Armando Broja dhe Marash Kumbulla janë të lidhur me një largim nga klubet respektive, kur jemi diçka më shumë se 24 orë nga fundi i afatit të transferimeve të janarit.
Broja pritet të jetë sot në fushë kundër Liverpoolit në "Anfield", ndërsa West Ham, Fulham dhe Aston Villa janë pas tij, me Wolves që u larguan nga gara. Në Itali, e ardhmja e Kumbullës lidhet me Sassuolon, me palët që kanë gjetur akord të paktën për një huazim. Orët e fundit të merkatos duket se kanë futur në ankth legjionarët.
Informacion mbi merkaton në Evropë
Për sa i përket 5 ligave më të mira evropiane (Serie A, Premier League, Bundesliga, La Liga dhe Ligue 1), edhe këtë vit për të gjithë është konfirmuar një ditë e vetme e mbylljes së merkatos, e enjtja e 1 shkurtit.
Edhe një herë, oraret do të ndryshojnë. Nëse në Itali ora e mbylljes së merkatos është caktuar në 20:00, në Angli (Premier League) perdja ulet në orën 23:59 (me orën lokale), në të njëjtën kohë edhe për Spanjën (La Liga). Në Francë (Ligue 1) merkato mbyllet në orën 23:00, ndërsa mbyllet pak më herët në Gjermani (Bundesliga), në orën 18:00.
Edhe pjesa më e madhe e kampionateve europiane do të mbyllë merkaton e dimrit në datën 1 shkurt.
Vendet e tjera
Merkato e kampionatit turk do të vazhdojë deri në 9 shkurt, në Austri merkato përfundon më 6 shkurt dhe në Zvicër më 15 shkurt, datë e njëjtë me Kroacinë dhe Slloveninë.
Jashtë Evropës nuk ekziston më kërcënimi saudit. Merkato në Arabinë Saudite u mbyll më 30 janar, por ka ende kohë për të kaluar në Australi (7 shkurt) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (21 shkurt). Shtetet e Bashkuara hapën tregun sot më 31 janar dhe do vijojë deri më 23 prill.
Lojtarët e lirë
Deri më 25 shkurt do të jetë i mundur regjistrimi i lojtarëve të lirë, pra ata pa ekip dhe të lirë nga angazhimet kontraktuale me klubet e tjera.