Me 85 vota pro dhe 9 kundër, pas një seance maratonë Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, mes të tjerash depenalizimi i shpifjes për gazetarët, që mazhoranca e konsideroi arritje për lirinë e shprehjes, ndërsa opozita e kundërshtoi ashpër si të paplotë.

Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar më shumë kërcënuesit dhe dhunuesit për shkak të profesionit. Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias. Socialistët u shprehën kundër propozimit të PD-së që të hiqet shpifja si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Edhe dënimi deri në një vit burg për parkimin dysh, që së bashku me një numër të madh ndryshimesh të tjera në Kod Penal u miratuan me 85 vota pro të socialistëve, nxiti debat mes palëve. Për këtë pjesë, ministri i Drejtësisë theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.

Ligjvënësit e Partisë Demokratike thanë se mazhoranca po synon të miratojë ndryshimet në Kodin Penal me shpejtësi dhe në fshehtësi. Në vazhdën e këtyre pretendimeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike kërkoi shtyrjen e miratimit të draftit.

“Kryetar, ju kërkoj ta tërhiqni dhe ta shqyrtoni edhe njëherë, që kur të vijë në Kuvend të mos ketë deputetë që të mos dinë çfarë ndryshimesh keni sjellë”, – tha Bardhi, por mori si përgjigje nga Lamallari se këto ndryshime kanë marrë “bekimin” e Brukselit.

Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, Lamallari shkruan se “sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal”, procesi i të cilit është në vijim.

Po ashtu ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
'E keni në terezi, hani petulla me mjaltë', Korreshi ngre tonet në Kuvend: Po na çani dërrasat, sistemin e drejtësisë e keni të kalbur

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ngritur tonët gjatë fjalës së tij në Kuvend ndaj deputetëve të PS, duke u shprehur sistemi i drejtësisë në vend është ‘i kalbur’.

Ai po ashtu u shpreh se pjesë e sistemit të drejtësisë që sipas tij është ‘i mbaruar’, nuk është vetëm SPAK-u.

“Sot edhe SPAK bën hetim penal për të gjithë policët që kalojnë kufirin me 50 mijë lekësha. Ju thoni ndërtimet pa leje. Kush i kishte këto bashkitë, se po na çani dërrasat këtu në Parlament. I paskeni të gjithë të punësuarit sylesh. E dini ju çfarë ka bërë qeveria. Një rast iu dogj shtëpia njërit në Lushnje, asnjë lekë, asgjë, se i hedhin për të tjera gjëra.

Një tjetër thoshte dua shtëpi se po më vdes baba, i vdiq. Ti e ke në terezi, petulla me mjaltë, me Nutella, por ti s’e di që për të bërë një divorc do 7 vjet nëpër gjykata. Sot sistemin e drejtësisë e ke të kalbur, sistemin e drejtësisë e ke të mbaruar, nuk është vetëm SPAK-u”, u shpreh Korreshi.

Ora 22:22
Tabaku kërkoi dekriminalizimin e plotë të shpifjes, Balla: Si mund ta votoj ligjin tënd kur unë jam në gjyq me Berishën për atë vepër penale

Kërkesën e deputetes Jorida Tabaku, që shpifja të dekriminalizohet si vepër penale tërësisht dhe për të gjithë, jo vetëm për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi si një qokë të deputetes demokrate ndaj kryetarit të partisë së saj, Sali Berishës.

"Ndryshimi i vetëm i sqarimit për çështjen që lidhet me mediat dhe propozimit të zonjës Tabaku dhe propozimit final ka të bëjë me qasjen tonë të artë, që ne nuk bëjmë ligje për vete. Ju më thoni mua, që unë të votoj një ligj që të amnistojë kryetarin e partisë tuaj. Unë jam në gjyq penal me kryetarin e partisë tuaj, ai është akuzuar për shpifje. Ju, zonja Tabaku, më ftoni që të votoj një ligj që amniston kryetarin e partisë tuaj, ti do t’i bëhesh një qokë kryetarit të bashkisë. Për gazetarët, padyshim që i kemi përjashtuar",- tha Balla.

Ora 21:48
'Molotovi të kategorizohet si armë zjarri', Braçe nxjerr foto nga protestat e Berishës: E papranueshme

Në diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal, deputeti Erion Braçe propozoi nga foltorja e Kuvendit që ligjvënësit të miratojnë kategorizimin e molotovit nga ligji si armë zjarri. Duke paraqitur foto nga protestat e dhunshme të Sali Berishës në Tiranë, Braçe tha se kjo formë e protestimit është e papranueshme dhe duhet ndëshkuar ashpër penalisht.

"Jam plotësisht dakord edhe me ashpërsimin që i bëhet dispozitave që ndëshkojnë zjarrvënien, është një problem shumë i madh për mjedisin dhe mjedisin e kemi të përbashkët.

Nga viti 2013 e këtej unë nuk di ndonjë gazetar të dënuar për shpifje. Le të çohet dhe të dalë kudo që është dhe të thotë: po, jam dënuar unë për shpifje. Nuk di që të kemi pasur gazetarë në burg, sepse ishte një periudhë që në burg kanë hyrë gazetarë ose persona të tjerë që kanë parë tanke që lëviznin në territorin e Republikës së Shqipërisë.

,,,e drejta për protestë, për të kundërshtuar një ligj, një politikë, një qeveri, ama unë vazhdoj të mendoj që është e papranueshme gjuha që opozita të flasë me gjuhën e zjarrit, me molotovin, apo që qeveria të flasë me gaz lotsjellës, me plumba, jo e jo",- tha Braçe.

Ora 21:40
Lamallari ironizon opozitën: Për kallëzimet 'pushka top', por do mbani përgjegjësi për shpifjet

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka ironizuar deputetët e opozitës duke thënë se mund të bëjnë kallëzime sa të duan, por do të mbajnë përgjegjësi për shpifjet.

“Është Ministria e Drejtësisë që komunikon me Komisionin Europian. Ka shumë të drejtë deputeti Manja kur thotë që e gjitha është për ta marrë flamurin, kishit mundësi shumë vite ta merrnit flamurin, nuk e morët. Gazetarët dënoheshin atëherë me ligj. Keni merakun, meqë u hap kjo e dekriminalizimit të shpifjes, meqë bëhet për gazetarët, përfitojmë edhe ne se dy gjëra na kanë ngelur, ose shpifja ose gjysmë kallëzimet, kërkesat për informacione që i paraqisni si kallëzime. Për këtë të dytën, pushka top, për shpifjet jo, do të mbani përgjegjësi.", theksoi ai.

Ora 21:17
Berisha në Strasburg, Bido: Përbalti atdheun duke folur për Shqipërinë si vend narkotrafikantësh

Gjatë diskutimeve për ratifikimin e marrëveshjes me Italinë në Kuvend është shoqëruar me replika të forta politike. Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, e ka shfrytëzuar fjalën e tij jo vetëm për të vlerësuar diasporën, por edhe për të sulmuar ashpër qëndrimet e opozitës në arenën ndërkombëtare.

Bido vlerësoi diasporën shqiptare në Itali si “ambasadorët më të mirë të vendit”. Ai theksoi se marrëveshja e re parashikon hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe si për diasporën e hershme (arbëreshë), ashtu edhe për atë të re pas viteve ’90.

“Ne jemi sot deputetë edhe me votën e diasporës, nesër diaspora do të zgjedhë deputetët e saj drejtpërdrejt, sepse i ka numrat,” tha deputeti i PS.

Bido iu referua fjalimit të mbajtur së fundmi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) nga Berisha, duke e akuzuar atë për baltosje të Atdheut.

Deputeti socialist e cilësoi si të pavërtetë deklaratën se në shkollat shqiptare po mësohet ndryshimi i gjinisë.

“Doli dhe gënjeu kur tha se në librat e fëmijëve po mësohet për ndryshimin e gjinisë. Kjo është e pavërtetë dhe këtë të gjithë e dimë. Përbalti atdheun e tij duke folur për Shqipërinë si vend narko-trafikantësh,” u shpreh Bido.

Sipas tij, në vend që opozita të flasë në KiE për çështje madhore si Shqipëria, Kosova apo Çamëria, zgjedh të “fyejë termin shqiptar”.

“Ky është një turp kombëtar dhe arsyeja se përse ju nuk vini në pushtet,” deklaroi ai.

Ora 21:17
'Ministrat dhe zyrtarët e korruptuar i mbani në detyrë', Jozefina Topalli: Pas protestës, arrestuat një invalide dhe fëmijë 10-vjeçar

Deputetja demokrate, Jozefina Topalli tha se ministrat dhe zyrtarët e korruptuar po mbahen në detyrë, teksa pas protestës së opozitës, ndër të arrestuarit ishin një invalide dhe një fëmijë 10-vjeçar.

Lidhur me kodin e ri pena, Topalli u shpreh se qeveria ka marrë angazhim për të dënuar me burg qytetarët që parkojnë dysh, e jo të luftojë korrupsionin.

“Dy ditë më parë, ka pasur një protestë shumë të madhe, që shprehte zemërimin e shqiptarëve, kundër korrupsionit dhe asaj që po ndodh me fatin e shqiptarëve. Si një mesazh për t’i thënë gjithkujt që ne jemi këtu dhe nuk mund të na poshtërosh kështu. Sot në parlament vjen një draft, i cili ndër të tjera, ka një angazhim shumë të madh për të luftuar korrupsionin. Ne do dënojmë me burg, ata që do guxojnë të parkojnë dysh. Ne nuk dënojmë ministra, zyrtarë të korruptuar, i mbajmë aty në detyrë. Pas protestës, bëtë kujdesin më të madh për të arrestuar një fëmijë 10-vjeçar,. Pas protestës, ju futët në burg një invalide. Ky paradoks, midis një korrupsioni që ka përmasa të paimagjinueshme, një vend që marrin peng biznesmenët nëse nuk heqin dorë nga tenderi. Heshtja mund të ekzistojë në vende që ka frikë, por protesta ishte britma kundër frikës. Vetëm pushtetet që janë të zhytura në korrupsion, arrestojnë fëmijë 10-vjeçar. I dashur ministër, nuk besoj se ka ndonjë udhëzim nga BE, që të dënohet me burg ai që parkon dysh, ai është urdhër i shefit tënd.", theksoi ajo.

Ora 20:52
'Duhet të kemi kod të ri penal', Manja: Nuk duhet të shqetësohen gazetarët, por profesionistët e shpifjes

Deputeti Ulsi Manja thotë se duhet të ketë një kod të ri penal.

Manja u shpreh në Kuvend se gazetarët nuk duhen të jetë të shqetësuar, por profesionistët e shpifjes.

“Mendoj se jemi në rrugën e duhur, të kemi kod të ri penal. Jemi ulur në negociata me BE, kemi hapur 6 shtyllat për të 36 kapitujt. Shtylla më e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit, siguria e qytetarëve, e kështu me radhë. Ka një dokument kornizë tashmë. Asgjë nuk ndodh sa i takon ndryshimeve në legjislacionin tonë të brendshëm, për ato që kemi diskutuar me KE. Reformë agjenda, progres raportet e BE në raport me Shqipërinë, këto dokumente janë përkthyer për detyra për qeverinë shqiptare. Këto shtesa dhe ndryshime që ne paraqesim sot, kodi penal kërkon 84 vota, janë hap i domosdoshëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE dhe lidhet me deyrimet tona për kapitujt 24 të negociatave. Ndryshimet e propozuara forcojnë kuadrin penal kundër pastrimit të parave. Kjo ndërhyrje është në përputhje të plotë me direktivat e BE. Forcohet kuadri penal kundër terrorizmit. Zgjerohet juridiksioni penal i Shqipërisë, edhe për vepra penale të ndodhura jashtë territorit të saj. Kur e thashë që kemi dokument kuadër, kemi marrë shumë angazhime aty sa i takon lirisë së fjalës. Pati një shqetësim këtu, se nuk kemi status gazetarësh, nuk po kërkon kurrkush të regjistrojë gazetarët. Gazetarët të merren me lajmin, me të vërtetën, nuk duhet të shqetësohen. Profesionistët e shpifjes duhet të shqetësohen, nuk ka ligj që e mbron profesionistin që shpif. 800 portale, shpifësish profesionistë duhet të përballen me forcën e ligjit. Ne kemi marrë përsipër të hartojmë adaptimin e ligjit anti-slapp, angazhim për ta përmbushur deri në mesin e vitit 2027. Shqipëria në muajin shtator 2025, ka dorëzuar në KE tabelat e përputhshmërisë për ligjin anti-slapp. Janë masa që shkojnë në harmoni me njëra-tjetrën. Pa mediat, pa gazetarët e lirë, sigurisht gjithçka që bën politika, do kishte mbetur brenda kësaj salle.", theksoi ai.

Ora 20:40
Bardhi: Si do të kualifikohet një gazetar për të përfituar nga dekriminalizmi i shpifjes? Shqipëria, i vetmi vend në Europë që penalizon me burg parkimin dysh

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se iniciativa e qeverisë për të dekriminalizuar shpifjen në Kodin Penal për gazetarët ka boshllëqe praktike për zbatimin e tij. Sipas Bardhit, gazetari nuk është një profesion i rregulluar me ligj dhe për rrjedhojë nuk ka si gjen zbatimi kriteri që nga dekriminalizmi i shpifjes do të përfitojnë gazetarët e regjistruar, pasi këta të fundit nuk kanë se ku të regjistrohen si të tillë. Kjo sipas deputetit demokrat sjell pamundësinë e organeve ligjzbatuese për të saktësuar se kush është gazetar dhe kush jo.

Gjithashtu, Bardhi tha se Shipëria është i vetmi vend në Europë që penalizon me dënim me burg parkimin dysh, dhe shtoi se kjo nuk është e nevojshme pasi tashmë legjislacioni shqiptar ndëshkon pengimin e mjeteve të transportit.

"Sot kemi ardhur në një tjetër standard, kemi ardhur në stadin kur kërkesa ndaj Shqipërisë na kërkon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe nuk po u hy argumenteve që po përmend më pas. Ky vend ka marrë angazhimin për të reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për këtë le të referohemi Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Vini këtu dhe shikoni si standard diçka që nuk e ka asnjë vend tjetër. Ju thoni që nuk do të mbajnë përgjegjësi për shpifje gazetarët që janë të regjistruar, por ky Kuvend e di që profesioni i gazetarisë nuk është i rregulluar. Kush do ta ndajë kush është gazetar, kush nuk është gazetar, ku futen analistët, etj.

Cili është problemi juaj që shpifja të jetë një shkelje civile, që edhe ajo në Kodin Civil duhet të trajtohet me standardet më të mira ndërkombëtare",- tha Bardhi.

"Ne e kemi vepër penale pengimin e mjeteve të transportit, me çfarëdo lloj mjeti e kemi sot vepër penale. Në asnjë vend të BE-së parkimin dysh e kriminalizojnë. Nëse parkohet makina dysh në një vend ku ndërtohet kulla, po s’ka një rrugë të re, zihen hapësirat publike, po nuk ka një zgjerim rruge në asnjë qytet, kemi mbetur akoma me rrugët dhe bulevardet që kemi pasur para viteve ’90, ama po parkove dyshe se ke një hall 2 minuta apo 3 minuta, apo po vodhe 50 milionë euro ti dhe të vish këtu, të ulesh në karrigen e numrit 2 të qeverisë. Qytetari që parkon dysh, me votën e Belinda Ballukut, do të shkojë në burg",- tha Bardhi.

Ora 20:32
'Ligjin penal e keni përdorur si mjet presioni', Tabaku në Kuvend: Të shfuqizohen nenet 119 dhe 120, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku thotë se qeveria e ka përdorur ligjin penal si mjet presioni.

Tabaku u shpreh se duhen shfuqizuar nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal, pasi sipas saj, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale.

“Së pari, prej disa muajsh së bashku me një grup shumë të mirë ekspertësh, gazetarësh, juristësh, aktivistësh, kemi punuar për të sjellë në Kuvend një amendim për Kodin Penal. Kjo është nismë që ne si PD e propozojmë jo thjesht për rregullim burokratik, por sepse këmbanat e alarmit për median në Shqipëri, bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga zhurma e propagandës së pushtetit, nuk e dëgjojnë. Realiteti i medias nuk është kaq rozë sa u prezantua këtu. Kujtesa është shpesh armiku më i madh i kësaj qeverie. Në vitin 2004, Shqipëria rënditej në vendin e 34 në botë për lirinë e medias. Në vitin 2014, Shqipëria ishte ne vendin 85, sot Shqipëria është në vendin e 99. Ky është rrënim, certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit.. Analiza bëhet më e zymtë kur shohim edhe indeksin e demokracisë. Shqipëria klasifikohej si autokraci elektorale. Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik. Vetëm në 2024, janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve. Këto tregues targetojnë kryesisht gazetare gra. Nuk ka integrim europian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve. Propozimi është i qartë, i drejtë, europian, e ndarë në dy shtylla. Shtylla e parë është liria, kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. Sigurisht që nëse dikush ka ankesë,e mbron me ligjin civil, por pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë. Kush prek një gazetar duhet të dënohet njësoj, gazetari është shërbyes publik.  Ky amendament nuk ka absolutisht asgjë politike. Ky është ligj që duhet ta bashkojë këtë parlament. Sot, kemi zgjedhje të qartë para vetes, mund të votohet kundër, ose të mbahet Shqipëria në këtë listë. Me ligjin që ka sjellë qeveria shqiptare dhe ndryshimet në kod, asnjë gazetar nuk do të përfitojë. Unë shpresoj që kolegët t’i thërrasin arsyes së tyre.", theksoi ajo.

Ora 20:13
Ndryshimet në Kodin Penal, Lamallari: Dekriminalizimi i 'shpifjes' për gazetarët, mbrojtje e lirisë së shprehjes! Parkimi dysh, vepër penale kur pengohen ambulancat, zjarrfikëset dhe policia

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Lamallari sqaroi se ndryshimet vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit, duke afruar më tej legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, me qëllim përputhjen për aq sa është e mundur. 

Dy ndryshimet e propozuara më të debatuara në opinionin publik dhe qarqet mediatike është ashpërsimi i sanksionit penal për parkimin dysh dhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes. Këtë ndryshim, Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias, ndërsa theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.

"Në fokus të kësaj pakete janë detyrimet që ka Shqipëria në përafrim me 7 akte kyçe të aktit legjislativ europian, në kuadrin e kapitullit 24 të negociatave që kemi me Komisionin dhe vendet anëtare. Kjo paketë përfaqëson një politikë penale më të qartë, më koherente, më europiane, e bazuar mbi analiza konkrete. Në thelb, paketa konsiston në një kontribut dhe hap të matur në drejtim të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është nevoja për të adresuar disa nga pikat e ndërmjetme të identifikuara në pozicionin e përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Kodi Penal përfarohet me 7 direktiva të Komisionit Europian, që lidhen me pastrimin e parave, trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, sigurinë e BE-së. Kjo ka qenë një analizë e përbashkët me ekspertët europianë. Këto nuk janë ndryshime formale, ato forcojnë realisht kapacitetet e shtetit shqiptar për të ndjekur krimin e organizuar dhe krimin kufitar.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, rriten dënimet për abuzimet seksuale. Nga ana tjetër zgjerohen edhe afatet e parashkrimit për këto vepra me ndjeshmëri shumë të lartë.

Një ndërhyrje e matur dhe e domethënëse bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që është parkimi në rresht të dytë, që trajtohet si vepër penale vetëm në ato raste kur pengohet seriozisht qarkullimi i ambulancave, zjarrfikësve dhe policinë e shtetit që mund të jetë në operacione të ndryshme.

Qeveria shqiptare ka marrë një angazhim që nuk ka ndodhur kurrë më parë: për herë të parë shteti shqiptar shkon me një nismë shumë serioze në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe një vendimi më demokrat që përfaqëson punën e gazetarëve, pa i vendosur ata para presionit për procesim penal, sidomos për akuzat që mund të bëhen për shpifje; nuk mund të ketë kurrsesi ndjekje penale për ta. Krahas dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët, kemi shkuar më tej duke garantuar mbrojtje specifike për ta",- tha Lamallari ndër të tjera.

Ora 19:27
Balla: Duhet një marrëdhënie e re dhe më e fortë mes Kuvendit dhe Diasporës! Mos u kujtoni vetëm për Zgjedhjet në 2029! (VIDEO)

 

Gjatë diskutimeve në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, i kushtoi një pjesë të veçantë fjalës së tij rolit dhe rëndësisë së diasporës shqiptare, duke theksuar nevojën për një ndryshim thelbësor në mënyrën se si institucionet e shtetit shqiptar e trajtojnë atë. Balla u shpreh se diaspora nuk duhet të jetë objekt vëmendjeje vetëm në momente zgjedhore, por një partner i vazhdueshëm në jetën politike, institucionale dhe shoqërore të vendit.

Fjala e plotë:

Për mua, per shumë nga kolegët këtu sot mendoj që kjo është 1 prej çështjeve më të rëndësishme të agjendës së punës së Kuvendit.

Po votojmë 1 marrëveshje, cila është historike sa i përket fushave, është historike sa i përket nivelit më të lartë të marrëdhënieve bilaterale mes 2 vendeve tona. Per për të cilat nuk ngurojmë as ne majtas e as ju djathtas të jemi mirënjohës qeverive ndër vite

të Republikës Italiane, që nga viti 1991, kur populli italian, qeveria italiane, policia italiane,të gjitha strukturat e shtetit italian në mars e pas marsit, në fakt, duke filluar që nga korriku i vitit 1990, me shqiptarët e parë që ikën përmes ambasadave, treguan gatishmërinë, por edhe dashurinë e popullit italian për të mikpritur vëllezërit e motrat tanë në ato vite të vështira për vendin tonë. Dëgjova një koleg, i cili me të drejtë

e nënvizoi faktin se ka qenë student atje, dhe janë të shumtë edhe në këtë sallë të cilët kanë pasur fatin, kanë pasur mundësinë të jenë studentë në Itali.

