Armëpushim midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës

Armëpushim midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës

Një armëpushim i brishtë midis forcave izraelite dhe militantëve në Rripin e Gazës duket se po respektohet, pas pesë ditësh përleshjesh që lanë të vrarë 33 palestinezë dhe dy persona në Izrael. Dhuna e re u nxit të martën, më 9 maj, kur avionët izraelitë vrarë tre komandantë të lartë të grupit militantë, Xhihadi Islamik, në përgjigje të raketave të lëshuara më herët nga Gaza. Këto vrasje shkaktuan breshëri zjarri nga militantët dhe kërcënuan që ta tërhiqnin rajonin në një luftë tjetër, por Egjipti të shtunën mbrëma arriti të ndërmjetësonte një marrëveshje armëpushimi.

Përderisa ka ndalje të luftimeve në Gaza, ku jetojnë 2 milionë banorë, marrëveshja e armëpushimit nuk ka adresuar asnjë nga çështjet kryesore që kanë nxitur dhunën midis Izraelit dhe grupeve militante palestineze në Rripin e Gazës në vitet e fundit. Në Gaza, banorët kanë thënë se dhuna e fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në banesat e tyre, teksa Izraeli ka deklaruar se gjashtë anëtarë të Xhihadit Islamik janë vrarë gjatë përleshjeve të fundit.

Pavarësisht se zyrtarët e Izraelit kanë thënë se kanë eliminuar komandantë të lartë të grupit Xhihadi Islamik, në luftimet e fundit janë vrarë edhe 13 civilë në Gaza, përfshirë fëmijë dhe gra. Izraeli në të kaluarën është përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut lidhur me viktimat në mesin e civilëve që shkaktohen nga bombardimet. Por, Izraeli thotë se tenton të shmangë shënjestrimin e civilëve dhe thotë se militantët operojnë brenda territoreve të banuara dhe nga aty lëshojnë raketa drejt Izraelit. Gjatë përleshjeve të fundit, Izraeli ka shënjestruar Xhihadin Islamik përmes sulmeve ajrore, teksa ky grup është kundërpërgjigjur me lëshimin e raketave.

Përleshjet e fundit ishin në serinë e shumë betejave midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza, që kur grupi militant islamik, Hamas, mori kontrollin e këtij territori më 2007. Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar katër luftëra dhe ka pasur një seri të përleshjeve të tjera. Në përleshjet e fundit, Hamasi nuk mori pjesë. Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gazën gjatë luftës së Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët pretendojnë se këto tri zona do të jenë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli u tërhoq nga Gaza më 2005, por Hamasi më pas mori kontrollin e territorit./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave