Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, kishin organizuar gjithçka për të shmangur postoblloqet e ngritura nga policia në segmentin rrugor Korçë-Elbasan. Të tre kishin dijeni se çfarë masash po marrte policia në bllokimin e rrugëve, pasi çdo gjë e dëgjonin në radjon e kasetafonit të makinës, me të cilën udhëtonin. Për të shmangur kontrollet e një pas njëshme që bëheshin në aksin rrugor Korçë-Elbasan, të tre organizatorët e arratisjes nga burgu i Drenovës, kanë vendosur të braktisin makinën dhe të kalojnë në zonën malore, duke dalë në afërsi të shinave të trenit në tunelin e Qafë-Thanës.

Plani i tyre ishte të gjenin strehim në magazinat që ndodhen në zonën industriale të Prrenjasit, prej nga do të lartgoheshin më pas duke hipur në trenin e udhëtarëve. Gazeta “Shqiptar.com” ka mësuar pranë grupit hetimor se vetë tre të arratisurit gjatë marrjes në pyetje, kanë pohuar se moskalimi i trenit në atë zonë, ka sjellë dhe izolimin e tyre në një magazinë, ku më pas policia ka shkuar dhe ka bërë arrestimin. Sipas prokiurorisë së Korçës, të arratisur s’kishin dijeni për heqjen e trenit në këtë linjë.

RREFIMI NE PROKURORI
Dëshmia e Tafilit, Marashit dhe Gëzim Gurit është marrë për rreth 4 orë me rradhë, ku nga ana e prokurorëve është kërkuar të dhëna të sakta, lidhur me organizimin e arratisjes. “Shqiptarja.com”, ka arritur të mësojë një pjesë të rrëfimit të Tafilit, i cili ka shpjegur se ndryshimi i planit të largimit në drejtim të Tiranës ka ndodhur për tju shmangur postoblloqeve të policisë, pasi mësuam nga radjo se kishin filluar kërkimet. “Të tre së bashku, vendosëm të lemë makinën buzë një rruge fshati dhe të ikim në këmbë. Gjatë rrugës kemi menduar se si duhet të shmangnim postoblloqet policore dhe se e gjetëm një zgjidhje që të iknim me tren. Për këtë kemi dalë në këmbë në Qafë-Thanë, kemi marrë shinat e trenit dhe në orët e para të mëngjesit jemi futur në magazinën e fundit (Oficina e lokomotivave), të stacionit të Prrenjasit. Aty kemi qëndruar në pritje të ardhjes së trenit, nga ku do të dilnim me vrap dhe të hipnim në vagonin e fundit. Por ska ardhur asnjë tren, derisa jemi rrethuar nga policia”-ka treguar Admir Tafili.

POLICI NE MAGAZINE
Në rrëfimin e tij, Admir Tafili ka shtuar se:”Në orët e drekës brenda në magazinë ka hyrë një punonjës policie, që mund të ketë qënë i komisariatit të Prenjasit, pasi dukej nga uniforma e thjeshtë. Ai na është afruar rreth 10 metra dhe na ka folur. E ka kuptuar që ishim të arratisur dhe ka filluar të flasë me radjon e tij. Gëzimi nga inati që na zbuluan, ka qëlluar në tokë, afër këmbëve të policit dhe plumbi ka bërë rikoshet, duke i hyrë në këmbë. Nuk ka kaluar shumë minuta dhe pamë që jemi rrethuar nga shumë forca policie. Skemi bërë rezistencë, por kemi qëndruar deri sa policët erdhën brenda dhe na kapën”-ka treguar Tafili.

ARRATIA NGA BURGU ME MAKINEN ME TARGA PERSONALITETESH
Njëri nga dy automjetet që është përdorur nga Olsi Maçi, Albi Meçini dhe Ervis Lami, ka qënë i paisur me fenelinë policie si dhe me targa “Z”, që përdoren vetëm nga personalitet e shtetit. Pikërisht në këtë makinë, kanë hipur tre organizatorët e planit të arratisjes Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, ndërkohë që mjeti drejtohej nga 19-vjeçari Ervis Lami, shok i ngushtë i Tafilit, pasi me të kanë ndarë qelinë në burgun e Fushë-Krujës. Pikërisht ky automjet është arritur të kapet që ditën e parë të planit të arratisjes dhe se policia ka arritur të arrestojë dhe drejtuesin Ervis Lami.

Nga kçyrja me imtësi e automjetit është arritur të gjëndet një fenelinë policie, një tabelë me mbishkrimin “Policia Rrugore” si dhe dy targa me shkronjën “Z”.. Targat, linin të nënkuptoje se makina i përkiste personaliteve shtetërore, dhe nisur nga kjo situatë, mund të shmangte dhe kontrollet e vazhdueshme të policisë. Mirëpo plani nuk ka ecur siç ishte parashikuar pasi, pikërisht kjo makinë ka thyer masat e sigurisë të një postobllokur të ngritur në Pogradec, duke krijuar dyshime të forta se brenda në makinë, ndodheshin persona të arratisur nga burgu i Drenovës në Korçë.

TONIN VOCAJ NUHATU PLANIN E ARRATISJES
Njeriu që ka nuhatur i pari planin e arratisjes së Admir Tafilit së bashku me dy shokët e tij Fran Marashi dhe Gëzim Guri, ka qënë ish-Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda Tonin Vocaj. Në një raport të hollësishëm Vocaj, i ka bërë me dije Drejtorisë së Burgjeve, dhe më konkretisht ish-drejtorit Gazmend Dibra, që të merte masa të menjëhershme pasi në burgun e Drenovës dhe më konkretisht në qelinë e Admir Tafilit, ishin futur armë. Vocaj, paralajmëron në shkresën e tij se futja e këtyre sendeve mund të sjellë një revoltë të armatosur brenda në burg. Ndërkohë që informacioni është arritur të filtrohet nga agjentët operativë në teren.

Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)