TIRANE- Një i burgosur nuk është paraqitur në burgun e Vaqarrit, pas lejes katerditore duke u shpallur në kërkim dhe konsideruar tashmë si i arratisur.

Shpëtim Taho, i dënuar për krimin e vjedhjes me dhunë, nuk është kthyer mesditen e 31 Dhjetorit, kur i përfundonte leja shpërblyese për të, ndërsa Burgu i Vaqarrit nuk ka patur informacion për vendndodhjen e tij, apo të dinte nëse kjo ishte veç një thyerje e lejes nga Taho, dhe se nuk kishte për qëllim të arratisej.

Taho ishte arrestuar nga policia e Tiranës në 8 korrik të vitit 2010 me akuzën e vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim. Ai u akuzua se së bashku me Artur Konjën dhe Aleksandër Pjetrin i kishin grabitur mjetin një shtetasi grek.

ARRATISJA  ME MAKINEN E SE MOTRES
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve  pasditen e sotme sqaroi arratisjen e të dënuarit.

"Leja e parashikuar niste më datë 27.12.2013 dhe përfundonte më 31.12.2013, ora 12:00. Në orarin e pritshëm, kur i dënuari Taho nuk është paraqitur në IEVP Vaqarr, menjëherë janë vënë në lëvizje strukturat e policisë së shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për kapjen e tij.

Nga informacionet paraprake, rezulton se ditën e fundit të lejes, i dënuari Shpëtim Taho ka qenë me të dashurën dhe një mik në një lokal në lagjen Nr 6, ku Taho ishte banor. Identiteti i shokut të tij i është bërë e ditur policisë, ndërsa për të dashurën e të dënuarit dihet vetëm që është e divorcuar dhe kishte prej kohësh lidhje me të dënuarin Taho.

Ky i fundit, kur ka marrë vendimin për të mos u kthyer në burg, i ka dërguar një mesazh motrës së tij,  ku i ka thënë se nuk do të kthehet në burg dhe se i vjen keq për nënën në lidhje me veprimin që po bënte. Ai është arratisur me makinën e të motrës, e tipit Polo, e bardhë, me targa italiane."- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.

Njoftimi vazhdon më tej se "Nga burime të pakonfirmuara, mendohet se Taho ka shkuar tek njerëzit e të dashurës. Instancat e policisë po kryejnë kërkimet për të bërë të mundur kapjen e të arratisurit Taho.

DENIMI I SHPETIM TAHOS  
Drejtoria e Burgjeve thotë se Shpëtim Taho është dënuar me 7 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim. Ka kryer 4 vjet dhe ka fituar 6 muaj ulje dënimi nga gjykata për sjellje të mirë.

"Edhe më parë ai ka marrë leje shpërblyese, duke i respektuar afatet ligjore. Konkretisht, në shtator 2013 Taho ka marrë leje shpërblyese për 7 ditë dhe është kthyer sërish në institucion. Është e rëndësishme të theksohet se ky i dënuar ka patur sjellje shumë të rregullt gjatë kohës që ka kryer dënimin në burgun e Vaqarrit."- nënvizohet në njoftimin për shtyp.

Taho ishte arrestuar nga policia e Tiranës në 8 korrik të vitit 2010 me akuzën e vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim. Ai u akuzua se së bashku me Artur Konjën dhe Aleksandër Pjetrin i kishin grabitur mjetin një shtetasi grek.

Redaksia online
(gxh/sg/shqiptarja.com)