Ardenica, Perla e Hyjlindisë
mes artit, natyrës e historisë

Ardenica, Perla e Hyjlindisë<br />mes artit, natyrës e historisë
Të paktën 10 kilometra larg qytetit të Fierit gjendet një nga thesaret e çmuara të kulturës dhe historisë shqiptare. Një vend ideal jo vetëm për tu vizituar nga besimtarët, por edhe nga ata që preferojnë udhëtimet dhe turizmin kulturor. Në një fundjavë pranvere ia vlen të vizitosh të vetmin manastir të banueshëm në Shqipëri. Ia vlen të kalosh kohën mes afreskeve të çmuara të vëllezërve Zografi, historisë dhe natyrës që rrethon Manastirin e Ardenicës, i vendosur në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit.

PAK HISTORI
Shpesh i referuar si “Kështjella e Myzeqesë”, manastri i Ardenicës është bizantino- ortodoks dhe ka një sipërfaqe prej 2.500 metrash katrorë. Ai mban emrin e Marisë Hyjlindisë, mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore. Manastiri përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë” ku në lartësinë 24 metra gjendet këmbana. Besohet se fillimet e tij datojnë rreth shekullit të X-të, që afërsisht është periudha kur kisha e Shën Triadhës, godina e parë e Manastirit, u ndërtua. Thuhet se kisha është ngritur mbi rrënojat e një tempulli pagan të ndërtuar për nder të perëndisë Artemida, prej nga mendohet se rrjedh edhe emri Ardenicë. Ndërsa themelet e këtij manastiri janë ndërtuar në vitin 1282 falë iniciativës së perandorit bizantin Andronico II Paleologo. Shumë pranë manastirit, vetëm një kilemetër larg, kalon degëzimi jugor i rrugës antike Egnatia, që lidhte Romën në Perëndim me Konstandinopojën në Lindje. Besohet se Gjergj Kastriot Skëndërbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, është martuar në kishën e Shën Triadhës, në Maj 1451.
AFRESKET E VËLLEZËRVE ZOGRAFI
Kisha kryesore e Manastirit, Lindja e Shën Mërisë, u ndërtua në 1743, me fonde të kontribuara nga tregëtarët e Voskopojës. Ajo është kisha e vetme funksionale e Manastirit dhe njëkohësisht një ndër kishat më të bukura dhe më mahnitese në të gjithë Shqipërinë. Kisha është plotësisht e dekoruar me afreske të punuara prej dy vëllezërve, Kostandin dhe Thanas Zografi nga Korça si dhe një piktori lokal, Kostandin Shpataraku, nga rajoni i Shpatit, Elbasan. Ikonostasi i kësaj kishe është një prej ikonostaëve të ruajur më mirë në Shqipëri. Ai është i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, dhe mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744. Edhe altari është gdhendur gjatë të njëjtës periudhë. Shënimet mbi afresket dhe të gjitha shënimet e tjera në kishë janë në Greqishten e lashtë. Në kishë gjithashtu ruhet edhe froni i lashtë i Kryepeshkopit, si dhe mbajtësi i shenjtë, ku ikona e zgjedhur për çdo ditë vendosej. Kisha ka edhe shumë vepra të tjera arti prej argjendi dhe metali. Kështu të gjithë ata që kanë dëshirë të vizitojnë manastirin kanë mundësi të shijojnë edhe këto kryevepra shqiptare të artit religjioz. Ardenica është mjaft e njohur për bibliotekën e saj. Deri në vitin 1932, kur një zjarr I fuqishëm ra në këtë vend ekzistonte një koleksion i tërë me dorëshkrime, libra dhe objekte të tjera të vlefshme. Nga thesari i bibliotekës kanë mbetur fare pak gjëra: një libër i vjetër lutjesh në greqisht i shekullit të XVIII-të , një kopje e Biblës në dy gjuhë si dhe një koleksion i vogël fotografish të vjetra.

TË VIZITOSH MANASTIRIN
Për të vizituar manastirin duhet të keni parasysh orarin. Ai është i hapur çdo ditë 07:00-19:30. Nuk ju duhet të paguani biletë për të hyrë në manastir, por si në cdo vend tjetër religjioz dhurimet janë të mirëpritura. Duhet te respektoni një nga rregullat e manastirit sipas të cilës nuk lejohen veshjet e shkurtëra dhe të hapura. Në manastir mund të gjeni informacione të detajuara falë broshurave në shqip, anglisht, italisht dhe greqisht. Këtu ofrohen edhe ture të ndryshme rreth zonës, ndërsa për ata që adhurojnë suveniret janë vetëm fotografitë që mund të shkrepin gjatë qëndrimit në Ardenicë pasi pranë manastirit nuk shiten suvenire.Jashtë manastirit mund të shijohet natyra e mrekullueshme që e rrethon zonën. Pozicioni I kodrave të Ardenicës që gjenden në jug të Myzeqesë të jep mundësinë për të shijuar një panoramë të gjerë. Prej tyre mund të soditet Kruja, Mali i Dajti, Tomorri, deti Adriatik, laguna Karaavastasë dhe mallet e Labërisë.
USHQIMI
Në anën tjetër të kodrës, rreth 5-10 minuta në këmbë nga hyrja e manastirit, mund të gjeni disa restorante të cilat ofrojnë gatimet më të mira të zonës .
(Shkrimi u botua në të përjavshmen FUNDJAVA, të Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja