Ardi Stefa: Pengmarrësit e Demokracisë dhe shoqërisë

Ardi Stefa: Pengmarrësit e Demokracisë dhe shoqërisë

Deputetët e PD-se djegin karriget e Kuvendit, 30 shtator 2024

Ndoshta po bëhemi të mërzitshëm duke përsëritur e përsëritur të njëjtën gjë: kërkesën për ndryshim e reformim të opozitës, por duhet ta përsërisim derisa ose të ndryshojë e reflektojë ajo ose shoqëria ta hedhë përfundimisht në koshin e plehrave!

Madje, në shumë shkrime kam thënë haptazi që kjo opozitë, PD e ka mbyllur ciklin e vet jetësor e historik dhe do të ishte mirë të hynte në analet e historisë si fenomen studimi.

Shfaqja e djeshme në parlament ishte prova se gjithçka kemi thënë është e vërtetë.

Djegia e karrikeve dje në hyrje të parlamentit ishte një shfaqje e shëmtuar, e cila nuk bind më asnjë se po bëhet për Salianjin, Berishën e në mbrojtje të Demokracisë së dhunuar nga Rama.

Djegia e karrigeve ishte një shfaqje e shëmtuar e atyre që me fjalë janë të “fortë”, por me veprime dëshmojnë se janë jashtëzakonisht të dobët, të frustruar, pa personalitet ose me personalitet të dyshimtë.

Djegia e karrigeve dje vërteton se PD është e pafuqishme e paaftë, pavarësisht se shfaqet agresive, ndërkohë që është banale e qesharake; aspak bindëse dhe aspak forcë ndryshuese për vendin.

Komedia e djeshme me surratet e egërsuara të deputetëve teksa shikonin karriget që digjeshin vazhdoi edhe në mbrëmje në studiot televizive, teksa “revolucionarët” e listave të sigurta thërrisnin në protestë shqiptarët për karriget e tyre, edhe pse ndonjëri u plagos e shkoi në spital se theu thoin.

Në një vend normal, në një demokraci normale, opozita duhet të investonte tek reflektimi qytetar duke treguar dobësitë e skandalet e qeverisë, me fakte, argumente, mbizotërim të arsyes. Duke shpalosur program për të afruar sa më shumë elektorat, sidomos intelektualët e shoqërinë civile.

Por opozita shqiptare duket se ka si qëllim të mos vijë kurrë në pushtet me veprimet që bën. Me shfaqjet e saj të shëmtuara në Kuvend, me zjarrin, tymueset, me tregimin e muskujve ajo po shkatërron imazhin e saj dhe po largon edhe ato pak vota që i kanë ngelur.

Gjithnjë e më tepër PD po përforcon atë ç’ka kam shkruajtur më parë se ajo nuk po “bën politikë” për të fituar, por për të mbajtur shtrënguar radhët e militarëve dhe të militantëve të saj, të cilët ditë pas dite po tkurren.

Sepse vetëm kështu mediokrit e PD do të mund të mbijetojnë në politikë e do të kenë rol protagonist nesër.

Megjithëse, edhe mediokrit e djegieve të karrigeve apo të gjuhës së drunjtë e dinë se nuk mund të fitojnë dhe se vetëm kështu edhe pas humbjes ata do të jenë përsëri aty, në krye të PD, duke u hequr si opozitarë! Mjafton të gënjejmë sa më shumë shqiptarë!

Por këta mediokër nuk janë më as opozitë, sepse kanë kohë që nuk janë më alternativë e popullit kundër mazhorancës aktuale.

Sepse janë një parti e vjetëruar nga koha, që si Don Kishoti lufton kundër kohës, zhvillimit, arsyes, kundër shoqërisë dhe që nuk mund të ofrojë dot asgjë të re!

Është një parti që nuk arriti dot asnjëherë të reformohej, me të njëjtët njerëz, me të njëjtën retorikë apo mënyrë sjelljeje: pengesë për shoqërinë që kërkon të reformohet duke mos lejuar asgjë të re të shfaqet dhe të jetë alternativë e vërtetë.

Një parti e tillë, me këtë sjellje e qëndrim, e fragmentarizuar, pa ide novatore, e konsumuar në retorikë dhe e personalizuar, si monopol i Berishës është “arritja më e madhe” e Ramës dhe dhurata më e çmuar për të. Dhe Rama me shumë zgjuarsi po investon këtu, duke i ofruar Berishës dhe PD mundësinë që të zgjasë edhe disa muaj agoninë ekzistenciale me betejën, “revolucionin” dhe polarizimin fals.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë