Argjentina zhgënjen sërish në Kupën e Amerikës. Kundër Paraguajit në Belo Horizonte Messi me shokë nuk shkuan dot më shumë se një barazim 1-1 dhe tashmë ndodhen të fundit në grupin B. Paraguaji e mbylli pjesën e parë në avantazh me golin e Sanchez në minutën e 37-të. Ekipi i drejtuar nga Lionel Scaloni arriti të barazojë në pjesën e dytë me Leo Messin.
Kapiteni i Argjentinës kthen në gol një penallti të akorduar me VAR dhe barazpeshon shifrat. Paraguaji kishte një mundësi të artë të shënonte golin e fitores por portieri Armani priti penalltinë e gjuajtur nga Derlis Gonzales në minutën e 62-të. Argjentina duhet patjetër të fitojë në ndeshjen e fundit të grupit B ndaj Katarit nëse do të kualifikohet më tej.
Ndërkaq Kolumbia bëhet skuadra e parë që arrin të kualifikohet për në çerekfinalet e Kupës së Amerikës. Cafeteros mposhtën 1-0 Katarin falë golit të Duvan Zapata dhe me 6 pikë e mbyllin në vend të parë grupin një ndeshje nga fundi./ Përgatiti Andi Kapxhiu