Arkivat e Vatikanit/ Zbulohet relacioni i Stefano Gasparit i vitit 1671

Arkivat e Vatikanit/ Zbulohet relacioni i Stefano Gasparit i vitit 1671

Studiuesi Mark Palnikaj ne Vatikan dhe relacioni i Stefano Gasparit

Ky dokument konsiderohet relacioni më i rëndësishëm për Historinë e Shqipërisë për shekullin XVII krahas relacionit të Marin Bicit të vitit 1610.

I shkruar në 125 faqe format i madh, ky shkrim i tejkalon kufijtë e një relacioni informativ dhe ka rëndësinë e një studimi të plotë për zonat që ai i studioi dhe i shkeli me këmbë për dymbëdhjetë muaj pa ndërprerje.

Rëndësia e këtij relacioni qëndron në faktin se popullsia e Shqipërisë së Veriut e përfshirë në territoret e shtatë dioqezave, në shumicën dërmuese i kishte mbijetuar asimilimit fetar dhe nuk e kishte pranuar të bëhej renegat i fesë katolike në pjesën më të madhe të tij.

Këtë qëndresë e kishin bërë në mënyrë të pavarur dhe pa mbështetje nga Selia e Shenjtë për afër një shekull e gjysmë.

Në masë të madhe ata jetonin si shqiptar por si të krishterë jetonin vetëm për forcë zakoni dhe jo sepse kisha romane kishte treguar ndonjë përkujdesje për ta.

Mbas krijimit të organizatës për përhapjen e fesë në janar 1622 e quajtur ndryshe edhe Propoganda Fide, u krijuan organizma për të rimëkëmbur besimin e harruar nga një pjesë e popullsisë së vendeve të pushtuara nga Perandoria Osmane ku bënte pjesë edhe popullsia e Shqipërisë së sotme.

Për përmbushjen e këtij misioni organet më të larta të Selisë së Shenjtë në Vatikan vendosën të dërgonin një person për të paraqitur një panoramë të saktë të gjendjes së besimtarëve në këto treva.

Personi i ngarkuar me këtë punë duhet të shkonte fshat më fshat dhe të përshkruante në mënyrë të hollësishme realitetin në të cilin ndodhej popullsia e këtyre vendeve.

Duhet të silleshin të dhëna për gjendjen dhe numrin e popullsisë, sa ishin konvertuar në fenë islame dhe sa e ruanin akoma besimin e mëparshëm, gjendjen e kishave dhe inventarit të brendshëm, shpenzimet e nevojshme për riparimin e tyre, gjendjen e pronave të kishave dhe vlerën aktuale të tyre dhe të dhëna të tjera me karakter social dhe politik.

Relacioni përmban të dhëna të hollësishme për numrin e popullsisë por edhe vendbanimet dhe emërtimin e tyre edhe kur janë katër apo pesë familje.

Ka të dhëna gjeografike ku përfshihen emrat e lumenjve, maleve, krahinave, kufijtë gjeografik te tyre etj.

Ka të dhëna me karakter ekonomik ku tregohet për llojet e bimëve që kultivoheshin, për prioritetet, për gjendjen ekonomike të popullsisë, për monedhat, për shërbimet që ofroheshin si fetare ose edhe shëndetësore deri edhe kirurgjikale.

Nisur nga këto informacione që përfshin ky relacion është konsideruar nga studiuesit e huaj dhe më vonë edhe nga ata shqiptar si relacioni më i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë për shekullin XVII. Por nëse një relacion i ngjashëm i Zmajeviqit i vitit 1704 është publikuar i plotë dhe pa gabime, relacioni i Gasparit megjithëse mjaft me rëndësi, akoma edhe sot e kësaj dite nuk është publikuar vetëm pjesërisht dhe me shumë gabime të cilat vazhdojnë të merren në konsideratë si burime historike të sakta dhe të prodhojnë shkrime me gabime të cilat nganjëherë shkojnë deri në tjetërsim të realitetit historik.

Nga të dhënat arkivore merret vesh se dërgimi i Stefano Gasparit në Shqipëri për të raportuar për gjendjen e kishës katolike në këto treva por edhe për gjendjen sociale dhe shoqërore të popullsisë së këtyre trevave, është ndërmarrë nga organet më të larta të shtetit të Vatikanit. Ai është përzgjedhur për këtë mision sepse ishte me kombësi shqiptare, njihte gjuhën dhe zonat në të shtatë Dioqezat me popullsi shqipfolëse, kishte mbaruar me sukses Kolegjin Ilirik të Loretos dhe Kolegjin Urbanian në Vatikan dhe mbi të gjitha ishte i njohur edhe për një inteligjencë të mirë në raport me kolegët e tjerë.

E thënë ndryshe, ai në vitin 1670 kishte mbaruar dy shkolla të larta nga më në zë për atë kohë dhe kjo ishte padyshim një arritje shumë e madhe e tij.

Në fillim ofertën për të kryer një mision të tillë ai nuk e ka pranuar me pretendimin se i rrezikohej jeta nga turqit që kishin pushtuar këto zona dhe se i kishin ofruar një pagesë të pamjaftueshme.

Mbas disa muaj negociatash midis tij dhe eprorëve, është rënë dakord që ai të vizitonte dioqezat me banorë shqipfolës jo si klerik por si një turist, qytetar i thjeshtë kundrejt një shume shumë të madhe monetare për nevoja të shërbimit si ushqim, fjetje, pagesë për kuajt dhe shoqëruesit dhe për ryshfetet që parashikohej se do ti duheshin për pushtetarët e korruptuar turq nëse ata do ti nxirrnin pengesa.

Shuma e madhe monetare që i është vënë në dispozicion për të përmbushur misionin e ngarkuar, e vinin atë para përgjegjësisë që detyrën e ngarkuar ta kryente në nivelin më të lartë të mundshëm.

Prandaj ka kaq shumë rëndësi gjetja dhe publikimi korrekt i këtij relacioni sepse në të është përfshirë maksimumi i mundshëm i informacioneve që mund të merreshin në atë kohë nga një person i huaj, nga vende kundërshtare me pushtuesin osman të vendit tonë.

Në Shqipëri është publikuar i plotë për herë të parë në revistën “Hylli i Dritës” në katërmbëdhjetë numra gjatë viteve 1930, 1931 dhe 1932.

Historianët dhe studiuesit e ndryshëm që merren me histori ju kanë referuar këtij relacioni në dhjetëra shkrime të publikuara gjatë këtyre nëntëdhjetë viteve për të ilustruar shkrimet e tyre duke sjellë shumë herë konfuzion dhe pasaktësi të “certifikuara” me autoritetin e revistës prestigjioze Hylli i Dritës.

I pari që ka reaguar mbas këtij publikimi ka qenë studiuesi Fulvio Kordinjano, i cili në vëllimin e tretë të librit të tij me titull “L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. 1847-1914”, botuar në Romë në vitin 1934, i ka kushtuar këtij relacioni një kapitull të tërë, atë të dhjetin, nga faqja 321 deri në faqen 332 duke i bërë një analizë të thellë historikut të këtij relacioni dhe publikimit në revistën “Hylli i Dritës”.

Ai ka shkruar se ka kërkuar kopjen origjinale të këtij relacioni në arkivat italiane të kohës dhe nuk e ka gjetur. Në vazhdim të punës së tij ai ka lexuar dy kopjet e këtij dokumenti që ishin të ruajtura në dy fonde arkivore në Romë dhe në Napoli.

Mbas studimit të vëmendshëm të të dyja kopjeve dhe të revistës, ai ka arritur në konkluzion se publikimi përmban më shumë se njëqind gabime që vinin nga pamundësia e leximit dhe rishkrimit të realizuar nga paleografët që janë marrë me këtë punë dhe ka publikuar në librin e tij një tabelë me njëqind gabime që ai ka mundur të identifikojë. Kjo tabelë është e vendosur në faqet respektive 327 deri 332. Në këtë korrigjim të gabimeve të vërejtura ai nuk ka përfshirë paragrafët që mungojnë në kopjen e Napolit.

Tani, mbas tetëdhjetë e shtatë viteve që është publikuar pjesa e fundit e kopjes së këtij relacioni të marrë nga Biblioteka Kombëtare e Napolit në Pallatin Mbretëror të këtij qyteti, marrë shkas nga gabimet e shumta që përmban ky publikim, vendosëm të merremi edhe një herë me këtë problem.

Për këtë arsye kemi marrë të plotë kopjen e këtij relacioni që gjendet në Napoli që ruhet si dorëshkrim në 125 faqe, në një dosje me rreth 450 faqe dokumente të ndryshme.

Kemi marrë edhe kopjen që gjendet në Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, edhe ky në dorëshkrim me mbi 125 faqe.

Nga krahasimi i dy kopjeve të përmendura dhe i shkrimit të publikuar në Hyllin e Dritës, lehtësisht dallohet që ka ndryshime të mëdha midis kopjeve në dorëshkrim dhe tekstit të publikuar në revistën në fjalë.

Nga studimi që u kemi bërë këtyre dokumenteve kemi vënë re që kopjet dorëshkrim midis tyre kanë dallime dhe nuk janë kopjuar nga i njëjti person por nga dy kopjues të ndryshëm.

Teksti i publikuar në revistën Hylli i Dritës është një rishkrim i kopjes dorëshkrim të Napolit por i rishkruar me më shumë se njëqind gabime.

Kopja që ruhet në Vatikan ka ndryshime të dukshme sepse ka të shkruara të dhëna që kopja e Napolit nuk i përfshin.

Ajo është shumë më e plotë se kopja e Napolit dhe ka disa paragrafë shkrime më shumë, me të dhëna që kopjuesi që ka shkruar kopjen e Napolit i ka lënë pa i shkruar për motive që për ne nuk janë të qarta.

Një hamendësim mbi mospërfshirjen e disa paragrafëve në kopjen e Napolit mund të jetë që ai u censurua për të ruajtur disa të dhëna që për atë kohë mund të konsideroheshin sekrete. Por kjo ide e jona mund të konsiderohet vetëm një hamendje e pa bazuar në të dhëna konkrete. Arsyeja e mos përfshirjes në kopjen e dokumentit të këtyre paragrafëve mund të jetë krejt tjetër nga ajo që mendojmë ne.

Nisur nga ky fakt, jemi të mendimit që duhet kërkuar në arkiva të tjera për të bërë të mundur gjetjen e kopjes origjinale të shkruar nga autori dhe të bëhet rishkrimi dhe publikimi nisur nga kopja origjinale. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë duhet rishkruar korrektësisht kopja që gjendet në Arkivin e Propogandës fide dhe duhet përkthyer me kujdesin më të madh duke u konsultuar persona njohës të mirë të terrenit në secilën Dioqezë.

Jemi të mendimit që kopja origjinale mund të ndodhet në Arkivin Sekret ose në fondin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Apostolike në Vatikan. 

Nisur nga ky fakt, e ndërmorëm shkrimin e këtyre radhëve për këto qëllime:

Së pari me qëllim që institucionet shtetërore zyrtare të japin fondet e nevojshme për të bërë një studim dhe publikim zyrtar serioz të këtij dokumenti. Nëse jepen fondet e nevojshme, jemi të gatshëm për të bërë studimin e nevojshëm dhe publikimin anastatik me ngjyra të të dyja kopjeve të këtij dokumenti me rëndësi.

Së dyti, nëse institucionet shtetërore zyrtare nuk merren me këtë problem, shoqëria civile në bashkëpunim me institucione arsimore, të mundohen që të gjejnë një kandidat për gradë shkencore dhe ti ngarkohet kryerja e plotë e studimit të këtij dokumenti në këmbim të marrjes së gradës shkencore.

Së treti, ata që i referohen këtij dokumenti ti marrin në konsideratë të dhënat e këtij shkrimi për të mos rënë pre e gabimeve të kopjuesve dhe të publikuesve të tij.

 Rëndësia e këtij dokumenti është shumë e madhe prandaj u bëj thirrje institucioneve shtetërore që ti japin rëndësinë që ka studimit të këtij dokumenti dhe të publikohet sa më i plotë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen