I komanduar në krye të burgut të Reçit, vetë drejtori ka përfunduar duke shpërdoruar detyrën dhe duke kryer vjedhje. Ervis Zika u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës. Ndaj drejtorit ishte caktuar masa e arrestit me burg dhe pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik.

Sipas burimeve pranë prokurorisë së Shkodrës drejtori i komanduar i burgut në Reç, ka lejuar futjen e sendeve pa kontroll brenda ambienteve të burgut.

Në mënyrë që të shmangte skanerin, Zika ka kaluar vetë me sende të ndaluara për t'ia dhënë të dënuarve në regjim.

Por Ervis Zika akuzohet edhe për vjedhje: Dyshohet se drejtori ka marrë karburant duke firmosur kartela fiktive, skandal për të cilin, burimet thonë se janë në hetim edhe persona të tjerë, që kanë pasur dijeni dhe kanë lejuar veprimet e kundraligjshme të drejtorit.

Pas këtij skandali që tashmë është në duart e drejtësisë për t'u hetuar dhe gjykuar, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja emëroi në drejtimin e Institucionit të Vuajtjes së Dënimit të Reçit, Seit Vuçajn. Po ashtu është ndërruar edhe shefi i policisë së burgut, por ende nuk bëhet me dije emri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:47
Arrestimi i Ervis Zikës për shpërdorim detyre, Seit Vuçaj emërohet drejtori i ri i burgut të Reçit

Seit Vuçaj është emëruar drejtori i ri i burgut të Reçit pas arrestimit të ish-drejtorit të komanduar, Ervis Zikës. Zika u arrestua mbrëmjen e djeshme, i akuzuar se ka lejuar futjen e sendeve pa kontroll brenda në burg, e madje ai vetë i dërgonte të burgosurve në qelitë e izolimit sende të ndaluara. Po ashtu ai akuzohet edhe se ka marrë karburant duke firmosur kartela fiktive.