Po përpiqem të analizoj semantikën e kësaj shprehjeje, me të cilën mbyllen fjalimet e udhëheqësve realë, imagjinarë e fantazistë të PD!
Nuk e di se kush e artikuloi i pari këtë shprehje, por do të doja të ma shpjegoni kuptimin, se, pavarësisht shkollës dhe fjalës që e njoh, nuk po e zbërthej dot.
Çfarë do të thotë?
Po e nis nga përemri pronor “jonë”!
Në togfjalëshin “Radha jonë” përemri është në kontekstin gjithëpërfshirës, pra edhe për popullin apo në togfjalëshin “radha jonë”, përemri është në kontekstin për ju, si udhëheqës që do të uleni në karriget e pushtetit, por e thoni në vetën e tretë të shumësit?
Për çfarë erdhi radha?
Për të blerë qumështin?
Erdhi radha e vajgurit? E bukës? E kanatiereve të pambukut? Erdhi radha e pushtetit pasi kishit vënë bidonin?
Hmmmm....
Erdhi radha të uleni në kolltuqet e pushtetit, o udhëheqës?
Po në pushtet jeni edhe pse në opozitë.
34 vite të njëjtat emra, të njëjtat fytyra në parlament. Të njëjtat figura të konsumuara e të ricikluara, që i kanë mbyllur rrugën mendimit ndryshe e frymës së re. Të njëjtat qurravitje apo akte trimërie revolucionare dhe mosbindjeje të bindur ndaj pushtetit!
Në pushtet jeni, sepse votoni bashkë me qeverinë ato që ju leverdisin, bashkoni votat në pazare, paçka se digjni karrige, ndizni flakadanë e bërtisni si telendaret e lagjeve.
Të njëjtët njerëz, që rrotullojnë e artikulojnë 100 fjalë se aq dinë.
Erdhi radha e kujt?
E një partie, e cila duhet të ishte e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, por që riciklon figura, që duhet të ishin larguar me kohë, që ringjall e kultit të individit dhe idhujve, të cilët e kanë larguar PD nga parimet dhe vlerat e vërteta demokratike e perëndimore!
Është radha e një partie të vjetëruar në moshë, të vjetëruar në ide dhe aksion politik; refraktare dhe pa kauza; me humbës kronikë që hiqen si fitues, armiqësore me çdo mendim ndryshe dhe e pazonja të shohë e të punojë për interesin madhor të shqiptarëve?
Erdhi radha të bëni para?
Po para keni, pavarësisht se keni 12 vjet në opozitë bizneset me pushtetin njëlloj i keni bërë, kullat njëlloj i keni ngritur, paratë njëlloj i keni ndarë, pushtetin po njëlloj.
Demokratët kanë 12 vjet që hiqen zvarrë pa punë e perspektivë.
Është radha juaj të talleni duke u vrarë edhe atë pak shpresë që u ka ngelur shqiptarëve?
Erdhi radha të vidhni?
Kjo është? Ngrihu prift të ulet hoxha?
Shikoni që të gllabëroni ju tani edhe ato pak pasuri që i kanë ngelur Shqipërisë? Të grabisni nga tenderat? Të bëheni miliarderë brenda natës? Sepse jeni po aq të korruptuar sa ata që godisni e sulmoni!
Të dëboni edhe ata pak të rinj që i kanë ngelur Shqipërisë?
Erdhi radha juaj të mbroni pandëshkueshmërinë e të godisni e trysnoni drejtësinë? Njëlloj po e sulmoni Drejtësinë!
Erdhi radha juaj për çfarë? Të na fusni në BE? Por ju jeni të izoluar totalisht dhe askush nuk ju takon, sepse jeni ata që keni bërë atë dhunë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë: në 1998 kur pushtuat institucionet dhe në 8 janar 2022 kur sulmuat selinë e partisë suaj.
Sepse e bëtë partinë institucionin që mbronte interesat e individit dhe jo të demokratëve, duke i shpallur luftë partnerit kryesor perëndimor.
Erdhi radha juaj për të vënë në vendin e merituar Demokracinë? Por si do ta vini në vend demokracinë, si do t’i jepni vlerë fjalës e votës së lirë kur mediet dhe analistët i blini me paga mijëra euro në muaj dhe listat i mbyllni sipas midesë së kryetarit? Kjo është demokracia përfaqësuese?
Erdhi radha juaj për çfarë? Të bëheni trima me policinë kur jeni të veshur me mandat deputeti dhe bllokoni rrugët me makina 200.000 euro? Zhvishuni nga mandati t’ju shikojmë sa trima të çartur jeni teksa sulmoni e godisni policinë për “drejtësinë e demokracinë”!
Për çfarë erdhi radha juaj? Të vendosni minimumin jetik 20.000 lekë, kur ju paguheni 25 herë më shumë se minimumi që doni të vendosni dhe 10-15 herë më shumë se paga e një intelektuali?
Mund të vazhdoj edhe më shumë me pyetjet retorike që shtroj për të m’u shpjeguar sllogani “Erdhi radha jonë!” apo “Është radha jonë”!, por po më sqaruan e më bindën për kaq sa thashë se është ndryshe atëherë votën time do ta kenë pa asnjë mëdyshje!