Në Shqipëri, cilindo të pyesësh në rrugë, do të të japë të paktën një arsye për të protestuar. Disa do të nisin nga xhepi, disa nga padrejtësia, disa nga korrupsioni i qeverisë, disa nga lodhja, disa nga mungesa e shpresës.

Mjekët do të protestojnë për shëndetësinë. Zyrtarët se nuk marrin më shumë rryshfet. Pensionisti “proteston” në farmaci kur merr ilaçet e lira, që s’kanë asnjë efekt dhe në dyqanin e lagjes kur shënon emrin në listë. Të rinjtë protestojnë në heshtje duke ikur. Nxënësit për arsimin e shkatërruar. Mësuesit se merren me çdo gjë burokratike dhe, vetëm me mësimin jo. Prindërit protestojnë se pse shkollat nuk i mbajnë 24 orë fëmijët e tyre në klasa që ata të rrinë rehat në punë apo në kafe.

Qytetarët ankohen për çmimet e larta; tregtarët se duan më shumë fitime. Të varfërit pse janë të varfër; të pasurit pse nuk janë akoma edhe më të pasur.

Opozita pse nuk është në pushtet. Pozita pse nuk ka më shumë pushtet.

Kryetari i opozitës pse nuk është kryeministër. Madje edhe vetë kryeministri ka arsye të protestojë kundër atyre që hëngrën kumbulla, fiq e dardha “pas shpinës së tij”.

Po. Në Shqipëri të gjithë e kanë nga një arsye për të protestuar. Disa kanë nga dhjetë.

Askush nuk mbetet pa arsye që të marrë pjesë në një protestë.

Një shoqëri e shëndetshme proteston. Protesta është shenjë jete dhe përgjegjshmërie, jo kaosi. Aty ku njerëzit dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësinë, pushtetin arbitrar, varfërinë apo mungesën e dinjitetit, aty shoqëria ende merr frymë.

Por këtu fillon paradoksi shqiptar.

Rrugët rrallë mbushen nga shoqëria.

Qytetari e di se sapo del në shesh, dikush do t’i vendosë flamurin në dorë, parullën në gojë dhe vulën e partisë në ballë. Dhe ai refuzon. Jo se nuk vuan, por sepse nuk pranon të shërbejë si dekor.

Shqiptarët tashmë e dinë që protestat në Shqipëri nuk janë shprehje e shoqërisë së përgjegjshme e aktive; janë prova force mes partive, prova të partive në krizë, jo e një shoqërie të zgjuar. Janë tubime që nuk lindin nga poshtë, por thirren nga lart; nuk shpërthejnë nga revolta qytetare, por organizohen nga zyrat e selive.

Del në protestë për çmimet, varfërinë dhe përfundon duke brohoritur për kryetarin. Del për padrejtësinë që të ka kapur për fyti dhe të rreshtojnë pas flamurit të partisë. Del si qytetar dhe kthehesh në militant, pa e kuptuar fare; sot brohoret, nesër harrohesh, pasnesër përdoresh kundër vetes.

Dhe protesta nuk është më qytetare. Është e tyre. E strukturave, e listave, e kamerave, e skenarëve të shkruar një natë më parë. Ndaj shoqëria, edhe kur është e plagosur, nuk del për të luajtur rolin e figurantit në skenarin e dikujt tjetër.

Kjo është arsyeja pse protestat me ngjyrime partiake, flamuj partiakë, fjalime të ricikluara dhe fytyra të konsumuara dështojnë të provojnë shëndetin e shoqërisë.

Pushojnë së qeni protesta dhe shndërrohen në shfaqje për kamera, në një test force brenda partisë dhe jo në një akt presioni ndaj pushtetit, se nuk përfaqësojnë askënd përveç organizatorëve të tyre.

Një shoqëri e shëndetshme proteston për kauza, jo për karrige. Për parime, jo për emra. Për drejtësi, jo për pazare politike apo rotacionin e aktorëve brenda sistemit aktual.

Në Shqipëri, të gjithë e kanë nga një arsye për të protestuar, por askush nuk ka arsye të besojë te protesta.

Dhe derisa protestat të çlirohen nga pengmarrja partiake e të kthehen në zë qytetar, ato nuk do të dëshmojnë mbështetje shoqërore, por vetëm lodhjen e një demokracie formale. Kjo është shenja më e qartë se problemi nuk është mungesa e protestës, por mungesa e besimit se protesta, ashtu siç ofrohet sot, vlen ende diçka.

Dhe pa bindjen që protesta është qytetare, çdo thirrje për shesh mbetet bosh, sado e drejtë të jetë kauza.

Dhe ëndrra e çdo pushteti është një popull që proteston vetëm në mendje.