshtë rrugës ku nga pas po na shoqëronin forcat e panumërta speciale dhe policët me skafandra e shkopinj, deri tek kthesa e Liceut Artistik, ku edhe aty ishte bërë një kordon i ngjeshur nga policë , ushtarë dhe forca speciale të repartit 326 apo “GORILLAT” siç i thërrisnin atëhere, kështu që na rrethuan nga të gjitha anët dhe na bllokuan aty për të mos na lënë që të dilnim më në qendër të Tiranës siç e kishim planifikuar.

Ishim tamam mes 3 kordonëve, një kordon i ngjeshur policësh dhe ushtarësh gardistë përpara liceut nga drejtimi i ish-muzeut Lenin-Stalin sot Ambasada Zvicerane, pas nga drejtimi i ish Ambasadës Italiane sot ajo e Amerikane ishte përsëri ai kordon i ngjeshur me forcat speciale të 326 dhe policë të panumërt me skafandra, që na kishte ndjekur nga pas deri aty, ku gjysma e tyre po bënte edhe mbylljen përfundimtare (djathtas nesh) të darës së rrethimit nga ana ish-lëndinës së ngritur nga rruga ndërmjet Muzeut Lenin-Stalin dhe ish-ambasadës Italiane. Në pak minuta u gjendëm të rrethuar nga të gjitha anët, ndërsa Hekri (H. Isai) kërcënonte dhe ofendonte nga megafoni i tij, dhe forcat e tij kërcisnin shkopinjtë dhe mburojat për të na trembur, ne vazhduam të thërrisnim edhe më shumë ”Duam Drejtësi”, “Poshtë Xhelatët”, “Duam shokët tanë”, “Duam T’drejtat Tona”, “Poshtë diktatura”, “E Duam Shqipërinë Si Gjithë Europa”, dhe me këngët patriotike “Për Mëmëdhenë” me refrenin frymëzues të saj “Eja Mblidhuni Këtu-Këtu”. Ishim ndezur dhe po shtyheshim me forcat e policisë dhe gardistëve për të çarë kordonin e tyre. Një kameraman i sigurimit po na filmonte në katin e dytë të Liceut, në një nga klasat me dritare nga rruga ku po protestonim, pasi e pamë të gjithë kameramanin teksa e ngjeshi kamerën afër xhamit të dritares nga ku po na filmonte, i fluturuan njëherazi nja 10 gurë në kokë që i thyen xhamin duke goditur me siguri edhe kamerën apo edhe kokën e tij.

Në atë moment, Hekri i inatosur u dha urdhër zagarëve të tij “Bjeruni sa të mundeni Maskarenjve që të zënë mend njëherë e mirë”. Aty filloi një masakër e vërtetë breshërie shkopinjsh kauçuku dhe gome mbi kokat dhe trupat tanë. Na kishin shpërndarë me dhunë duke goditur pa mëshirë edhe vajzat. Kur arritëm përsëri në mensat e Q. Studenti, të gjithë pjesëmarrësit vlonin nga zemërimi për hakmarrje ndaj dhunës së ushtruar. Në Q. Studenti tashmë shumë pedagogë të fakulteteve të ndryshme të shqetësuar për ngjarjet e pak orëve më parë, kishin ardhur për t’u solidarizuar me studentët e tyre. Vlen të përmendim kryesisht pedagogët e arteve, te cilët në foninë e instaluar nga Berti (fonisti i Arteve) tek sheshi para mensave, mbajtën fjalime solidarizimi që inkurajuan edhe ata studentë që kishin hezituar të merrnin pjesë në protestën e mëparëshme. Ambienti ishte i elektrizuar nga kurajoja që këta pedagogë të nderuar i dhanë studentëve me fjalimet e tyre të rastit në solidaritet me kërkesat që kishim.

