Skllavëria më e rrezikshme nuk është ajo me zinxhirë që kishte Perandoria Romake.
Është skllavëria e sotme moderne. Skllavëria me bordero. Me kredi. Me supermarket me oferta. Me një rrogë që mjafton sa të mos vdesësh sot dhe që është aq e ulët sa të detyron të ngrihesh e të shkosh nesër në punë. Janë skllevërit modernë që ecin vetë “të lumtur” drejt zinxhirëve.
Skllevërit e lumtur nuk mbahen me kamxhik.
Mbahen me frikë e propagandë.
Me një kockë të hedhur në fund të muajit dhe me iluzionin se “Ka edhe më keq” apo “Shyqyr që kemi punë.”
Sistemi nuk do njerëz të lumtur, por njerëz të lodhur.
Të lodhur sa të mos mendojnë.
Të rraskapitur sa të mos rebelohen.
Të varfër sa të kenë frikë të humbin edhe atë kockë të qelbur që ua hedhin në fund të muajit.
“Skllevërit e lumtur” ëndërrojnë gjithë jetën për një shtëpi; punojnë gjithë jetën për ta paguar, por edhe mund të mos e blejnë dot kurrë.
Zgjohen që me natë, kthehen nga puna natën dhe quajnë “jetë” faktin që kanë mbijetuar edhe një ditë tjetër.
E në mes të gjithë këtij mjerimi, u kanë tredhur edhe dinjitetin; krenarinë; karakterin…
Madje edhe instinktin për t’u ndjerë të fyer.
Nuk reagojnë më ndaj asgjëje.
As ndaj vjedhjes.
As ndaj mashtrimit.
As ndaj poshtërimit publik.
As ndaj faktit që ata që i kanë zgjedhur me botë u fyejnë inteligjencën përditë në ekranet që vetë i paguajnë me taksat e tyre.
I sheh teksa brohorasin ata që i përdhosin.
Duartrokasin ata që i vjedhin.
Mbrojnë ata që i shkelin.
Dhe jo vetëm kaq: e kanë për nder të poshtërohen nga i zoti i tyre.
Mund t’u pështysh në gojë, do të thonë që është shi.
Mund t’u pjer*ësh në fytyrë dhe do të të thonë: “Të paktën po merr erë zhvillimi.”
Mund t’u dhje*ësh mbi kokë dhe do të mburren që jashtëqitja erdhi nga dora e “udhëheqësit”.
Skllavi modern nuk kërkon më liri, nuk e urren më skllavopronarin. E adhuron.
Kërkon vetëm një skllavopronar më të sjellshëm.
E mbron në Facebook; e justifikon në kafe, e voton ditën e zgjedhjeve; e mban mbi shpinë dhe pastaj ankohet për jetën me të njëjtën gojë me të cilën i lëpin çizmen.
Kjo është forma më e neveritshme e robërisë: kur njeriu nuk e kupton më që është skllav.
Kur e quan frikën “stabilitet”; shfrytëzimin “sakrificë” dhe poshtërimin “normalitet”.
Dhe skllavopronarët modernë e dinë këtë.
Prandaj nënqeshin.
Sa herë që populli ul kokën, ata ngrejnë çizmen.
Sa herë që njerëzit heshtin, ata grabisin më shumë.
Sa herë që turma brohoret, ata kuptojnë se nuk kanë përballë qytetarë, por konsumatorë të bindur.
Sepse skllavi i përsosur është ai që vetëkontrollohet e vetëcensurohet.
Ai që falenderon për kamxhikun dhe puth dorën që e godet.
E dini? Sistemi sot nuk ka nevojë më për burgje të mëdha.
I mjafton një ekran, disa modele VIP-ash të të heqin mendjen, ca emisione trash, një rrogë qesharake dhe një tufë njerëzish të lodhur që nuk kanë më energji as të revoltohen.
Kjo është fitorja më e madhe e çdo pushteti të kalbur.
Jo kur të varfëron, por kur të bind se varfëria është normale.
Jo kur të poshtëron, por kur të bind të buzëqeshësh gjatë poshtërimit.
Dhe kështu, çdo mëngjes, miliona “skllevër të lumtur” sakrifikojnë familjen, shëndetin dhe jetën për një rrogë mjerane; ngrihen pa pasur nevojë për zile apo alarm.
Shkojnë në punë. Kthehen të rraskapitur. Shajnë jetën në heshtje.
Dhe të nesërmen përsëri rreshtohen, si bagëti të disiplinuara, për t’u mjelë edhe një herë.
Ndërsa sipër tyre, “skllavopronarët modernë” i shohin dhe vazhdojnë të pasurohen, të hanë, të pijnë, të tallen… dhe të dhje*in mbi kokat e tyre me qetësinë e atij që e di se askush nuk do të ngrihet.
Komente










