ANGLI - Data 19 maj 2026 do të shënohet në historinë e Arsenalit, pasi ‘Topçinjtë’ e Londrës siguruan këtë të martë titullin e 14-të kampion në Premier League, kjo pas 22 vitesh pritje.
Për herë të fundit Arsenali e fitonte këtë trofe në sezonin e largët 2003-04, edicioni i famshëm i 'Invincibles', kur skuadra e Arsene Wenger e mbylli kampionatin pa asnjë humbje dhe u fut në histori si një nga ekipet më të mëdha të futbollit anglez. Në atë sezon të paharrueshëm, Arsenali e fitoi titullin me 90 pikë, me bilanc 26 fitore dhe 12 barazime në 38 ndeshje, duke shënuar 73 gola dhe pësuar vetëm 26.
Barazimi i Man. Cityt - Edhe pse duhet një tjetër raund deri në fundin e sezonit 2025-26 në elitën e futbollit anglez, barazimi 1-1 i Manchester Cityt në fushën e Bournemouth ka bërë që ‘Qytetarët’ të dalin nga gara për titullin kampion pasi mbeten katër pikë pas Arsenalit. Kështu, Pep Guardiola do të largohet nga City pa trofeun e Premier League për këtë sezon.
Në ‘Vitality’ Bournemouth shënoi me Eli Junior Kroupi në minutën e 39-të, për ta mbyllur në epërsi pjesën e parë, por Erling Haaland në shtesën e pestë të ndeshjes (90+5’) barazoi për 1-1. Bournemouth është në garë për një vend në Champions League edicionin e ri.
Radha e Champions League - Tanimë gjithë festa shpërngulet në Londër, me Arsenalin e trajnerit Mikel Arteta që do të festojë nga divani dhe një javë para fundit të sezonit një trofe të pritur për 22 vite. Trajneri spanjoll ka luksin që në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Crystal Palace më 24 maj të bëjë rotacion, duke u fokusuar te finalja e Champions League kundër PSG-së e cila do të zhvillohet më 30 maj në ‘Puskas Arena’ të Budapestit.
Komente






