TIRANË- Për rreth dy orë e gjysmë moderatori Ardit Gjebrea është pyetur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, si person në dijeni për një hetim të SPAK, fraksion i ndarë nga dosja e kryebashkiakut Veliaj.
Gjebrea u thirr nga prokurori Ols Dado ndërsa ende nuk ka detaje për çështjen konkrete për të cilën është pyetur. Vetë moderatori konfirmoi se ishte në cilësinë e dëshmitarit.
Gjebrea tha për mediat se nuk mund të flasë më shumë rreth kësaj çështje, teksa nuk munguan as batutat.
“Isha në cilësinë e dëshmitarit për një çështje që është sekret hetimor, nuk flas dot më shumë, respektoj institucionin. Më thirrën si person në dijeni. E kam për herë të parë (paraqitja në SPAK), ishin miqësor edhe unë i ftova në studio”, tha Gjebrea.

Thirrja e moderatorit Ardit Gjebrea në SPAK, ku u pyet për rreth dy orë e gjysmë si person në dijeni për një hetim të ndarë nga dosja e Erion Veliajt, ka sjellë reagimin e Tedi Blushit nga Partia e Lirisë. Në një postim në Facebook, Blushi ironizon Prokurorinë e Posaçme duke pyetur se kur do të thirret edhe Kanye West i cili u pagua nga buxheti i shtetit pwr njw koncert nw Tiranw, ndërsa thekson se as Gjebrea dhe as Igli Tare nuk janw ata qw kanë qeverisur Shqipërinë.
Blushi i kërkon SPAK-ut të thërrasë kryeministrin Edi Rama dhe të dërgojë në Kuvend kërkesën për Belinda Ballukun. Ai akuzon Prokurorinë e Posaçme se po bën “teatër me personazhe publikë” dhe kërkon hetimin e vendimmarrjeve, kontratave dhe përgjegjësive të atyre që kanë administruar paratë publike. Sipas tij, shqiptarët nuk presin një “paradë VIP-ash” para kamerave të SPAK-ut, por drejtësi për aferat me paratë publike.
"Shumë mirë që thirrën edhe Ardit Gjebrean në SPAK. Po Kanye West kur do ta thërrasin? Apo nuk ka ardhur ende radha e yjeve ndërkombëtarë? Shqipërinë nuk e kanë qeverisur as Ardit Gjebrea dhe as Igli Tare!
Ka firmosur gjë Ardit Gjebrea për inceneratorin e Tiranës? Apo ka firmosur Igli Tare për 50 milionë eurot bakshish te Tuneli i Llogarasë? Mos bëni teatër me personazhe publikë që nuk kanë drejtuar Qeverinë dhe nuk kanë pasur kurrë në dorë fatet dhe financat e këtij vendi.
Thirrni Edi Ramën në SPAK! Dërgoni në Kuvend kërkesën për Belinda Ballukun! Hetoni vendimmarrjen, firmat, kontratat dhe përgjegjësitë e kujtdo që ka pasur pushtetin dhe ka administruar paratë publike.
SPAK-u nuk është zyrë për të hetuar agjencitë e spektakleve dhe as arbitër për faullet në fushën e blertë. Shqiptarët nuk presin një paradë VIP-ash para kamerave te dera e SPAK-ut me regji politike.
Presin drejtësi për aferat që rëndojnë mbi paratë dhe të ardhmen e tyre! Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër sezon spektakli.
Ujqrit janë kapur në qerre lepujsh, SPAK heton kanarinat që këndojnë mbi pemë. Shqipëria ka nevojë ulëritëse për fundin e pandëshkueshmërisë dhe fundin e Drejtësisë me Regji që ka shpallur vetëasgjesimin dhe vetëinkriminim e saj duke u vetëdiskredituar çdo ditë!" shkroi Blushi











Komente
Komento