Arben Qirezi: Mes suksesit të Pacollit e skandalit të Kurtit, një ditë kontrasti për diplomacinë

Arben Qirezi: Mes suksesit të Pacollit e skandalit të Kurtit, një ditë kontrasti për diplomacinë

Albin Kurti

Dy ngjarje diplomatike e karakterizuan Kosovën ditën e mërkurë. Njëra prej tyre ishte sukses i madh, kurse tjetra tregon fiasko të plotë diplomatike.

E para ishte lajmi që u përcoll nga Behgjet Pacolli dhe më vonë edhe u konfirmua nga presidentja Vjosa Osmani mbi njohjen e pavarësisë nga Kenia, një prej shteteve më të rëndësishme të kontinentit afrikan. Ngjarja e dytë ishte fiaskoja “diplomatike” e kryeministrit, Albin Kurti, i cili ra në rrengun e dy komedianëve rusë, duke menduar se po fliste me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics.

Që të dy ngjarjet tregojnë për eklipsin e diplomacisë kosovare. Njohja nga Kenia, edhe pse ishte sukses, nuk qe rezultat i punës së diplomacisë zyrtare kosovare. Kjo njohje ishte rezultat i punës shumëvjeçare të Behgjet Pacollit, i cili është një akter joshtetëror. Megjithëqë ai shkoi atje të merrte pjesë në ceremoninë e njohjes në cilësinë e emisarit të presidentes Osmani, pa dyshim që Pacolli ka qenë i investuar për një kohë të gjatë në misione të ndryshme në kontinentin afrikan dhe se kontaktet e tij me burrështetas afrikanë, duke përfshirë edhe presidentin e Kenias, sollën fryte që i munguan Qeverisë Kurti dhe presidentes Osmani, si bartëse e politikës së jashtme, që prej fillimit të mandateve të tyre në vitin 2021.

Se Qeveria Kurti nuk ka fare të bëjë me këtë sukses diplomatik shihet nga përgjigjet e kryeministrit. Kur është pyetur përse qeveria e tij nuk ka arritur ta sjellë asnjë njohje të re, Kurti është përgjigjur thjesht se ai nuk ka premtuar njohje të reja. Pra, njohja nga Kenia, që pa dyshim kontribuon në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, nuk është fryt i punës së diplomacisë kosovare, e cila, në këta katër vjetët e fundit, më shumë i ka sjellë dëme sesa dobi Kosovës.

Prandaj, kudos për Pacollin dhe angazhimin e tij diplomatik. Kontributi i tij nuk bën të minimizohet, siç u përpoq ta bënte ministrja e jashtme, Donika Gërvalla-Schëartz, kur u mundua, pa të drejtë, t’ia përshkruajë vetes meritat për njohjen nga Kenia. Përkundrazi, ky kontribut i Pacollit duhet të mirënjihet nga të gjithë.

Ngjarja e dytë pa dyshim ishte skandali diplomatik, protagonist kryesor i të cilit ishte, as më pak e as më shumë, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. U desht një rreng nga dy komedianë rusë që të shihet sheshazi se sa i dëmshëm është angazhimi diplomatik i kryeministrit për interesat e Kosovës.

E para, ky rreng tregon për joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e institucionit të kryeministrit dhe të diplomacisë kosovare në raport me marrëdhëniet me shtetet e tjera. Një bisedë mes burrështetasve kurrë nuk bëhet me thirrje telefonike ad-hoc. Këto biseda caktohen paraprakisht, përgatiten dhe u nënshtrohen rregullave protokollare. Nëse kryeministri i Kosovës ka menduar me të vërtetë se në telefon po e thërret presidenti i Letonisë, atij përnjëmend i mungojnë njohuritë bazike mbi raportet ndërshtetërore. Pra, nuk i kanë mjaftuar katër vjet qeverisje që t’i mësojë rregullat elementare të komunikimit ndërshtetëror të nivelit më të lartë.

E dyta, e që përbën skandal mbi skandal, është përmbajtja e bisedës së kryeministrit Kurti, i cili sa po bisedonte, mendonte se po flet me presidentin letonez. Kjo përmbajtje tregon se Kurti nuk e sheh diplomacinë si mjet për avancimin e interesave shtetërore të Kosovës, por si një platformë ku ai e mbron pozicionin e tij personal në raport me politikën vendore.

A mendon kryeministri, edhe po të fliste vërtet me presidentin e Letonisë, se ajo çka i ka thënë mbetet mes tyre?

Edhe po të mos ishte rreng, e që ishte dhe u shfaq botërisht, përmbajtja e ligjërimit të Kurtit i rrezikon interesat nacionale të Kosovës. Kur e paramendojmë se ky ligjërim është konstant, sepse tregon “qëndrimet parimore të tij, si në biseda private ashtu edhe në ato publike”, siç e tha Zyra e Kryeministrit në reagimin plotësisht amatoresk që s’kishte qëllim tjetër veç të arsyetonte një gabim trashanik të kryeministrit, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse të shtangemi prej dëmit që i është bërë Kosovës në këta katër vjetët e fundit dhe të vajtojmë se si ky dëm ka gjasë të vazhdojë nëse Kurti mbetet kryeministër edhe në periudhën e ardhshme.

Në vend që të angazhohet për çështje, siç janë mundësitë e Letonisë për të lobuar për njohjen e vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian, për heqjen e sanksioneve të BE-së apo për ndihmën e Letonisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës e në NATO, Kurti fliste për atë që i intereson më së shumti: pushteti i tij personal.

Ai hidhte baltë mbi opozitën, mediet e analistët, duke i quajtur prorusë e proserbë dhe bënte sikur po i fliste një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje e jo një presidenti të një shteti tjetër. Më tej, në bisedën e imagjinuar me presidentin letonez, kryeministri Kurti në vend se ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës për një aleancë të pathyeshme me SHBA-në, ai ankohej për Richard Grenellin, duke e akuzuar se ai e ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020 dhe se tani është rreshtuar me opozitën si dhe që ka pranuar një dekoratë nga Serbia.

Ç’është e vërteta, edhe Kosova ka mundur ta dekoronte Grenellin ngase ai luajti rol në njohjen e Kosovës nga Izraeli. Por Kosova s’kishte se si ta bënte këtë, sepse kryeministri Kurti i kishte prishur marrëdhëniet me të e me tërë ekipin e Trumpit, duke u rreshtuar haptazi dhe në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme kundër Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020. Po ashtu, Kurti nuk e la pa e përmendur edhe orientimin seksual të Grenellit, gjë që është çështje e tij private dhe krejtësisht irrelevante për interesat shtetërore të Kosovës dhe e ul nivelin e komunikimit ndërshtetëror në atë të përgojimeve dhe të thashethemeve.

Ankesat e tij ndaj njërit prej njerëzve më të afërt të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili është emisar presidencial për misione speciale e me gjasë do të jetë i dërguar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, e tregon mungesën e sensit elementar diplomatik dhe të kuptimit të interesave shtetërore të Kosovës. Në fakt, kjo bisedë tregon se kryeministri Albin Kurti le që nuk interesohet për interesin shtetëror të Kosovës, por i dëmton ato duke e vënë pushtetin personal para interesit shtetëror me “qëndrimet e tij parimore”.

Skandali me komedianët rusë tregon se kryeministri, tanimë me gjasë i dorëhequr pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, thënë troç përbën rrezik për interesat shtetërore të Kosovës, duke treguar se marrëdhëniet e tij me administratën Trump janë shumë të këqija. Po ashtu, në raport me Bashkimin Evropian, Kosova gjendet tash e dy vjet nën sanksione dhe kjo, nga biseda e Kurtit me komedianët rusë, shihet se atij nuk i bën fort përshtypje. Në periudhën që po vjen, Kosova ka dy alternativa; të vazhdojë me politikën vetëshkatërruese të Kurtit apo ta ndërrojë drejtimin dhe qeverinë ta udhëheqë opozita.

E para, në variantin më të butë, do të thoshte vendnumërim e në atë më të keq, vetëshkatërrim.

Alternativa e dytë, me një qeveri të formuar nga opozita, po qe se dakordohen, do të hapte mundësi të reja për partneritet me SHBA-në dhe me BE-në, për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, natyrisht duke u angazhuar për luftimin e korrupsionit, forcimin e drejtësisë dhe sigurisë kombëtare si dhe për rritjen e standardit jetësor në planin e brendshëm.

Përgjegjësia për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku diplomatik dhe jo vetëm u takon të gjitha partive opozitare. Nëse ato bashkohen me një marrëveshje që i vë në plan të parë interesat shtetërore e jo partiake, peshorja në Kuvendin e Kosovës ndryshon dhe ato do ta kenë një shumicë të mjaftueshme për ta formuar qeverinë. Albin Kurti në këtë mënyrë do të shkëlqejë më shumë si lider i opozitës sesa që ka shkëlqyer në pozitën e kryeministrit. Zaten, roli i aktivistit opozitar, e jo i kryeministrit, është diçka që atij i përshtatet më së miri./Koha

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

‘Bufi më i mençur se ty o kopjac’, Rama debat me komentuesin: Je shumë i molepsur, s’të ndihmoj dot! Me programin tonë po anëtarësojmë Shqipërinë

‘Bufi më i mençur se ty o kopjac’, Rama debat me komentuesin: Je shumë i molepsur, s’të ndihmoj dot! Me programin tonë po anëtarësojmë Shqipërinë