Pas javës së gjelbër, deputetët janë rikthyer këtë të hënë në Kuvend. Seanca plenare zhvillohet në dy plane paralele: nga opozita shqetësimet më të para janë për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit për dhënien e informacioneve sekrete kundrejt Ergys Agasit.
“Ky Kuvend është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Unë e kuptoj që lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve në një kohë kur shefen e SHISH-it e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? Jeni skllevër të padrinos. Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë”, tha Sali Berisha.
“Shërbimi Informativ, institucioni elitë, në vend që të ofrojë siguri për shtetasit e tij, ofron siguri për krimin e organizuar. Kjo është çështja që duhet të ngrihemi ne sot. Sa të kriminalizuar jemi? Ku duam të shkojmë? Jo duke mbyllur sytë e duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duke operuar në këtë mënyrë, po e çojmë vendin drejt shkatërrimit. Përgjegjësia politike nuk ka për t’u harruar asnjëherë”, u shpreh Eno Bozdo.
Por ndërsa për opozitën diskursi politik vijonte në këtë linjë, mazhoranca u mjaftua me prezantimin e problematikave të qytetarëve në zonat përkatëse që përfaqësojnë.
Për reformën territoriale që të enjten pritet votimi në Kuvend pa konsensusin e opozitës, kreu i grupit të socialistëve, Taulant Balla, tha se mes tyre ka një dallim kryesor.
“Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës, t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë”, tha Balla.
Lajmërimit të Sali Berishës për protestë kombëtare të enjten për të kundërshtuar reformën, iu përgjigj me ironi.
“Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite”, tha Balla.
Në mesin e mazhorancës, deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj që kanë dalë kundër draftit.
Lajm në përditësim…

Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit për ndihmën e saj ndaj Ergys Agasit ndërsa ndodhej në arrati, është çështja për të cilën duhet të flasë Kuvendi, tha deputeti Eno Bozdo. Ai u shpreh se kjo është situatë e paprecedentë, por qeveria s’ka ndërmend të hulumtojë për dëmin që u është shkaktuar qytetarëve dhe institucioneve.
“Shërbimi Informativ në shtratin e krimit të organizuar do të përbënte në çdo vend normal problemin më të rëndë shoqëror, politik dhe ekonomik. Në një vend që synon të përafrohet dhe të hyjë sa më parë në BE, një komision do të ngrihej për të kuptuar deri ku krimi i organizuar ka shtënë duart në institucione. Në Shqipërinë tonë të dashur, kjo s’ka shans të ndodhë për sa kohë Edi Rama të jetë në krye dhe Agasët e Beqirajt do të drejtojnë vendin. Kjo është situata më e paprecedentë ndonjëherë. Në probleme të tilla ne kemi denoncuar dominimin e çdo strukture kriminale”, tha Bozdo.
Deputeti shtoi se SHISH ishte në shërbim të krimit dhe jo qytetarëve, ndërsa mosreagimi politik do të shënojë shkatërrimin e vendit.
“Shërbimi Informativ, institucioni elitë, në vend që të ofrojë siguri për shtetasit e tij, ofron siguri për krimin e organizuar. Kjo është çështja që duhet të ngrihemi ne sot. Sa të kriminalizuar jemi? Ku duam të shkojmë? Jo duke mbyllur sytë e duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duke operuar në këtë mënyrë, po e çojmë vendin drejt shkatërrimit. Përgjegjësia politike nuk ka për t’u harruar asnjëherë”, përmbylli Bozdo.

Në përgjigje ndaj opozitës, Taulant Balla tha se ndarja e re territoriale sipas socialistëve e vendos synimin te shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve dhe jo se kush do ta drejtojë bashkinë, duke shënuar ndryshimin më të madh mes dy forcave kryesore politike.
Kreu i grupit socialist uroi që Partia Demokrative mos të bojkotojë Kuvendin dhe të përsërisë historinë e së kaluarës me reformën administrativo-territoriale. Nuk mungoi as ironia për protestën e thirrur të enjten kundër reformës, si dhe një ftesë që opozita të informohet përmes Pasqyrës së Flamingos, lidhur me çështjen e Sazan-Zvërnecit dhe të tjera që do të publikohen më vonë.
“Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat. Në 2014 morët të njëjtin vendim për të bojkotuar reformën administrativo-territoriale. Së bashku me LSI asokohe, i dhamë Shqipërisë hapin e parë të një reforme administrativo-territoriale. Rezultatet janë tejet pozitive sepse të ardhurat për çdo banor u 4-fishuan, ndërsa borxhet dhe detyrimet u ulën me ¾. Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës, t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë. Kemi ruajtur një standard për bashkitë minoritare që edhe pse nuk i plotësojnë kriteret, do të vazhdojnë të jenë. Mendoja se do të flisnim për reformën, të enjten keni thirrur protestë kombëtare. Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite. Sa i përket ditës së sotme, ju ftoj të bëheni pjesë e Pasqyrës së Flamingos. Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, tha Balla.
Ai u rikujto edhe afatin për reformën zgjedhore duke i kërkuar opozitës që të bashkëveprojë, pasi janë të hapur ndaj kësaj, por nuk tolerojnë pengesa.
“Besoj që jeni të gjithë të vetëdijshëm për momentin historik që gjendet vendi. Ursula von der Leyen ishte shumë e qartë: Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten dy vendet pararojë në procesin e anëtarësimit. Shpresoj të luani rolin që duhet të ketë opozita në këtë proces. Reforma tjetër që pret bashkëveprimin me ju është reforma zgjedhore. Kemi një afat në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka. Afati i komisionit mbaron në fund të nëntorit, nuk do të ketë shtyrje. S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, tha Balla.
Në fund, shprehu përkrahje për nismën e Kuvendit të Kosovës për Dhomat e Specializuara pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, por i kërkoi opozitës të përmbahej nga aktet populiste.
“Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, tha Balla.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti në Kuvend shqetësimin për shpopullimin, duke thënë se sot ka 56 mijë studentë më pak në bankat e shkollës. Sipas saj, shpopullimi vjen si shkak i korrupsionit, duke u ndalur edhe te godina shumëkatëshe që pritet të ndërtohet te Tajvani.
“56 mijë studentë më pak sot janë ulur në bankat e shkollës. Kjo tregon dramën më të madhe që ka sot Shqipëria, dramën e shpopullimit. Këtu është e pamundur të gjesh një punë, të hapësh një biznes, sepse sot është ulur këmbëkryq korrupsioni. Me dhënien e lejes për parkun Tajvan, një park që mbetet një ndër frymëmarrjet e vetme që kishte Tirana, pa garë, pa procedurë, pa konkurs, pa procedurë normale, i ka dhënë leje ndërtimi në mes të parkut kryesor të kryeqytetit besnikut të partisë.
Nuk ka asnjë logjikë, sepse Rrogozhina mbetet bashki, ndërkohë që Golemi bëhet pjesë e Bashkisë së Kavajës. Nuk ka logjikë se përse disa bashki vazhdojnë të ekzistojnë, disa të tjera, për qëllime elektorale, i bashkohen disa të tjerave. Ky, për hir të pushtetit, e ka sjellë Shqipërinë në protesta, studentët të largohen, bizneset të mbyllen.
Për këtë arsye, leja e dhënë në qendër të Tiranës, pa asnjë procedurë, nuk është diçka e re për Shqipërinë. Është historia e vjetër e lejeve të ndërtimit, që deri dje i jepte si kryebashkiak, sot i jep si kryeministër. Askush tjetër nuk bën dot biznes në Shqipëri. Askush sot nuk ka mundësi me një biznes të ndershëm të mbijetojë. Pushteti ekonomik, politik, mediat janë të përqendruara në pak duar", tha Tabaku.

Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha ngriti sërish çështjen e arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për këtë çështje, ndërsa tha se Hyseni është rekrutuar nga “bandat dhe kartelet”. Berisha akuzoi gjithashtu deputetët socialistë se po bëhen “avokatë” të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të SHISH.
“Ky Kuvend është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Është shndërruar në një dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë. Ky Kuvend është shndërruar në një institucion turpi, që po i shërben në verbëri absolute narkoregjimit, narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Ju, në vend se të spostoni çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, nuk bëni asgjë. A e dini se çfarë do të thotë shefja e SHISH-it, anëtare e grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë? Grupit që dispononte qindra milionë euro për llogari të Ramës, në AKSHI. Grupit që kontrollonte internetin dhe komunikimin e mbarë vendit.
Një pjesë e juaja ka porositur vrasje, një pjesë e juaja ka bërë pazaret më të fëlliqura me kartelet e drogës. Dhe tani bëhemi avokatë të Ramës dhe të Vlora Hysenit. Ju vini mbi interesat e shqiptarëve, të Shqipërisë, por edhe mbi interesat e NATO-s e bashkëpunimit ndërkombëtar, interesat mafioze të një njeriu që s’ka as ligj e as moral, që sillet si padron në terren dhe ju si skllevër të tij.
Unë e kuptoj që lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve në një kohë kur shefen e SHISH-it e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? Jeni skllevër të padrinos. Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë. Ky shkelmon çdo interes të shqiptarëve.
Po të mos ishin këto, ju Edi Ramën e kishit zhveshur lakuriq, ja kishit nxjerrë të gjitha, problemi është se mbroni ato tuajt ju. Ky kuvend nuk ka moral të ekzistojë, është zëdhënës i Ballukut, i Troplinëve, i Bajrave”, tha Berisha.

Deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj, mori fjalën në nisje të seancës plenare në Kuvend për të folur për zonën që përfaqëson, por hasi në kundërshtimin e opozitës, pasi Gazment Bardhi i kërkoi Niko Peleshit të merrte fjalën për procedurë.
Klevis Jahaj: Kjo seancë është nga më të rëndësishmet sepse sot kemi mundësi të tregojmë zërin e qytetarëve edhe mbështetësve. Kam shansin që sot të flas për Mallakastrën, për ato punë që janë bërë.
Gazment Bardhi: Na jep fjalën për procedurë!
Klevis Jahaj: Është shumë e rëndësishme se po flas për Mallakastrën, prandaj duhet të dëgjosh pak.

Para nisjes së seancës plenare, Sali Berisha mblodhi të tijtë në mbledhjen e grupit parlamentar. Fjalën e tij e përqendroi te arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke thënë se Edi Rama është shndërruar në një avokat të saj, Ergys Agasit, por edhe të Roni Yeffet apo Belinda Ballukut.
Berisha pretendoi se veprimet e tyre janë bërë me urdhër të Ramës, ndërsa kërkoi që Komisioni i Punëve të Brendshme të nisë urgjentisht hetim për çështjen e ish-kreut të SHISH.
“Rama është shndërruar aktualisht në një avokat të pashembullt në histori të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Roni Yeffetit, Linda Karçanajt, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut. I pabesë, i pakarakter siç është, pasi lau duart me ta, tani bën avokatin e tyre. Asnjë njeri nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël se në çdo veprim dhe çdo akt të koordinatorit Ergys Agasi, se çdo veprim dhe akt i Ermal Beqirit, Linda Karçanajt dhe Vlora Hysenit, është urdhri i Edi Ramës, janë ndarja e parave me Edi Ramën, është menaxhimi i parave të Edi Ramës.
Kjo është e vërteta. Zërat po gumëzhijnë dhe ndaj ky kalon nga një dalje televizive në një tjetër, përpiqet të shfajësojë, përpiqet të lehtësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, por akte ndër më të rënda në historinë e botës. Shefja e shërbimit inteligjent, që ka dorëzuar sekretet më të rëndësishme të shtetit tek kartelet e drogës dhe ndërmjetësi i tyre, po të kemi parasysh se këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga presidenti i SHBA, kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha. Dhe Edi Rama, nuk po përdor epitete, u thotë shqiptarëve se aleatët e çmojnë Vlorën. Shiko gjer ku arrin ky.
Komisioni i Sigurisë duhet të kërkojë urgjentisht të ndërmarrë hetim në lidhje me veprimtarinë në shkelje të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës të këtij grupi të strukturuar kriminal, që tani del i kryesuar... në fakt kryetar është Edi Rama, Padrino, por në arrest shtëpie është Vlora Hyseni”, tha Berisha.
PD të enjten do të protestojë kundër reformës territoriale.

Deputeti socialist Vullnet Sinaj mbërriti në Kuvend për seancën plenare, por zgjodhi që të mos i japë asnjë përgjigje pyetjeve të shumta që i drejtuan gazetarët pasi ai doli kundër draftit të PS për Territorialen.
“A do ndryshoni ju qëndrim të enjten. Cila do jetë vota? Do votoni kundër në seancë?”, ishin pyetjet e gazetarëve drejtuar Sinajt.








Komente
Komento