Avokati Idajet Beqiri thotë se arratisja e të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe e rrezikshme, pasi tregon se nuk është i vetëm. Sipas deklaratës së tij në “Studio Live” në Report TV, i burgosuri e ka hartuar planin prej kohësh.

“Është ngjarje e jashtëzakonshme, e paprecedentë, tepër e rrezikshme se nëse nuk siguron dot të burgosur me rrezikshmëri të theksuar shoqërore që i fut në burg dhe gjejnë mënyra për të dalë nga burgu, problem është që nuk është i vetëm. Ai ka punuar kohë përpara për ta arritur këtë ditë dhe këtu dalin probleme të rënda”, tha avokati.

Beqiri tha se në raste të tilla, masat e sigurisë duhet të jenë të jashtëzakonshme. Avokati ngre pyetje për arsyen pse i burgosuri është dërguar pikërisht në këtë spital. Ai nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit nga ana e policisë.

“Në rastin konkret, pse e kanë çuar në spitalin e Durrësit? Që këtu fillon hileja ose shkelja më e madhe flagrante. Spitali i burgut për këtë punë është, është burg dhe spital dhe i ka të gjitha llojet e shërbimeve brenda. Nëse nuk i ka, çohen te spitali ‘Nënë Tereza’ ku merren të gjitha masat që kushtet të jenë njësoj si te spitali i burgut. Nuk e kuptoj pse e kanë çuar te spitali i Durrësit. Si mund të ikë, nëse nuk do Policia e Shtetit dhe nuk ka element brenda që kanë bashkëpunuar me të, unë nuk e përjashtoj kurrë sepse nuk ndodh. Hetimi duhet të fillojë prej kohësh. Kujt ia ka bërë kërkesën për të shkuar në spital? Pse pikërisht në spitalin e Durrësit? Çfarë masash u morën? Kush do ta shoqëronte?”, tha avokati duke ritheksuar se mund të bëhet fjalë për bashkëpunim nga policia.

Në burgjet e Shqipërisë ka ardhur koha që të bëhet një fshesë e hekurt pastrimesh. Dendësia e telefonave në burgje është shumë e madhe dhe ata komandojnë spitale, mjekë, vrasje, grabitje e vjedhje nga burgu. Në burgjet e Shqipërisë po arrijnë të bëhen operacione estetike”, vijoi avokati duke u shprehur se është e nevojshme një reformë.

Ai i quan punonjësit dhe drejtuesit e burgjeve “postierë” pasi marrin para nga të burgosurit për të futur mjete të paligjshme brenda apo për të organizuar takime. Avokati thotë se rregulloret janë të përcaktuara qartë, por gjithçka ngec te zbatimi.

“Problemi është te zbatimi i rregullt, te neglizhenca e njerëzve, paaftësia e tyre që nuk janë të trajnuar siç duhet. Korrupsioni i dorës së shtrirë, çdo gjë në burgje shitet e blihet”, përmbylli ai.