Ndeshja e dytë e grupit A, ajo mes Shqipërisë dhe Francës do arbitrohet nga gjyqtari skocez, William Collum. Ai ka një eksperiencë të gjatë në arbitrimin e ndeshjeve në nivelet e larta.
 
Ndihmësit e tij do të jenë Boby Maden dhe John Beaton. Gjyqtari skocez nuk është i panjohur për kombëtaren shqiptare të futbollit, pasi e ka gjykuar atë në dy takime zyrtare.
 
Në datën 4 Shtator të vitit 2015 ai drejtoi ndeshjen eliminatore mes Danimarkës dhe Shqipërisë në Kopenhagen, takim i cili përfundoi me rezultatin e bardhë 0:0. Kuqezinjtë morën një pikë mjaft të rëndësishme, megjithëse mund edhe ta kishin fituar ndeshjen në episodin e fundit të takimit kur Odise Roshi nuk arriti të shënojë i vetëm përballë portierit danez. 

Gjithashtu, Collum ka drejtuar edhe ndeshjen e luajtur në vitin 2013 në Tiranë mes Shqipërisë dhe Norvegjisë e mbyllur në barazim 1-1.
 
Takimi i fundit i Collum në arenën Europiane është ndeshja mes Bayern Leverkusen dhe Villareal në 17 Mars për Europa League. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com