Kishte edhe prej atyre intelektualëve me pardesy të bardha, që bënë thirrje për të mos bojkotuar mësimin dhe thërrisnin që të kishim besim tek Ramiz Alia, por këta “disidentë të mëvonshëm” morën përgjigjen e merituar nga turma e zemëruar e studentëve në shesh, ku nuk i kursyen as sharjet e as duke i gjuajtur servilët e R. Alisë me çka kishin në duar. Në atë eufori për të vazhduar luftën tonë, Shenasi Rama, Arben Lika dhe disa folës të tjerë, sugjeruan dhe kërkuan që atë ditë pasdite, të shkonim në grupe të vogla në sheshin Skënderbej, dhe aty në ora 17. 00 të bashkoheshim para xhamisë dhe të fillonim sërish protestën që të bashkoheshim me turmat e popullit, në mënyrë që protesta jonë të mos mbetej e izoluar, dhe se kërkesat tona tashmë nuk do ishin më vetëm ekonomike por edhe politike, se kishte ardhur koha që ky sistem diktatorial të ikë ashtu siç po ikte në të gjitha vendet ish komuniste, si një sistem i dështuar dhe i turpshëm për historinë tonë kombëtare.

Ashtu e lame. E miratuam me qindra e qindra studentët që ishim aty, që në orë 5 pasdite në grupe të vogla vullnetarisht, të bashkoheshim në sheshin Skënderbej për të protestuar.

Atë pasdite, ishte ora 4. 30 kur unë së bashku me Vaid Cokun, Sokol Toton, Bardh Selimin, Agron Gramin, Arjan Hysenin, Markelian Kapedanin, Andi Krroqin të gjitë shkodranë, dhe disa student të tjerë arteve që njiheshim si, Artur Hoxha dhe disa të tjerë me ta nga Vlora, Sami Breçani dhe disa të tjerë tropojanë, të gjithë që kishim qenë në protestën e mëngjesit të asaj dite, po bënim “gjoja” xhiro aty rrotull sheshit, në pritje të orës 5 për t’u bashkuar me të tjerët. Vihej re një dendësi e pazakontë njerëzish kalimtarë që po shëtisnin në bulevard, dhe tema kryesore e diskutimeve të tyre ishte ngjarja e mëngjesit. Nuk shiheshin shumë policë aty, pasi të gjithë sigurimsat dhe forcat speciale që dalloheshin nga radio marrëset e tyre dhe shkopinjtë e fshehur nën rroba, ishin veshur civilë që të mos binin në sy, dhe makinat “Fiat polka” të bardha të Ministrisë së Brendshme, kalonin herë pas here duke fotografuar dhe filmuar njerëzit pikërisht para sheshit nga krahu i xhamisë ku e kishim lënë si pikë referimi për t’u bashkuar të gjithë në ora 5, për të rifilluar protestën tonë të radhës.

Kur ra gongu i sahatit të Tranës i orës 5, ishim rreth 50 vetë që u mblodhëm para lulishtës së Skënderbeut në trotuarin ngjitur me xhaminë, ashtu siç e kishim lënë, dhe për disa minuta po prisnim që të bashkoheshin më shumë, por si për çudinë tonë nuk ndodhi kështu. Normalisht edhe ankthi ishte i madh në të gjithë ne që u mblodhëm aty. Pati edhe sugjerime që të mos e fillonim sepse ishim pak. Edhe orteku fillon gjithmonë me një top të vogël dëbore ose akulli, por pastaj merr me vehte çka të gjejë përpara, ndaj të fillojmë atë për të cilëm u bashkuam këtu. Filluam të thërrisnim, ”Bashkohuni me ne,” “Bashkohuni me Ne”, “Duam T’drejtat Tona” ”Poshtë Diktatura”, dhe filluam të ecnim drejt qendrës së bulevardit me refrenin e këngës “Për Mëmëdhenë”, “Eja Mblidhuni Këtu-Këtu”... (Vijon nesër…)

arben muca
(Një grup studentësh nga akademia e arteve pjesmarrës në levizjen e dhjetorit në rreth Arben Muça)

arben muca
(Dhjetor 1990, sheshi i qytetit Studenti. Moment nga protestat e para të Lëvizjes Studentore)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë