Gjykata e Lartë do të shprehet të hënën për një ndryshim të vendimit të saj unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Disa ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale vendase të ndërmarra ndër vite por dhe disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejat e njeriut kundër Shqipërisë, në të paktën tre çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit të personave në pritje të gjykimit duket se e kanë bërë tashmë të papërshtatshëm dhe të tejkaluar aktin e 2011-ës.

Bashkë me vendimin pritet që në seancën publike të shpallet edhe vendimi mbi vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara, por nuk dihet si janë ndarë në vota 16 gjyqtarët pro dhe kundër. Që të miratohet ai vendim, duhet që shumica e gjyqtarëve të votojnë pro iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Më 9 prill Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën të thirrura nga kryetari Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Janë të paktën tre momente që sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi duhen rishikuar. E para lidhet me faktin se sipas vendimit të 2011 gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme. Por, GJEDNJ thotë se “argumentet e gjykatave në favor të lirimit apo kundër nuk duhet të jenë të përgjithshme, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.

Elementi i dytë për të cilin kërkohet rishikimi i vendimit të vitit 2011, lidhet me faktin se ndryshe nga çndodh aktualisht, rrezikshmëria e autorit nuk mund të përcaktohet nga vetë vepra penale. Gjykata Evropiane ka përcaktuar se serioziteti i veprës ose pasojat e saj nuk përbëjnë arsye të pavarura që justifikojnë ndalimin me burgim.

Dhe e treta, sipas vendimit unifikues të tetorit 2011 nga Gjykata e Lartë thuhet se për të përcaktuar të papërshtatshëm arrestin me burg duhet të ishte i akuzuari që jep argumenti pse. Pra duhet të jetë i akuzuari që të thotë se pse nuk duhet të rrijë në burg. Pra barra e provës i vendoset të akuzuarit dhe jo gjykatës apo prokurorisë. Kjo është në kundërshtim me praktikën perëndimore, prandaj sipas kreut të Gjykatës së Lartë kjo kërkon ndryshim.