Sipas një raporti të tatimeve në lidhje me borxhin tatimor shihet se ARMO kishte 21 miliardë lekë detyrime të mbartura deri në fund të vitit 2016. Një pjesë e detyrimit është krijuar në momentin kur ajo administrohej nga Taçi Oil, e cila është në proces falimenti dhe me pak mundësi për të rikuperuar detyrimin. Por me falimentin e Taçi Oil dhe shitjen e ARMO-s tek azerët e Heaney Assets Corporation në gusht 2013, edhe kompanitë që e morën në përdorim vijuan me kulturën e mospagimit të taksave. Detyrime të larta krijuan edhe nënkontraktorët. Borxhin më të lartë e krijoi kompania Deveron që, sipas tatimeve, deri në fund të vitit 2016 kishte akumuluar mbi 7 miliardë lekë detyrime në tatime.
Deveron Oil është krijuar në fund të vitit 2013, sipas ekstraktit në QKR, por që u rrit me shpejtësi në 2014-n e 2015-n. Qarkullimi i saj vjetor ishte 10.7 miliardë lekë në 2014-n dhe 11 miliardë lekë në 2015-n, sipas tatimeve, duke u katapultuar me shpejtësi në 20 kompanitë më të mëdha në vend. Deveron Oil është 100% në pronësi të Deveron Advisor Corp dhe aksionet e saj janë aktualisht të bllokuara nga urdhra të shumë të përmbaruesve për llogari të doganës, tatimeve e të tretëve.
Vetëm në vitin 2017 u shtuan 27 milionë euro detyrime të reja. Teksa nga “aministia”, detyrimet e ARMOs janë ulur me shumë se 55% shihet se kompania që aktualisht administron ARMO-n, IRTC, vetëm në një vit ka akumuluar detyrime ndaj tatimeve në vlerën e 3.7 miliardë lekëve ose 27 milionë euro.
Në shtator të 2016, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off-shore në ishujt britanikë Virgin. Transaksioni mbeti i paqartë, teksa zyrtarisht 80% të ARMO-s i kanë ende azerët e Heaney Assets Corp., që blenë 80% të aksioneve nga Taçi Oil (Anika Enterprises SA) në gusht 2013.
Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit.
d.c./shqiptarja.com










