Armand Plaka: Si e shihnin
Shqipërinë gazetarët e huaj

Armand Plaka: Si e shihnin<br />Shqipërinë gazetarët e huaj
“Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990” është një libër studimor me fakte e argumente të sjella nga mediat gjermane e amerikane mbi periudhën e izolimit të hekurt të Shqipërisë nga viti 1945 e deri në vitin 1990. Gazetari dhe studiuesi Armand Plaka rrëfen për “Shqiptarja.com” linjat më interesante të këtij libri, mes tyre një artikull të vitit 1961 në amerikanen “Time”, duke na e sjellë më pranë atmosferën që mbizotëronte jo vetëm në atë vit, por në gjithë periudhën e sundimit komunist në Tiranë e Shqipëri mbi aktivitetin e sigurimit të shtetit...

Çfarë trajton ky libër dhe në çfarë formati është sjellë?
Ai në fakt përbën një përmbledhje artikujsh që unë kam botuar në mediat shqiptare në vitet 2004-2010 në kuadër të një cikli me emrin “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”, i cili ka shumë gjasa të mos përfundojë me këtë botim, pasi ai do vijojë më tej me botimin e pjesëve të tjera në mediat shqiptare. Gjithashtu libri përmban edhe pjesë që s´janë botuar kurrë më parë. Ky libër trajton temën “Shqipëria moniste” në të gjithë përmbajtjen e saj, në kohë e hapësirë, duke u përqendruar tek periudhat më të rëndësishme historiko-politike të vendit, të sjella me syrin, dorën dhe nën këndvështrimin e platformave mediatike perëndimore të kohës, ku si etalon i tyre janë marrë shtypi gjermanoperëndimor dhe ai amerikan, përcjellë nëpërmjet prestigjozeve si “Spiegel”, “Die Zeit”, “Frankfurter Allgemeine”, “Ëashington Times”, Revista “Time”, por është shfrytëzuar edhe arkiva e Radios së mirënjohur “Europa e Lirë”, si dhe disa gazeta e revista të tjera, me një relevancë më të vogël.

Kujt i drejtohet ky libër?
I drejtohet në radhë të parë, të rinjve shqiptarë, të lindur në vitet e demokracisë, të cilët kanë rastin të shohin të sjella në një mënyrë të pavarur, neutrale e të pandikuar, eksperiencat nga dhe rreth Shqipërisë së asaj kohe. Libri është një ftesë për të kuptuar më shumë se si lindi dhe u mbajt më këmbë një sistem absurd që ka ndikim direkt edhe sot e kësaj dite në mentalitetin e veprimet tona.

A mundet që vetëm kjo përzgjedhje gazetash e revistash në fjalë ta përfaqësojë atë çka mediat perëndimore kanë thënë e shkruar për Shqipërinë në ato vite?
Kjo është një pyetje e drejtë, të cilës dëshiroj t´i rezervoj pak hapësirë. Theksova edhe pak më lart se kjo është një përzgjedhje e bërë me qëllim, pasi unë posedoj prej kohësh një arkivë të pasur me artikuj nga gazetat perëndimore, në përmbajtje origjinale, fizike apo virtuale, të cilat gjeografikisht i tejkalojnë disa herë përmasat e sjella në këtë libër, duke ia nisur që nga Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Spanja, Franca e Islanda, e duke vijuar në kontinente të tjera me Australinë e e Zelandën e Re, me Brazilin, Argjentinën, Kanadanë e SHBA-të. Por duke u nisur nga shumë arsye ( duke futur këtu edhe ato praktike, kohën dhe angazhimin e veçantë që kërkon përkthimi i tyre, duke lëvizur nga njëra gjuhë në tjetrën etj.) mendova se në një mënyrë më të fokusuar do të mjaftonte paraprakisht prezenca e prestigjiozeve gjermane e atyre amerikane, për të pasur një ekstrakt të mendimit e vlerësimit socio-politik të të ashtuquajturës “Bota Perëndimore” rreth Shqipërisë, duke përjashtuar vetëm përkohësisht pjesën e mbetur të mediave të tjera.

A kanë qenë limitet në kohë e hapësirë që ju i keni paracaktuar në këtë cikël kur erdhët tek ideja e botimit të këtij libri, të mjaftueshme dhe a i jeni përmbajtur atyre në mënyrë strikte?
Kufizimi në kohë e në hapësirë, e kam theksuar edhe në komentin shoqërues të librit, sidoqoftë, nuk duhet konceptuar si kriter strikt, pasi në artikuj gjen një ndërthurje faktesh e problematikash që të çojnë edhe përtej këtyre limiteve, siç mund të jetë për shembull, çështja e Kosovës, e cila nga kjo pikëpamje shpesh është bërë pjesë e analizave të të huajve, ndërsa skanonin aktualitetin shqiptar të kohës. Po kështu, nga pikëpamja kohore për shembull, botohen artikuj që cekin realitetin e vitit 1991, kur diktatura komuniste në Shqipëri ra plotësisht me aktin simbolik të rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës dhe kur po mbillej pluralizmi shqiptar e zienin akoma lëvizjet për demokraci. Gjithashtu, ky cikël përmban edhe dy artikuj, të cilët bazohen në vlerësimet dhe përfundimet e një njohësi të hershëm të vendit tonë nga Italia, Dr. Giovanni Armillotta, për çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Shqipërisë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, të cilat përkojnë në kohë, por edhe në përmbajtje, me temat që trajton cikli: Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990!

Cilat janë fushat që ato trajtojnë dhe sa të vërteta kanë qenë raportimet e ish-kolegëve tanë perëndimorë në ato kohë?
Fushat që ato trajtojnë variojnë që nga politika e ekonomia, e deri tek arti dhe kultura, gjuha, përshkrimi i dokeve, zakoneve e traditave shqiptare të kohës, të cilat përcillen shpesh me mjeshtëri nga gazetarët e reporterët e huaj për mediat e tyre respektive, por ndonjëherë has edhe në shtrembërime, inkoherencë, apo konstatime plotësisht të pasakta, që mendoj se kanë ardhur kryesisht si pasojë e mosnjohjes sa dhe si duhet të realitetit shqiptar të kohës.

A ka ndonjë episod apo paragraf interesant, tek i cili ia vlen të ndalojmë për të ilustruar më thjesht e në mënyrë më të goditur atë çka shkruanin të huajt asokohe për Shqipërinë?
Sigurisht se ka shumë të tillë dhe kjo ma bën paksa të vështirë përzgjedhjen momentalisht, por megjithatë do të doja të veçoja njërin syresh që na vjen nga një artikull i vitit 1961 në amerikanen “Time”, duke na e sjellë më pranë atmosferën që mbizotëronte jo vetëm në atë vit, por në gjithë periudhën e sundimit komunist në Tiranë e Shqipëri: Përveç njerëzve me uniformë, Tirana mbytet nga njerëzit me kostume civile të Sigurimit, policia sekrete e Shqipërisë, metodat e hetimit të të cilës, variojnë nga përdorimi i gjarpërinjve të helmatisur, deri tek elektroshoku që e tund mirë të burgosurin, kur ai përpiqet të ngrihet apo të ulet. Sipas një raporti të OKB-së, 80 000 nga 1. 700. 000 banorë që ka Shqipëria, janë deportuar në kampe përqendrimi që nga viti 1945 deri në 1956-ën dhe 1.600 prej tyre kanë vdekur atje.

Sipas asaj çka ju rezulton juve në këtë studim, cila ka qenë çështja dhe hapësira të cilës i është kushtuar më shumë vëmendje në mediat perëndimore në periudhën që ju shqyrtoni?
Sigurisht se ato përbëjnë ngjarje kulmore në historinë shqiptare të pasluftës në monizëm, siç ishin ato që rëndom në fjalorin politik popullor shqiptar njihen si: prishja me ish-Jugosllavinë, prishja me ish-Bashkimin Sovjetik, lidhja apo dhe prishja me Kinën, izolimi dhe përpjekjet për të reformuar e grimuar sistemin në grahmat e tij të fundit, në fundvitet `80- përfshirë këtu, sigurisht, edhe momentin e vdekjes së diktatorit.

Në rubrikën “dossier” në mediat shqiptare në këto 20 vjet, kolegët tuaj janë përqendruar kryesisht në intervista e kujtime të protagonistëve apo viktimave të ngjarjeve e fenomeneve që lidhen me atë periudhë. Po ju ku e rendisni kontributin tuaj?
Një pjesë të konsiderueshme të këtij botimi, do e gjeni - siç mund ta kem përmendur edhe diku më lart - të pasqyruar në rubrikat “dossier” të të përditshmeve shqiptare përgjatë këtyre 6-7 viteve të fundit. Unë e respektoj shumë punën e gazetarëve që kanë trajtuar e trajtojnë këto çështje në të njëjtën rubrikë me mua duke sjellë kontribute që tek e fundit pasurojnë me fakte e dëshmi të vërtetat e asaj kohe. Por unë kam synuar të sjell një qasje tjetër në lidhje me dëshmitë historike që i referohen asaj periudhe, duke u fokusuar e u konsultuar kryesisht tek materialet në gjuhë të huaj, për të cilat më është dashur të shpenzoj shpesh shumë kohë e mund për t´i siguruar e pastaj për t´i përkthyer, komentuar e sjellë në kontekstin e duhur për botim, duke nxjerrë në mënyrë eksplicite problematikën konkrete që trajtonin, apo bërë në disa raste paralelizmat e aludimet, pasi kam konsultuar (në shumë raste ) më parë e verifikuar të dhënat me materialet në shqip. Parë në këtë kontekst, edhe unë e rendis veten modestisht tek gazetarët, historianët, studiuesit apo quajeni si të doni, pasi ndërthurja aty është evidente. Gjithsesi, nuk mund të rri pa përmendur me keqardhje edhe faktin se shpesh në mediat tona gjen edhe mediokritete, një tautologji lodhëse e përsëritje të neveritshme dhe abuzive të fakteve e dëshmive historike, të cilat në mënyrë bombastike “shiten” si “të botuara për herë të parë”.

Cili është projekti juaj i radhës, nëse ka një të tillë?
Po ka një të tillë, i cili nëse gjen terren e përkrahje, ka shumë gjasa të dalë për botim këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Bëhet fjalë për të sjellë në shqip një përmbledhje me dokumente arkivore të dorës së parë, të pabotuara më parë, nga shtypi i huaj i asaj kohe ( 1900-1914), fokusuar sidomos tek ai austro-hungarez, italian, francez, britanik e ai amerikan, duke i shtuar edhe ndonjë material nga Spanja, Finlanda, vendet e Beneluksit e Gjermania, të cilët dëshmojnë më së miri nëpërmjet njoftimeve të shkurtra, reportazheve, analizave e editorialeve, përtej problemeve e fenomeneve negative të kohës, edhe përpjekjet e padiskutueshme të shqiptarëve për të arritur bashkimin kombëtar, pavarësinë dhe përparimin shoqëror, për t´u renditur kësisoj në krah të kombeve të tjera të botës së përparuar.

(aq/shqiptarja.com)



  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza