Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit për ndihmën e saj ndaj Ergys Agasit ndërsa ndodhej në arrati, është çështja për të cilën duhet të flasë Kuvendi, tha deputeti Eno Bozdo. Ai u shpreh se kjo është situatë e paprecedentë, por qeveria s’ka ndërmend të hulumtojë për dëmin që u është shkaktuar qytetarëve dhe institucioneve.
“Shërbimi Informativ në shtratin e krimit të organizuar do të përbënte në çdo vend normal problemin më të rëndë shoqëror, politik dhe ekonomik. Në një vend që synon të përafrohet dhe të hyjë sa më parë në BE, një komision do të ngrihej për të kuptuar deri ku krimi i organizuar ka shtënë duart në institucione. Në Shqipërinë tonë të dashur, kjo s’ka shans të ndodhë për sa kohë Edi Rama të jetë në krye dhe Agasët e Beqirajt do të drejtojnë vendin. Kjo është situata më e paprecedentë ndonjëherë. Në probleme të tilla ne kemi denoncuar dominimin e çdo strukture kriminale”, tha Bozdo.
Deputeti shtoi se SHISH ishte në shërbim të krimit dhe jo qytetarëve, ndërsa mosreagimi politik do të shënojë shkatërrimin e vendit.
“Shërbimi Informativ, institucioni elitë, në vend që të ofrojë siguri për shtetasit e tij, ofron siguri për krimin e organizuar. Kjo është çështja që duhet të ngrihemi ne sot. Sa të kriminalizuar jemi? Ku duam të shkojmë? Jo duke mbyllur sytë e duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duke operuar në këtë mënyrë, po e çojmë vendin drejt shkatërrimit. Përgjegjësia politike nuk ka për t’u harruar asnjëherë”, përmbylli Bozdo.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Arresti i ish-kreut të SHISH, Berisha: Hyseni u rekrutua nga bandat, ju bëheni avokatë! ‘Territorialja’, Balla: Fokusi te shërbimet! Zhupa: Masakër







