TIRANE - Mediat e huaja zbulojnë fakte të reja për tregtinë e fishekëve mes Nigerisë dhe vendeve të Ballkanit. Një video e xhiruar në Nigeri gjatë vizitës së ministrit serb të Mbrojtjes zbulon një fabrikë të prodhimit të fishekëve, çka dëshmon se shteti nigerian ka kapacitete jo të vogla për prodhimin e fishekëve. Por, avioni në pronë të kompanisë Unimesko, me të cilën është i lidhur shefi i dorëhequr i Shërbimit Infomativ Ushtarak, që u nis nga Rinasi drejt Nigerisë me materiale ushtarake, u tha se do eksportonte fishekë për këtë vend. TV A1Report ka zbuluar se këtë nën zë e kanë zbuluar edhe disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Nigeria është një ndër udhëkryqet më të rëndësishme për tregtinë e municioneve në Afrikë. Raportimet e mediave ndërkombëtare flasin për një lidhje të fortë të krijuar vitin e fundit mes shtetit nigerian dhe tregut ballkanik të municioneve. Vitin e kaluar në muajin qershor ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka bërë një vizitë gati një javore në Nigeri.

A1Report publikoi pamjet e vizitës në Nigeri të Sutanovac ku është takuar edhe me Presidentin vendas, Xhonatan Goodluck dhe ministrin e Mbrojtjes, Ezekiel Iomomi. Gjatë kësaj vizite, ministri serb i Mbrojtjes është shprehur se: “Mes shtetit serb dhe Nigerisë janë lidhur disa marrëveshje në sektorin ushtarak dhe mes dy shteteve ka shumë hapësirë për këmbime tregtare”. Aq sa ai shtoi se përmes Nigerisë do të krijohej hapësira edhe për furnizimin e shteteve të tjera afrikane me armë.

Vizita e ministrit serb ka mundësuar edhe publikimin e pamjeve ku shfaqet qartë fabrika gjigande e armëve në shtetin nigerian dhe që dëshmon kapacitetet prodhuese për fishekë të vendit; gjë që nga ana tjetër bën të duket si diçka të pazakontë dërgimin nga Shqipëria të fishekëve për një shtet të cilit kapacitetet nuk i mungojnë.