Është zbardhur dje vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i marrë më 4 maj, i cili rishikon praktikën gjyqësore mbi caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg". Vendimi parashikon se masa më e rëndë kufizuese e lirisë duhet të vendoset vetëm pasi gjykata të ketë shqyrtuar konkretisht masat alternative dhe të arsyetojë pse ato nuk janë të përshtatshme në rastin konkret. Po ashtu, barra e provës për domosdoshmërinë e arrestit në burg i takon prokurorisë.
Në "Repolitix" me Denis Mingën në Report Tv, Avokati Indrit Sefa u shpreh se vendimi ka nisur të zbatohet nga gjykatat gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë.
"Vendimi i Gjykatës së Lartë është një vendim shumë i mirë, sepse gjykata dhe prokurori kanë detyrimin të analizojnë edhe masat e tjera të sigurisë dhe të argumentojnë pse nuk janë të përshtatshme. Nuk mund të ecet vetëm me hamendësime dhe pretendime ligjore. Kërkesa duhet të mbështetet në prova, indicie ose informacione policore", tha Sefa.
Avokati Idajet Beqiri e lidhi vendimin me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kthimin për rishqyrtim të çështjes së masës së sigurisë tregon se duhen rivlerësuar elementët që lidhen me proporcionalitetin.
Beqiri tha se, sipas tij, Gjykata e Lartë pritet të analizojë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas ta rikthejë çështjen në Gjykatën e Apelit, e cila do të vendosë për masën e sigurisë.
"Gjykata Kushtetuese, vendimin e Gjykatës së Lartë për masën e sigurimit, arrest në burg pa afat për Erion Veliajn, e ka konsideruar antikueshtetues. Sepse nëse nuk e konsideron antikueshtetues, nuk e kthen që t‘i thotë shqyrtoje dhe njëherë. Pra duhet të shikojë ka elementë të antikushtetueshmërisë apo jo, në të kundërtën, e rrëzon kërkesën, dhe thotë: jo ëhstë kushtetues ky vendim dhe mbaroi. Fakti që thotë është antikushtetues dhe e lidhe me proporcionalitetin, do të thotë që Gjykata e Lartë tashmë do ta shqyrtojë çështejen, nuk e vendos vetë që të thitë një masë tjetër sigurimi sepse është gjykata ligji, çka do të thotë se do të arsyetojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë çfarë thotë gjykata kushtetuese, dhe mbasi ta analizojë, do të thotë që edhe në përputhje me vendimin unifikues që ne vetë si Kolegje të Bashkuara kemi marrë, çështjen do t’ia çojë Gjykatë së Apelit, dhe ajo do të vendosë për këtë gjë",- tha Beqiri.
25 majin e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi 5 me 3 në favor të Erjon Veliajt, duke urdhëruar Gjykatën e Lartë, që të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore.
Por avokati Edmond Petraj u shpreh se Gjykata e Lartë do të duhet të shprehet mbi çështjen, duke theksuar se pas përfundimit të hetimeve duhet rivlerësuar nëse ekzistojnë ende kushtet që justifikojnë mbajtjen në arrest me burg.
":Patjetër që vetë Gjykata e Lartë do të shprehet. Pse e bëri për zonjën Karaçanaj, e kemi standardin. Hetimi ka përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim, pra sa është ekzistenca e rrezikut real për ato kriteret e prishjes së provave, dëshmimtarët",- tha Petraj.
Ndërsa ish-prokurori Ervin Karanxha tha se në rastin e Erion Veliajt duhet të merren në konsideratë disa zhvillime, mes tyre vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Gjykatës së Lartë dhe përfundimi i hetimeve, të cilat, sipas tij, përbëjnë elementë që ndikojnë në vlerësimin e masës së sigurisë.
"Rasti Veliaj ka disa të dhëna. Kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë duhet të vazhdojë detyrën, kemi vendimin e Gjykatës së Lartë që ka vlerësuar rrethanat e arrestit në burg, kemi mbarimin e hetimeve dhe për mendimin personal nuk është çuar për atë çështje që mund të ketë qenë që dyshohet, por për çështje personale",- tha Karanxha.
Komente