Dhe tani, të dashur kolegë, jemi në momentin që besoj që edhe ju, grupi parlamentar i Partisë Demokratike,

edhe pse kjo marrëveshje është diskutuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, edhe pse sektorë të ndryshëm të kësaj marrëveshjeje janë diskutuar nga ministrat e qeverisë socialiste,

unë besoj që ju votën do ta jepni për shkak se ky është një raport special mes 2 vendeve tona.

Unë dua të ndalem te pjesa e diasporës.

Zonja dhe zotërinj deputetë, ne diasporën nuk duhet kurrsesi ta kujtojmë vetëm kur vijnë votat.

Nuk duhet kurrsesi, pas gjithë atyre turravrapeve, mitingjeve, takimeve që patëm gjatë kohës që parapriu 11 majin,

dhe tani të kujtohemi pas 4 vjetësh, në 2029, për shkak se në zgjedhjet vendore diaspora nuk voton.

Na duhet domosdoshmërisht, edhe si Kuvendi i Shqipërisë, një qasje

e ndryshme në marrëdhënie me diasporën.

Jo vetëm me diasporën shqiptare në Itali, e cila është më e madhja,

edhe për shkak të numrave.

Edhe zgjedhjet e fundit treguan që numri më i madh i votuesve që u regjistruan është në Itali, por edhe në Greqi, edhe në Gjermani, edhe në Britaninë e Madhe, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, në vendet e tjera të Europës.

Por kudo që shqiptarët jetojnë.

Dhe unë mendoj dhe ju propozoj

edhe grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se të tjerët kanë firuar, vijnë këtu vetëm për të bërë zhurmë.

Por ju që jeni 1 parti e vjetër, të ulemi dhe të bëjmë një plan se si duhet t’i përqasemi diasporës, edhe duke përfituar nga komisioni i ri kuvendor

i yni, që ka brenda vetes dhe detyrave të veta, marrëdhënie me diasporën.

Do ishte e pafalshme nga ana jonë që të mos fillojmë të ndërtojmë një qasje të re. samiti i diasporës në 14–15 prill nuk është vetëm samiti i diasporës i qeverisë, është edhe samiti i diasporës i Kuvendit, dhe unë jam shumë i sigurt që qoftë komisioni, qoftë deputetët e opozitës apo mazhorancës, kanë një rol për të luajtur edhe gjatë samitit të diasporës. Dhe besoj që zonja Spiropali, në cilësinë e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila ka detyrën e organizimit, i gjen dhe t’i organizojë një rol të veçantë deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë samitit, të cilin besoj që do ta marrin pjesë të gjithë.

Ora 16:47
'Marrëdhëniet me Italinë, në nivelet më të larta'! Braçe: E papranueshme sjellja e Greqisë fqinje me shqiptarët në kufi, sa herë ka festa

 

Deputeti socialist, Erion Braçe thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë në nivelet më të larta.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe u shpreh se marrëveshja me Italinë për disa fusha të caktuara, do i shërbejë vendit për të rritur produktivitetin ekonomik, por edhe shoqëror.

Braçe deklaroi se me Greqinë, nuk mund të kemi marrëdhënie të tilla, ku çdo vit, sa herë që ka festa, shqiptarët rrinë në radhë në kufi. Sipas tij, marrëveshja për pensionet me Greqinë duhet të realizohet dhe të mos ketë burokraci. 

“Patjetër që mund ta kritikoni qeverinë, ta shani sa të doni, por të paktën, për dokumentin që është përpara, nuk ka arsye për çfarë ta shash. Marrëdhëniet me Italinë nuk kanë qenë kurrë në këtë nivel. Shqipërisë i ofrohet bujarisht dija njohuria, teknologjia, për atë që ne kemi më shumë nevojë, për të rritur produktivitetin ekonomik, por edhe shoqëror. Fushat që janë përshkruar në këtë marrëveshje, janë jetike për Shqipërinë, duke filluar nga shëndetësia. Duam të marrim ekselencën italiane, me qëllim që atë që ka arritur për kaq e kaq vite, sistemin shëndetësor publik, ta kemi edhe ne këtu. E dyta vjen industria, kemi qenë përgjithësisht fasoni i Italisë. Industria e sigurisë, është avantazh për ne. Për arsimin, Italia ka përvojë qindra vjeçare. Ne në po kaq vite kemi defiçitarë. Është shumë thjesht të flasim për universitetet e Shqipërisë, ne jemi bërë vend në universitet pas luftës, ata qindra vite, Italia po flas. Kjo gjë na duhet. Mos harroni që kjo marrëveshje është shkruar në një periudhë të ndërmjetme, ku edhe negociojmë edhe ku realizojmë për t’u bërë anëtarë të BE. Ne me Italinë kemi tejkaluar çdo gjë. Kemi pasur histori të mirë, por edhe luftëra. Kemi tejkaluar çdo gjë, duke ecur përpara, duke i çuar marrëdhëniet në nivele më të larta.. Niveli i integrimit të shqiptarëve në Itali është në kuota maksimale. Sa më lart shkon niveli i marrëdhënieve me Italinë, aq më keq duket Greqia në raport me ne.

Ky është problem shumë i madh. Grekët janë fqinjët tanë, ne kurrë nuk mund të kemi ato marrëdhënie që kemi, dhe nuk është nga ne. Ajo sjellje e përvitshme në kufi, është turpëruese, për një vend anëtar të BE, mënyra sesi e një pjesë e Greqisë politike i shikon shqiptarët, është e papranueshme. Jemi atje jo vetëm si qytetarë europianë, por edhe si aset ekonomik. Shqiptarët janë ndër punëtorët më të mirë në Greqi. Nuk mund të na shohin vetëm si krah pune. Atje në kufi vendosin barrierat e dy policëve, që e kanë hobi krijimin e radhëve, nga 4, 5 apo 6 kilometra sa herë ka Pashkë, vit të ri, sa herë ka pushime verore në Shqipëri. E kemi këtë problem me Italinë ne? Jo. Mbas 36 vjetësh të kemi sërish këtë problem? Kemi prapë sipërmarrjet shqiptare në Itali, janë kthyer në kontribut të rëndësishëm. Niveli i integrimit të tyre atje, është në kushte optimale. Shikoni atje si trajtohen emigrantët shqiptarë në Greqi, një copë leje, që të detyron të paguash sigurime shoqërore për të marrë atë copë leje. Edhe pse ka pasur nevojë për krah pune Greqia, shqiptarët kanë qenë atje. Kjo marrëveshje që kemi përpara, është kornizë e vlefshme, e dobishme, duhet të vihet në lëvizje. Nga marrëveshja te projektet kronkrete, është rrugë e gjatë përpara, burokracia nuk duhet ta dështojë këtë marrëveshje. Po i referohem marrëveshjes me pensionet, e kemi me vendet kryesore të Europës, por nuk e kemi me Greqinë. 3800 shqiptarë kanë aplikuar, 500 dosjet e para ka shkuar, por ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga marrëveshja. Burokracitë duhen kaluar që marrëveshja duhet të efektivitet të plotë. Me Greqinë nuk e kemi. Italia po zgjidhet, Greqia duhet të jetë në plan.", theksoi ai.

Ora 16:38
Ndryshimet në Kodin Penal/ Braçe propozon amendamentin: Burg për ata që u shesin duhan të miturve

1769512323_erionbrace.jpg

Deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar një amendament që ashpërson dënimin në Kodin Penal për ata që u shesin duhan ose cigare elektronike të miturve.

Sipas amendamentit të Braçes, shitja e duhanit dhe cigareve elektronike personave nën moshën 18 vjeç kur më parë ndaj personit janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 500.000 lekë ose me burgim nga 6 muaj deri në 1 vit.

“Kur nga kjo vjen dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi të jetë nga 4 deri në 8 vjet burgim, ndërsa kur kjo sjell si pasojë vdekjen e të miturit, dënimi duhet të jetë nga 8 deri në 16 vjet burgim.”, propozon Braçe.

Këto propozime do të votohen në fund të seancës plenare kur të miratohen ndryshimet në Kodin Penal.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 16:15
Me 1 gur 2 zogj, Balla: PD të bëri deputet qyl, ti Agron u vodhe listën e anëtarësisë! Por për këtë do të flasë tezja e Llapajt në Kuvend (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shfrytëzoi marrëdhëniet e tensionuara mes Adriatik Lapajt dhe deputetit Agron Shehaj, për t’i sulmuar të dy njëherësh.

Në një replikë me Shehajn, Balla tha se ndaj këtij të fundit rëndon një dënim për vjedhjen e databazës së anëtarësisë së Partisë Demokratike para se të “divorcohej” nga kjo forcë politike, por se për këtë do të flasë “tezja e Lapajt, Llapajt” në Kuvend, duke iu referuar deputetes Ana Dajko, e cila fitoi mandatin e ligjvënëses aksidenatalisht, për shkak të mosmarrëveshjes mes kreut të Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" dhe Endri Shabanit, asokohe drejtues i Nismës Thurje dhe bashkëkryetar i koalicionit, sot Avokat i Popullit.

“Kam para një vendim të një autoriteti të pavarur që je dënuar për vjedhjen e listave të anëtarësisë së PD, nuk po futem te Lapaj, Llapaj., Lapaj, se kur të merret vendimi i formës së prerë, të dalë e të flasë tezja e Lapajt këtu. Po ti i ke vjedhur listën e anëtarëve të PD, këta të futën qyl, ti u vjedh të dhënat”,- tha Lapaj.

Ora 16:14
Ibrahimaj në Kuvend: Marrëveshja me Italinë, tregues që përkthehet në përfitime reale për qytetarët

 

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj italiane “Për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.

Në fjalën e saj ministrja Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje që është ndër të parat e këtij niveli që Shqipëria nënshkruan me një vend të Bashkimit Europian, që sic e cilësoi Ministrja, vjen në një moment kur Ne jemi më pranë se kurrë anëtarësimit. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo ka rëndësi, jo vetëm politike, por edhe praktike: na ndihmon të përgatitemi konkretisht për tregun e përbashkët europian.

Marrëveshja e çon partneritetin Shqipëri-Itali në një nivel më të lartë, strategjik, duke përfshirë fusha kyçe si shëndetësia, arsimi, energjia, mjedisi, siguria, inovacioni, migracioni dhe transformimi ekonomik.

Kjo  marrëveshje, sipas Ministres, është plotësisht në përputhje me prioritetet e Bashkimit Europian, dhe do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në punësim dhe kapitalin njerëzor.

“Projektet që priten të zhvillohen do të krijojnë vende të reja pune, do të rrisin cilësinë e punësimit dhe do të investojnë në aftësi profesionale në sektorë me vlerë të shtuar si energjia, industria, infrastruktura, mbrojtja, shëndetësia dhe inovacioni”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Ora 16:11
“Plani juaj, të mbroni Ballukun dhe t'i drejtoheni Komisionit të Venecias për të fituar kohë”, Shehaj në Kuvend: Taulant, do të vijë edhe ty fundi (VIDEO)

 

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj thotë se qeveria po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku përmes Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj u shpreh se plani i kryeministrit Edi Rama, është t'i drejtohet Komisionit të Venecias, për të fituar kohë.

Shehaj iu drejtua edhe kreut të grupit të PS, Taulant Balla, duke i thënë se edhe atij do i vijë fundi.

“Tani, lajmi i ditës duhet të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kërkesën e Edi Ramës, për ndalimin e pezullimit të Belinda Ballukut, zëvendës së tij, të cilën SPAK e ka kapur duke vjedhur dhe duke abuzuar me paratë e qytetarëve. Por lajmi nuk ishte ky, lajmi ishte shkarkimi i drejtorit të 16 të Kadastrës së Vlorës në pak vite. 16 drejtorë të Kadastrës, ose janë shkarkuar, ose kanë dhënë dorëheqje, sepse padrejtësia më e madhe që i është bërë këtij populli, ka të bëjë me pronat, keni vjedhur pronat, ju keni mohuar të drejtën e pronës, i keni rrjepur, i keni telendisur. Jeni pasuruar duke vjedhur pronat. Ky parlament në 35 vjet, padrejtësia më e madhe, ka qenë e drejta e pronës. Kjo është padrejtësia më e madhe, në këto 35 vjet nuk keni pasur drejtësi. Tani, Gjykata Kushtetuese ndërkohë, ka mbetur shpresa e fundit për ju, për të korruptuarit që t’i shpëtojnë drejtësisë, shpresa  e vetme e ministres Balluku, që ka kërkesë për arrest, ju e mbroni këtu. Ka 3 muaj që ka një hetim. Ka kërkesë pezullimi, arrestimi, e keni marrë në mbrojtje, keni një plan diabolik në lidhje me Gjykatën Kushtetuese.

Unë e kuptoj shqetësimin tënd Taulant, jam Taulanti dua 100 mijë euro. Do kthehemi te thelbi. Gjykata Kushtetuese ka gjasa të marrë vendim, ose të mos marrë vendim, t’i drejtohet Komisionit të Venecias, të fitojmë kohë, ja që shpëtuan nga sikleti i Belinda Ballukut. Vendimi për fatin tuaj, për fatin e të korruptuarve nuk është marrë këtu, por në Perëndim, u ka gjetur belaja. Po i shpikni të gjitha. Është koha juaj, koha e të korruptuarve, që kanë vjedhur qytetarët shqiptarë, Taulant, shumë shpejt do të vijë fundi edhe ty”, theksoi ai.