POGRADEC - "Arrest me burg" është masa e sigurisë që gjykata e Pogradecit ka dhënë për Xhensil Lipon, i cili akuzohet për vrasjen e 38-vjecarit, Erion Ibi, ngjarje kjo e ndodhur katër ditë më parë në fshatin Cërravë të Pogradecit.

Gjatë seancës gjyqësore organi i akuzës ka përforcuar versionin e dhënë më parë zyrtarisht nga policia, për një ngjarje të ndodhur për motive banale

Ndërkohë mbrojtja kërkoi për të pandehurin caktimin e një mase sigurie më të lehtë se ajo e kërkuar nga Prokuroria, duke qenë se Lipon ka bashkëpunuar me organin hetimor dhe është vetëdorëzuar.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në datën 17 të dhjetor në fshatin Cërravë të rrethit të Pogradecit, pas një konflikti për motive të dobta në një lokal të fshatit,19-vjecari masakroi për vdekje bashkëfshatarin e tij duke e goditur me gurë e shkopinj e më pas duke e hedhur në kanal.

Ka qënë babai i autorit të krimit, Detar Lipo, i cili ka bërë denoncimin në polici. Ai deklaroi se djali i tij ka kryer një vrasje dhe e ka hedhur më pas trupin e viktimës në një kanal, tek vendi i quajtur “Kovacana”. Trupi i 38-vjeçarit u gjet në kanal i mbuluar me mjete rrethanore, dy ditë pasi ishte vrarë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)