Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi modelin ekonomik të qeverisë, duke deklaruar se rritja ekonomike e raportuar së fundmi nga INSTAT nuk reflektohet në jetën e qytetarëve dhe se ekonomia shqiptare, sipas saj, nuk mbështetet te prodhimi.

Sipas Tabakut, rritja ekonomike vjen nga shtimi i taksave dhe shpenzimeve të administratës, ndërsa fondet publike, përfundojnë te koncesionet, PPP-të dhe tenderët. Në një postim në rrjete sociale deputetja e PD-së e cilësoi këtë model si një "ekonomi të pakicës" dhe kërkoi ndryshimin e tij.

Deklarata e plotë e Tabakut 

"Ekonomia shqiptare është futur prej vitesh në një rreth vicioz: nuk prodhon më.

Kjo ndihet çdo ditë në xhepat e qytetarëve, te bizneset që mbyllen dhe te fermerët që nuk arrijnë t’i nxjerrin produktet e tyre në treg.

Nga vjen rritja ekonomike në letra? Sepse në realitet ju e ndieni dhe e dini çdo ditë se nuk po përjetoni rritje ekonomike.

Ajo vjen nga dy burime kryesore. E para janë shpenzimet e administratës së shtetit dhe e dyta janë taksat e rritura.

Të dyja këto tregojnë se kjo rritje ekonomike në letra nuk shkon te qytetari, sepse ekonomia shqiptare nuk prodhon dhe nuk është produktive. Rritja vjen nga shtimi i taksave, të cilat i paguajnë po qytetarët, si edhe nga shpenzimet e shtetit për koncesionet, PPP-të dhe tenderët që shkojnë te një grusht njerëzish.

Ky rreth vicioz i ekonomisë shqiptare, e cila nuk prodhon dhe ku gjithçka shkon te tenderët dhe koncesionet, te një grup i vogël dhe brenda një sistemi të mbyllur, është arsyeja kryesore pse Shqipëria sot është futur në krizën më të thellë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike.

Drama më e madhe e ekonomisë shqiptare është se ajo është kthyer në një ekonomi të pakicës.

Nuk është një ekonomi për njerëzit dhe qytetarët. Nuk është një ekonomi që prodhon dhe eksporton. Nuk është një ekonomi për biznesin, për fermerin dhe për shumicën.

Pikërisht këtë sistem duhet të ndryshojmë. Ky sistem ndryshon vetëm duke ndryshuar qeverinë.

Ekonomia shqiptare mund të kthehet në një ekonomi prodhuese, në një ekonomi që punon për të gjithë dhe që ka një sistem taksash që e nxit biznesin, në vend që të rëndojë mbi shpatullat e brishta të familjeve dhe bizneseve shqiptare.

Ky cikël prishet vetëm duke ndryshuar qeverinë"