Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera në dy lokacione në veri të vendit. Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se kontrollet janë kryer në fshatin Dren të Leposaviçit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit në objektin e përdorur si stallë në fshatin Dren, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë M-56, një pistoletë CZ-99 të kalibrit 9 mm dhe një pistoletë CZ Mod-70 të kalibrit 7.65 mm.
Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm. Ndërkohë në pranga ka rënë një person.
Ndërsa në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, policia gjeti në një shtëpi të pabanuar një pushkë automatike AK-47, së bashku me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë
Po ashtu u sekuestruan edhe një pushkë gjuetie M-48, 186 fishekë për armë të gjatë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.
Njoftimi i plotë:
Më datën 27.09.2026, Policia në Veri ka pranuar informacione se në dy lokacione të ndryshme, përkatësisht në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të komunës së Zubin Potokut, mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera ilegale.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe kanë realizuar kontrolle dhe bastisje në këto lokacione, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera.
Rasti I – Fshati Dren, Leposaviq
Gjatë kontrollit në një objekt të përdorur si stallë (ahur), zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar: Një armë përsëritëse M-56, prodhim jugosllav, Crvena Zastava; Një pistoletë CZ-99, kalibër 9 mm, prodhim jugosllav, Crvena Zastava; Një pistoletë CZ Mod-70, kalibër 7.65 mm, prodhim jugosllav, Crvena Zastava;
Nëntëdhjetë e nëntë (99) fishekë të kalibrit 7.62 mm; Tridhjetë (30) fishekë të kalibrit 9 mm;
Dhjetë (10) fishekë të kalibrit 7.65 mm.
Në lidhje me këtë rast, është arrestuar personi me inicialet S.V., i lindur në vitin 1971, në cilësinë e të dyshuarit.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Leposaviq, ku është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti II – Fshati Shipovë, Zubin Potok
Gjatë bastisjes së një shtëpie të pabanuar në fshatin Shipovë të komunës së Zubin Potokut, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar:
Një pushkë automatike AK-47, prodhim jugosllav, së bashku me gjashtë (6) karikatorë dhe 157 fishekë të kalibrit përkatës;
Një pushkë gjuetie M-48, prodhim jugosllav, së bashku me 186 fishekë për armë të gjatë;
Një bajonetë;
Uniforma ushtarake me emblemë serbe;
Dy (2) çanta ushtarake;
Një pajisje ushtarake për ushqim.
Në lidhje me këtë rast, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dy rastet është iniciuar hetimi për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajon ata që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192.
Policia mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore me qëllim të garantimit të sigurisë dhe rendit publik.










Komente
Komento