Prilli i 2026-ës solli një lajm që dukej si hap drejt demokracisë: Partia Socialiste u tregua “e hapur” ndaj kërkesës së opozitës për proporcional kombëtar me lista të hapura, por me një kusht të vogël, gati teknik: uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 100. Një lëshim për një lëshim.
Në thelb është një pakt i menduar mirë. Në pamje të parë, sistemi proporcional kombëtar tingëllon si barazi: çdo votë ka të njëjtën peshë, kudo në Shqipëri.
Nuk ka më qarqe që të “vrasin” vota të caktuara, nuk ka më diferenca të mëdha mes zonave. Por në momentin që numri i deputetëve ulet, rritet automatikisht pragu real për të hyrë në Parlament. Jo pragu formal që mund të jetë, bie fjala 3%, por ai real që del nga ndarja e mandateve.
Lista të hapura? Edhe më mirë akoma, qytetari zgjedh individin, jo vetëm partinë. Një ëndërr demokratike në letër. Por kjo ëndërr fillon të çedojë në momentin që futet në ekuacion shifra 100.
Pasi demokracia nuk është vetëm mënyra si numërohen votat, por edhe sa vende ka për t’i përkthyer ato në përfaqësim.
Kur Kuvendi tkurret nga 140 në 100 mandate, çdo karrige bëhet më e shtrenjtë. Në terma të thjeshtë: rritet pragu real për të hyrë në Parlament. Jo ai formal që shkruhet në ligj, por ai që diktohet nga matematika.
Me 100 deputetë, një parti e vogël e cila mund të shpresonte të siguronte një mandat në një qark të caktuar me një përqindje modeste, duhet të marrë një përqindje shumë më të madhe votash në rang kombëtar për të siguruar qoftë edhe një mandat. Dhe kjo, në një treg politik të dominuar nga dy makina elektorale gjigante, është thuajse mision i pamundur. Pra, sistemi i ri nuk i ndalon partitë e vogla, i bën ato të parëndësishme.
Kjo është goditja e parë: eliminimi përmes matematikës.
Goditja e dytë është psikologjike. Votuesi, tashmë i lodhur nga eksperimente që nuk prodhojnë rezultat, bëhet racional në mënyrën më cinike të mundshme: nuk voton atë që beson, por atë që ka shans të fitojë sipas probabilitetit. Kjo krijon efektin e njohur si “votë e humbur”. Vota kthehet në bast, jo në përfaqësim.
Dhe në këtë bast, shumica zgjedh të mos “humbasë” votën te një forcë e vogël që s’ka shanse reale të marrë mandate dhe i braktisparaprakisht. Kështu, partitë e vogla nuk zhduken vetëm nga Kuvendi, zhduken fare nga skena politike. Pra, sistemi prodhon vetë rezultatin që pretendon të pasqyrojë.
Goditja e tretë është politike: përqendrimi i pushtetit. Kur gara reduktohet në dy aktorë kryesorë, çdo zgjedhje kthehet në një duel të mbyllur. Dy partitë kryesore PS dhe PD bëhen të vetmet porta reale për të hyrë në Parlament. Çdo forcë tjetër ose duhet të shkrihet në to, ose të mbetet jashtë. Alternativa politike nuk zhduket me ligj, por me matematikë.
Dhe, praktikisht, nuk ka më hapësirë për alternativa, për ide të reja, për korrigjim të sistemit nga brenda. Partitë e vogla, që shpesh shërbejnë si presion moral apo politik mbi të mëdhatë, zhduken. Dhe bashkë me to zhduket edhe frika e llogaridhënies. Alternativa politike nuk zhduket me ligj, por me matematikë.
Rezultati? Një sistem që duket pluralist, por funksionon si një duopol i pastër. Ironia është se kjo reformë shitet si përmirësim i demokracisë. Në fakt, është një racionalizim i kontrollit. Një mënyrë për të thënë: “Do të kemi zgjedhje, por jo surpriza.” Sepse surprizat vijnë nga të vegjlit. Dhe në këtë sistem të ri, të vegjlit nuk kanë më vend.
Lista të hapura? Një pamje në dukje ideale mbi këtë strukturë. Ato krijojnë një garë të brendshme brenda partive të mëdha, por nuk ndryshojnë asgjë në raportin mes partive. Thjesht e fragmentarizojnë më tej opozitën e brendshme dhe e bëjnë më të egër konkurrencën për një vend në listë, ndërsa porta e hyrjes mbetet e mbyllur për këdo jashtë dy blloqeve kryesore.
Dhe rezultati është i qartë: një sistem që duket më proporcional, por është më përjashtues; që duket më i hapur, por është më i mbyllur. Dy partitë e mëdha konsolidojnë dominimin e tyre, ndërsa çdo alternativë tjetër detyrohet ose të bashkohet me to, ose të mbetet jashtë loje.
Ironia është se kjo reformë mund të shitet si modernizim i demokracisë. Në realitet, është një racionalizim i kontrollit. Kur ul numrin e ulëseve dhe rrit çmimin e hyrjes, nuk bën më përfaqësim, por seleksionim.
Dhe kjo është një mënyrë më elegante për të arritur të njëjtin përfundim: një sistem dypartiak i çimentuar, ku rotacioni është i mundur, por alternativa jo.
Komente











