Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, komentoi deklaratën e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila një ditë më parë tha se hetimet për korrupsionin ndaj zyrtarëve tregojnë se sistemi i drejtësisë po funksionon. Bardhi tha se vlerësimet e ndërkombëtarëve “nuk janë gjithmonë objektive”. Ai pyeti se s’mund të heshtë Von der Leyen kur Rama thotë se nuk e ka penguar drejtësinë, duke iu referuar rastit të Ballukut.
“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv. Ne kemi parë ambasadorë që dilnin në krah të Tahirit, por u dënua. Shpesh vlerësimet që bëhen nuk janë objektive. Prokuroria ka përgjegjësitë e veta kushtetuese. Përgjegjësinë e ka të zbulojë, të hetojë dhe të çojë pas hekurave këdo që kryen vepër penale. Përgjegjësinë për luftën kundër korrupsionit, në çdo vend të BE-së, nuk e ka vetëm prokuroria; e ka edhe Kryeministri, edhe Policia, edhe institucionet e tjera të shtetit. Kur ne shohim në këtë vend që funksionon vetëm drejtësia dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që duhet të luftojnë korrupsionin bëjnë të kundërtën, ky është modeli më i shëmtuar i një funksionari publik. Ky është realiteti shqiptar. Nuk pres që një ndërkombëtar të thotë: kjo që ti thua nuk është e vërtetë. Kështu më thanë edhe për Hysenin. Kam thënë në seancë që është ushtare e Agasit. Von der Leyen do të thoshte, ajo është modeli i shkëlqyer i zyrtares së sigurisë në një vend kandidat për BE. E vërteta shpesh vonon, por del. Ne këtu do të jemi dhe shumë gjëra të tjera do të turpërojnë cilindo që del në krah të Ramës.
Shteti shqiptar nuk funksionon. Nëse do të funksiononte, një kryeministër i përgjegjshëm, kur del një deputet dhe thotë që Vlora Hyseni po i shërben Ergys Agasit, ngre shtetin në këmbë për të thënë nëse kjo akuzë qëndron apo jo. Gënjeshtra nuk e ndihmon vendin. Standardet europiane e bëjnë Shqipërinë europiane;,nuk e bën Gysi Shqipërinë europiane, nuk e bën Balluku Shqipërinë europiane. Si mund të heshtë presidentja e KE-së, kur Rama thotë: Ne nuk e kemi penguar ndonjëherë drejtësinë? A nuk ishte Rama që pengoi arrestimin e Ballukut? Nuk është kjo pengesë ndaj drejtësisë? Si mund të pranosh të të thotë një gënjeshtër në sy dhe ti të ulësh kokën? Tregon se nuk u thua shqiptarëve, por edhe europianëve, të vërtetën.
Ne do të themi gjithmonë të vërtetën. Dëgjohemi nga partnerët apo jo, kjo ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi të mbrojmë interesin e qytetarëve shqiptarë. Këta, e vetmja pikë takimi që i lidh është zyra e Ramës. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni janë njohur me njëri-tjetrin në zyrën e Ramës. Kanë pushtet, njëri si zyrtar dhe tjetri individ, për shkak të Ramës. Kush nuk do ta shohë këtë, të vazhdojë të qëndrojë i vetëm”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
PS i thotë ‘jo’ debatit në Kuvend për arrestin e ish-kreut të SHISH: Nuk dublikojmë prokurorinë! Bardhi: S’po pengojmë SPAK, Rama të na japë llogari! Kritika edhe për Von der Leyen (VIDEO)








