Gjatë diskutimeve për ratifikimin e marrëveshjes me Italinë në Kuvend është shoqëruar me replika të forta politike. Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, e ka shfrytëzuar fjalën e tij jo vetëm për të vlerësuar diasporën, por edhe për të sulmuar ashpër qëndrimet e opozitës në arenën ndërkombëtare.

Bido vlerësoi diasporën shqiptare në Itali si “ambasadorët më të mirë të vendit”. Ai theksoi se marrëveshja e re parashikon hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe si për diasporën e hershme (arbëreshë), ashtu edhe për atë të re pas viteve ’90.

“Ne jemi sot deputetë edhe me votën e diasporës, nesër diaspora do të zgjedhë deputetët e saj drejtpërdrejt, sepse i ka numrat,” tha deputeti i PS.

Bido iu referua fjalimit të mbajtur së fundmi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) nga Berisha, duke e akuzuar atë për baltosje të Atdheut.

Deputeti socialist e cilësoi si të pavërtetë deklaratën se në shkollat shqiptare po mësohet ndryshimi i gjinisë.

“Doli dhe gënjeu kur tha se në librat e fëmijëve po mësohet për ndryshimin e gjinisë. Kjo është e pavërtetë dhe këtë të gjithë e dimë. Përbalti atdheun e tij duke folur për Shqipërinë si vend narko-trafikantësh,” u shpreh Bido.

Sipas tij, në vend që opozita të flasë në KiE për çështje madhore si Shqipëria, Kosova apo Çamëria, zgjedh të “fyejë termin shqiptar”.

“Ky është një turp kombëtar dhe arsyeja se përse ju nuk vini në pushtet,” deklaroi ai.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Ndryshimet e Kodit Penal në Kuvend, Lamallari: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, ‘OK’ edhe nga BE! PD: Tërhiqeni, po veproni në fshehtësi